Vetëm nga Kurum dhe Beralb, që kanë ndalur aktivitetin, dhe reduktimit të Bankers si rrjedhojë e naftës më të lirë, eksportet në vitin 2016 pritet të bien me 10% në raport me 2015-n, duke vënë alarmin për një ndër sektorët që deri tani ka qenë një kontribues i rëndësishëm në ecurinë e ekonomisë së vendit dhe hyrjen e valutës. Shqipëria, në krizë për diversifikimin e eksporteve si në mallra ashtu dhe gjeografikisht, dhe rritjen e vlerës së shtuar. Ja ecuria e “Made in Albania” gjatë dekadës dhe peshat e grupeve
Nga Blerina Hoxha
Ornela Liperi
Janë rreth 300 milionë euro eksporte që pritet t’i mungojnë ekonomisë këtë vit, në raport me 2014-n kur shitjet jashtë vendit arritën kulmin e tyre duke u vlerësuar në 1.8 miliardë euro, apo gati 20% e prodhimit të brendshëm Bruto (PBB). Konkretisht, Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh, nëse çmimet e naftës do të vazhdojnë të jenë të ulëta do të ketë rreth 170 milionë euro më pak shitje jashtë në raport me dy vite më parë. Nga Kurum, prodhuesi i çelikut që shpalli falimentin së fundmi do të mungojnë rreth 100 milionë euro dhe nga Beralb, që pezulloi aktivitetin vitin e kaluar nuk do të hyjnë në Shqipëri edhe rreth 30 milionë euro të tjera (të dhënat janë sipas eksporteve të deklaruara nga tatimet për vitin 2014).
Bankers Petroleum në 2015-n përgjysmoi eksportet për shkak të rënies së çmimeve të naftës. Në 2016-n, nëse çmimet e naftës referencë Brent do të mbeten rreth 40 dollarë për fuçi, eksportet e Bankers pritet të tkurren edhe me rreth 60 milionë euro të tjera, edhe në rast se ruan të njëjtat nivele prodhimi si në 2015-n.
Vetëm nga Kurum dhe Beralb, që kanë ndalur aktivitetin, dhe reduktimit të Bankers si rrjedhojë e naftës më të lirë, eksportet në vitin 2016 pritet të bien me 10% në raport me 2015-n, duke vënë alarmin për një ndër sektorët që deri tani ka qenë një kontribues i rëndësishëm në ecurinë e vendit dhe hyrjen e valutës.
U bënë gati pesë vjet që realiteti i ri ekonomik ka sjellë nevojën e riorientimit të rritjes së ekonomisë nga konsumi drejt prodhimit, por zhvillimet kanë mbetur vetëm në rrafshin teorik, pasi ajo sasi e paktë “Made in Albania” ka mbetur e përqendruar tek industria dhe në pak kompani që tashmë janë në krizë për ekzistencë.
Teksa prej vitesh po flitet (teorikisht) për dobësitë strukturore të eksporteve shqiptare, si varësinë nga shitja e lëndës së parë (minerale e naftë) dhe krahut të lirë të fuqisë punëtore (eksportit me vlerë të shtuar të ulët të materialit të porositësit), në 2016-n vendi po përballet praktikisht dhe seriozisht me këtë problem.
Çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare i kanë çuar kompanitë e mëdha shqiptare të eksportit në një krizë të thellë likuiditetesh. Duke mos përballuar kostot me të ardhurat nga shitjet, eksportuesit më të mëdhenj në vend janë përfshirë në proces falimenti dhe transferimi të pronësisë, duke i futur eksportet shqiptare në qorrsokak, teksa autoritetet shqiptare kanë mbetur pa zgjidhje të reja në sfond. Në këto kushte, qeverisë shqiptare i duhen përpjekje të ruajë nivelin aktual të eksporteve, pasi rritja e mëtejshme e tyre mbetet një mundësi e largët.
