Kompania AL.Global Oil -që në muajin janar 2018 finalizoi blerjen e Uzinës së Naftës në Fier për 5 milionë dollarë, pas një ankandi të bankave për shitjen e uzinës që prodhonte bitum, pjesë e rafinerisë ARMO, – tashmë po bëhet gati që ta vënë atë në punë duke ndjekur procedurat standarde të lejeve mjedisore. Burime pranë kompanisë thanë se së shpejti do të nisë edhe aktiviteti, nisur nga fakti që kërkesa në treg për bitum nxitur nga investimet publike është e lartë dhe se tregu ka gjithmonë nevojë, si ai vendas ashtu dhe eksporti. Ndryshe nga rafineria e Ballshit, po pjesë e ARMO, që përpunon naftë, uzina që prodhon bitum vlerësohet se është e leverdishme.
Al Global Oil që aktualisht ushtron aktivitetin në import dhe eksport të hidrokarbureve të gjitha llojeve, të karburanteve, naftës, gaz dhe nënprodukteve të tyre me shumicë si dhe përpunimi i naftës bruto dhe nënprodukteve te saj ka kërkuar pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit rinovim të lejes mjedisore. Më herët Uzina e Fierit ka ushtuar aktivitetin nën një leje të vjetër të dhënë në vitin 2008.
Referuar dokumenteve zyrtare aktiviteti do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 70 mijë metrash katrorë të vendosur në dispozicion të Uzinës e ndodhur në Jug Perëndim të Azotikut në kompleksin industrial të Fierit. Të njëjtat dokumente japin edhe detaje mbi kapacitetin si dhe teknologjinë e instaluar në uzinë.
Kapaciteti përpunues 500 mijë tonë/vit
“Uzina e Përpunimit të Naftës Fier është ndërtuar në vitet ’60 dhe ka filluar aktivitetin e saj përpunues në vitin 1968. Është projekt sovjetik dhe e vënë në punë nga specialistë shqiptar. Teknologjia është e vjetër dhe funksionon me një proces primar dhe jo te thelluar si K.P.TH.N.Ballsh. Produkti përfundimtar, i cili është i destinuar për tregtim, me standard përkatës, është bitumi. Kapaciteti i projektuar përpunues i Impiantit të Distilimit është 500 000 ton/vit nafte bruto” thuhet në dokument.
Vetë rafineria është e përbërë nga të paktën shtatë njësi që janë reparte dhe parqe. Konkretisht reparti A.V.T Distilimit Atmosferik dhe në Vakum, reparti Mekanik, reparti i Kip Elektrikut, reparti i bitumit, parku i rezervuarëve të lëndës së parë, parku i rezervuarëve të gjysëmprodukteve dhe holluesit, parku i rezervuarëve të bitumit.
Impiantet e rafinerisë janë teknologji sovjetike dhe në nevojë të vazhdueshme për remonte për shkak të vjetërsisë.
Zvarritja në ankande dhe lidhja me ARMO
Blerja e Uzinës së përpunimit të naftës në Fier u bë nga AL.Global Oil, e vetmja kompani që paraqiti ofertë, pasi kishin dështuar tre ankande radhazi për shitjen e uzinës. Uzina, pjesë e rafinerisë ARMO, ishte vënë në shitje nga bankat, për shkak të detyrimeve të papaguara të rafinerisë.
Fillimisht, në ankandin e parë uzina me gjithë pronat e saj u vlerësua me 20.6 milionë euro, por që pas tre ankandeve vlera kishte zbritur në 3.5 milionë euro. Ankandi i parë ishte zhvilluar në tetor dhe i treti në fillim të dhjetorit. Në 9 janar, përmbaruesi TDR u propozoi palëve kreditore, Albpetrol, Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Dega e Doganës Fier dhe Bankën Raiffeisen, se pas dështimit të tre ankandeve për shkak të mungesës së interesit, ligji parashikon që “Kur kreditorët që kërkojnë të marrin sendin kundrejt kredisë ianë disa, përmbaruesi gjyqësor deklaron blerës kreditorin që brenda 3 ditëve nga propozimi iep çmimin më të lartë se çmimi i caktuar për ankandin e ri”.
Por, disa ditë më pas është paraqitur oferta e AL.Global Oil prej 5 milionë dollarësh, e cila është pranuar nga përmbaruesi, i cili ka vendosur që të kalojë në pronësi të shoqërisë pronat e pranuara prej tij. Blerësi është një kompani e krijuar në vitin 2016 dhe aksionerë të saj janë Arjan Dhimertika, Qazim Qazimi dhe Ridgers Mema. Ndërsa në bordin mbikëqyrës të kompanisë janë dy sipërmarrës të njohur në fushën e naftës, Shefqet Kastrati i grupit më të madh të naftës në vend, “Kastrati” dhe Frident Kuqi i “Europetrol Durrës Albania”, operatori i dytë më i madh i naftës në vend.
ARMO, e krijuar në vitin 1999 si kompani shtetërore, ka dy rafineri, atë të përpunimit të naftës në Ballsh dhe të bitumit në Fier. Rafineria e naftës deri pak javë më parë ishte në përdorim nga kompania offshore IRTC, e cila së fundmi e braktisi atë duke lënë rreth 60 milionë euro të papaguara dhe punonjësit pa paga. Aktualisht rafineria e ballshit i ka kaluar një tjetër kompanie, Allum Enterprise, ndërsa puna nuk ka filluar ende, ndonëse po negociohet me punonjësit.
Historia e ARMO
Në vitin 2008 ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro.
Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi ITRC, që e mbylli si gjithë të tjetër, me një fund pa lavdi.
15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend.
ARMO ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve, ku vetëm ndaj shtetit detyrimi në total (pa llogaritur fshirjet nga amnistia) i ka kaluar 250 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.