Bankers Petroleum, kompania e nxjerrjes së naftës, njëkohësisht eksportuesi më i madh në vend me rreth 12% të peshës (30 miliardë lekë) në shitjet jashtë vendit më 2015 njoftoi kohët e fundit transferimin e pronësisë te kinezët e Geo-Jade për 407 milionë dollarë. Drejtori i Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN), Dael Dervishi, tha se ulja e çmimeve të naftës poshtë nivelit 40 dollarë për fuçi i nxjerr me humbje koncesionarët e nxjerrjes së naftës. Ai pohoi se Bankers prej kohësh ishte në kërkim të një blerësi që tashmë e ka gjetur dhe në këtë fazë kërkimi janë edhe të gjithë koncesionarët e tjerë.
Pak javë më parë, eksportuesi i dytë më i madh në vend, kompania e prodhimit dhe eksportit të hekurit, Kurum, shpalli falimentin zyrtar. Me një eksport 12 miliardë lekë, eksportuesi i dytë më i madh në vend tashmë e ka mbyllur krejtësisht prodhimin. Sipas të dhënave nga bilanci, Kurum ka rreth 300 milionë euro detyrime, gjysma e të cilave ndaj bankave dhe institucioneve financiare e pjesa tjetër, ndaj të tretëve.
Kompania tashmë është në proces ristrukturimi nëpërmjet falimentit. Riaktivizimi i prodhimit të hekurit duket se do të jetë i vështirë për sa kohë që kostot e transportit të hekurit nga Kina në Portin e Durrësit janë 6 dollarë më të ulëta se kostot e transportit te hekurit nga Elbasani në Durrës, bënë të ditura burime pranë kompanisë.
Më herët, në shtator të vitit 2015, Beralb, kompania e nxjerrjes, pasurimit dhe eksportit të bakrit, si dhe eksportuesi i nëntë më i madh në Shqipëri, me shitje jashtë vendit prej 2.2 miliardë lekësh, njoftoi mbylljen e aktivitetit. Kostoja e nxjerrjes, pasurimit dhe transportit, sipas tij, është rreth 1020 dollarë, ose gati 100 dollarë më shumë se çmimi aktual. Në fillim të 2015-s, Beralb po eksportonte në vlerën 1020-1050 dollarë për ton. Në barrën e kostove të saj ka rënduar edhe pagesa e rentës minerare. Me vendim gjykate, doganat duhet t’i kthejnë kompanisë një vlerë prej më shumë se 2 milionë dollarësh. Renta minerare paguhet paraprakisht dhe pas vlerësimit të nivelit të pasurisë, renta ka rezultuar më e ulët se ajo që është paguar. Sipas drejtuesve të kompanisë, nëse doganat do të kishin paguar detyrimin e tyre, kompania do të mund të vijonte prodhimin në kushtet e mbijetesës edhe për 5-6 muaj të tjerë, kohë ndoshta e mjaftueshme për të pritur çmimet më të favorshme në treg.
Teksa shihet qartë se “kalorësit” e eksporteve janë gjunjëzuar, e gjithë “ushtria” e eksportuesve gjendet e lodhur në një fushë të hapur beteje. Fasonistët që siguruan 37% të eksporteve më 2015, këtë vit sinjalizojnë vetëm mbajtje të pozicioneve me një zgjerim të lehtë që nuk pritet të kalojë 6%. Donika Mici, një nga eksportuesit më të mëdhenj të këpucës me cikël të mbyllur me kompaninë Donianna, lajmëron se barra e taksave ka rritur kostot dy vitet e fundit, në një kohë që rajoni është bërë me lehtesues. Kjo po i bën prodhimet shqiptare më pak konkurruese, tha Mici, e cila tha se këtë vit është drejtuar në tregjet më të largëta si Rusia dhe Japonia. Për të njëjtat arsye, nuk po zgjerohet edhe fasoni industrial, i cili ndërpreu hovin e rritjes qysh në 6-mujorin e dytë të 2015-s. Premtuese mbeten vetëm eksportet e prodhimeve bujqësore, të cilat, me gjithë rritjen 40% të vitit 2015 dhe me një perspektivë të mirë edhe këtë vit nëse favorizojnë kushtet klimatike, kanë ende një peshë modeste në eksporte me vetëm 9% më 2015.
Tani kur çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë prekur fundin edhe për hekurin, prodhuesit shqiptarë kanë humbur konkurrueshmërinë përballë industrive më të zhvilluara, madje edhe me rajonin. Në këto kushte, në vend që biznesi të lehtësohet për të përballuar krizën e çmimeve të ulëta, është ngarkuar edhe më tej nga qeveria me barrë fiskale nëpërmjet rritjes së taksave dhe konflikteve gjyqësore për detyrime të ndërsjella.
Në rrezik, një e treta e eksporteve
Dy nga grupet më të rëndësishme të eksporteve, lëndët djegëse dhe mineralet janë tërësisht të ekspozuara ndaj çmimeve në tregun ndërkombëtar. Ato kanë shënuar mbi 64 miliardë lekë eksporte në vitin 2015, duke zënë gati 26% të totalit. Por ndërkohë, eksportet e këtij grupi po rrezikohen edhe për shkak se ato janë të përqendruara në vetëm pak kompani brenda vendit.
Banka Botërore, në muajin shkurt të këtij viti, ka ulur parashikimin e saj për çmimet e naftës së papërpunuar, në 37 dollarë për fuçi, nga 51 për fuçi në parashikimet e tetorit. Sipas deklaratës së Bankës Botërore, parashikimi i ulët reflekton një numër të faktorëve të ofertës dhe kërkesës. Çmimet e naftës ranë me 47% në vitin 2015 dhe rënia pritet të vijojë edhe 27% në vitin 2016. Me gjithë rënien aktuale të çmimeve të naftës, një rritje graduale pritet të nisë gjatë këtij viti. Sipas këtyre parashikimeve, 15% e eksporteve që përbëhen nga nafta janë të ekspozuara nga zhvlerësimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Prodhuesit e naftës me kosto të lartë, ku përfshihet edhe Shqipëria, do të jenë në presionin e humbjeve të vazhdueshme dhe do të priren të bëjnë gjithnjë e më shumë shkurtime të prodhimit.
Përtej tregjeve të naftës, të gjitha indekset kryesore të çmimeve të mallrave priten të bien në vitin 2016, për shkak të mbifurnizimeve dhe në rastin e mallrave industriale, e shoqëruar edhe me ngadalësimin e kërkesës në ekonomitë në zhvillim. 37 nga 46 mallra në monitorimin e Bankës Botërore u rishikuan me ulje të çmimeve për këtë vit.
Ekonomitë në zhvillim kanë qenë burimet kryesore të rritjes së kërkesës mallrave që nga viti 2000. Si rezultat, dobësimi i perspektivave të rritjes në këto ekonomi peshon mbi çmimet e mallrave. Një ngadalësim i mëtejshëm në tregjet e mëdha në zhvillim do të reduktojë kërkesën globale për mallra.
Çmime të ulëta të mallrave po vlerësohen si një shpatë me dy tehe, ku konsumatorët në vendet importuese të këtyre mallrave përfitojnë nga çmimet e ulëta, ndërsa prodhuesit në vendet eksportuese neto, të vuajnë.
Duket se Shqipëria është në dy tehet humbëse. Përveçse tregu vendas ofron çmimet më të larta të naftës në rang global, me gjithë rënien e çmimeve, ekonomia jonë po cenohet rëndë, pasi industria zë një të tretën e eksporteve, tashmë të ekspozuara ndaj rënies së çmimeve. Kompanitë vendase kanë hyrë në fazën që nuk po përballojë më humbjet që po vijnë nga shitjet nën kosto.
Çmimet e metaleve do të bien me 10%, pas një rënieje 21% në vitin 2015, për shkak të kërkesës më të butë. Çmimet e bujqësisë janë parashikuar të bien me 1.4%, me ulje pothuajse në të gjitha grupet kryesore të mallrave, duke pasqyruar perspektivat adekuate të prodhimit, pavarësisht nga frika e ndërprerjeve të prodhimit.
Eksportet, presionet më shumë nga rënia se nga rritja
Eksportet shqiptare e nisën rritjen dyshifrore qysh në vitin 2005 për shkak të bazës së ulët të eksporteve me vetëm 68 miliardë lekë. Ekspansioni i fortë u pa në vitin 2010, kur eksportet shqiptare panë rritjen më të lartë historike me mbi 50% brenda vitit. Kjo rritje i dedikohet totalisht eksporteve të naftës dhe mineraleve të cilat brenda vitit 2010 sollën 76 miliardë lekë të ardhura nga shitjet jashtë, duke zënë më shumë se 45% të totalit të eksporteve. Kjo rritje e eksporteve më shumë se volumeve të prodhimit i dedikohet çmimeve të larta që patën këto produkte në tregjet ndërkombëtare, sidomos nafta. Grupi i industrisë që udhëhoqi eksportet gjatë dekadës kulmoi në vitin 2013 (siç shihet në grafik, NGA DO VIJË RRITJA?! Ecuria e eksporteve sipas grupeve kryesore) për të rënë me ritme dyshifrore në dy vitet e mëvonshme. Rënia me mbi 20% në vit për shkak të prodhimit më të pakët dhe çmimeve më të ulëta në tregjet ndërkombëtare po sjell një hendek në eksportet aktuale që me gjasë është vështirë të rikuperohet në periudhë afatshkurtër. Zhvillimet në grupet e tjera të mallrave nuk janë shumë premtuese sa për të mbuluar deficitet që po krijon industria. Gjithsesi, fasoni dhe bujqësia mbeten sektorët me zgjerimin më të lartë.
Në kërkim të kostove të lira pas krizës financiare të vitit 2008 Shqipëria u bë një oaz i kërkuar për prodhuesit e këpucës dhe tekstilit. Të dy grupet kanë parë një rritje të admirueshme gjatë dekadës, por duket se ecurinë më të mirë e kanë pasur këpucët, eksportet e të cilave janë trefishuar që nga 2005. Duket se përfshirja në cikël të mbyllur të kompanive të mëdha të prodhimit të këpucës i ka dhënë vlerë më të shtuar eksportit në krahasim me tekstilin, rritja e të cilit, ndonëse e lartë, nuk ka qenë e admirueshme sa e këpucëve. Por me rritjen e barrës fiskale dhe rritjen e konkurrencës në rajon, sektori nuk pret të zgjerohet më shumë se 6% sipas burimeve nga tregu. Ndërsa eksporti i prodhimeve bujqësore, me gjithë rritjen e madhe të vitit 2015, mbetet vulnerabël dhe nën ndikimin e kushteve klimatike. Gjithsesi, në periudhën afatshkurtër, pesha e tyre në eksporte do të mbetet e ulët në më pak se 10% të totalit.
Kambanat që ranë që në 2015-n
Eksportet shqiptare shfaqën dobësi më 2015, duke e mbyllur vitin me një rënie 4.9%, duke arritur në 243 miliardë lekë. Një vit më parë, eksportet kishin shënuar një rritje prej gati 4%. Sipas të dhënave historike të INSTAT, ky është zgjerimi më i ulët i eksporteve që nga viti 2009. Koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare vitin e kaluar, me uljen e çmimeve të naftës e mineraleve, ka qenë arsyeja kryesore e kësaj tendence, ndërkohë që rritja e grupeve të tjera (kryesisht pije ushqimore e duhan, tekstile e pajisje këmbimi) ka qenë shumë e ulët për të amortizuar këtë rënie.
Tkurrja më e madhe e eksporteve është shënuar në zërin e mineraleve dhe energjisë elektrike, që ranë me 25% për të arritur në 64.5 miliardë lekë. Sipas të dhënave të doganave, kjo rënie në vlerë e eksporteve shqiptare në këtë grup i dedikohet çmimeve të ulëta të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e ulëta, sipas ekspertëve, ndikuan në dy kahe. Së pari, u dekurajua eksporti në volum i naftës bruto dhe mineraleve të rënda dhe nga ana tjetër, për volumet e eksportuara u morën më pak vlera monetare se në vitin 2014. Tkurrja e aktivitetit të Bankers Petroleum ka dhënë ndikimin më të lartë. Sipas të dhënave nga kompania, xhiro e saj u përgjysmua në vitin 2015, si rrjedhojë e çmimeve më të ulëta të naftës. Në nëntor dhe pjesën e parë të dhjetorit kulmoi dhe konflikti Bankers-tatime, me këta të fundit që kërkonin pagesën e detyrimit prej 57 milionë dollarësh, pas një rivlerësimi të aktivitetit të vitit 2011. Bankers mbylli gjysmën e puseve dhe “kërcënoi” deri me ndërprerje të prodhimit. Konflikti më pas u zgjidh në pjesën e parë të dhjetorit, teksa kompania pranoi pagimin e detyrimit. Nëse Arbitrazhi do të vendosë në favor të Bankers, atëherë këto para do t’i kthehen mbrapsht kësaj kompanie.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” zinin 27% të totalit në fund të 2015-s, nga 34% një vit më parë. Për sa kohë që koniunktura e çmimeve ndërkombëtare mbetet e pafavorshme (nafta luhatet aktualisht në 30 dollarë për fuçi), në 2016-n nuk pritet ndonjë kthesë pozitive.
Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 5%, në gati 90 miliardë lekë për vitin 2015, duke u bërë grupi më i madh i eksportuar në vend, me 37% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse dhe energjia me 34% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë veten në gjysmën e dytë të vitit, pas rënies në muajt e parë të vitit, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë vitin e kaluar. Industria e tekstileve e këpucëve gjendet në udhëkryq, teksa kostot e punës në vend janë rritur nga rritja e taksave dhe energjisë, duke e bërë më pak konkurruese me koston e punës nga njëra anë dhe nga ana tjetër industria, sidomos ajo e tekstileve, ka mbetur e pazhvilluar, duke kryer vetëm disa cikle, çka e pengon të zgjerojë tregun përtej partnerit tradicional, që është Italia.
Rënie në krahasim me vitin 2014 shënuan edhe materialet e ndërtimit dhe metalet me rreth 5%. Ecuria negative e këtij grupi u përshpejtua në nëntor dhe dhjetor, duke shënuar një rënie përkatësisht me 22% dhe 32%. Kompania Kurum ka kaluar një periudhë të vështirë në muajt e fundit të vitit, duke ndikuar në performancën negative të këtij grupi.
Rënie pësuan edhe eksportet e grupit të drurit dhe të letrës me -9.2%, pas rritjes së fortë që ato kishin shënuar vitin e mëparshëm. Kompania Center Shqiptare, me qendër në Berat, që vitin e kaluar shënoi një lulëzim të eksporteve të çantave të letrës dhe kartonëve në vendet e BE-së, rezulton të ketë frenuar aktivitetin këtë vit, pas disa problemeve administrative me doganat.
Ecurinë më pozitive në 2015-n e kanë shënuar eksportet e “ushqime, pije dhe duhan”, të cilat u zgjeruan me 26%, për të arritur në 21 miliardë lekë në 2015-n. Në vlerë absolute, ky është grupi që ka pasur dhe rritjen më të madhe gjatë vitit që lamë pas. Pesha e “ushqime, pije e duhan” u rrit në 9%, nga 6% në 2014-n, duke u bërë grupi i katërt më i eksportuar në vend.
Grupi i makinerive dhe pajisjeve u rrit me 16.8%, i nxitur nga zhvillimi i fasonit industrial. Megjithatë, pas një rritjeje mbi 30% në pjesën e parë të vitit, ky grup është ngadalësuar ndjeshëm në muajt e fundit të vitit dhe ka filluar rënien. Në dhjetor eksportet e makinerive e pajisjeve ranë me 23% dhe kompanitë e këtij sektori nuk presin më ritme të larta rritjeje as në 2016-n.
Nevoja emergjente për diversifikim
Edhe pas gati tri dekadash, eksportet shqiptare nuk po dalin nga rrethi vicioz, ku i ka futur shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe krahut të lirë të punës, teksa ka munguar sofistikimi, investimet në teknologji që do të rrisnin vlerën e shtuar dhe diversifikimi sipas vendit të origjinës. Të gjitha këto i kanë lënë eksportet të varura nga zhvillimet e një grushti kompanish dhe nga kërkesa e fqinjit tonë, Italia.
Në krahasim edhe me vendet e tjera të rajonit (me përjashtim të Malit të Zi), Shqipëria ka pozicionimin më negativ, si në treguesin e eksporteve të mallrave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ashtu dhe në gjeografinë sipas shteteve. Me shitjet jashtë vendit, që janë sa 18% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pavarësisht përmirësimit në vite, Shqipëria renditet shumë më poshtë se Maqedonia, Serbia e Bosnjë-Hercegovina.
Në Indeksin e Konkurrueshmërisë të publikuar së fundmi nga Forumi Ekonomik Global, Shqipëria renditet e 72-a në botë në treguesin e eksporteve të të mirave dhe shërbimeve në raport me PBB-në, duke mbetur prapa të gjitha vendeve të rajonit.
Ndryshe nga Shqipëria, që lundron e pasigurt drejt shtetit përtej detit, të goditur nga kriza e borxheve (drejt Italisë shkuan 52% e totalit të eksporteve në 2015-n) fqinjët kanë gjetur një mburojë më të sigurt, Gjermaninë, që është motori ekonomik i Europës.
Në Maqedoni, Gjermania është partneri i parë për eksportet me rreth 30% të totalit, ndjekur nga Serbia me 14%, më pas renditen Bullgaria, Italia etj.
Gjermania është partneri i parë për eksportet edhe i Serbisë, me 11% të totalit, po të njëjtën peshë zënë dhe eksportet drejt Italisë, ndërsa Bosnja është partneri i tretë, me rreth 9%.
Edhe në Bosnjë, Gjermania dhe Italia kryesojnë listën e eksporteve, me 15% të totalit secila.
Gjermania është një ndër destinacionet kryesore të eksporteve edhe për Bullgarinë e Rumaninë, ndërsa përveç Shqipërisë nuk është në listën e pesë të parave as në Malin e Zi.
Megjithatë, duhet theksuar se këto vende kanë pasur lidhje të hershme biznesi e tregtie me Gjermaninë, që nga koha e ish-Jugosllavisë dhe e kanë më të zhvilluar edhe industrinë e rëndë. Në Shqipëri, Gjermania ishte partneri i tetë i eksporteve në vitin 2014, me 2.8% të totalit, nga vendi i katërt që zinte në 2005-n, me rreth 3.3% të totalit.
Fqinjët kanë avancuar dhe në sofistikimin e shumëllojshmërinë e produkteve që shesin, kryesisht në Europë. Në Serbi, kryesojnë produkte të tilla si automjetet, gomat, hekuri dhe çeliku, veshjet, gruri, frutat e zarzavatet, metalet, pajisjet elektrike, armët etj. Në Maqedoni mbizotërojnë produktet ushqimore, pijet, duhani, tekstilet, industria përpunuese, hekuri, çeliku, pjesët e automjeteve etj.
Në Shqipëri, shitja e pasurive natyrore ka dominuar në 2015-n. Produktet minerale (lëndët djegëse, xeherorët, gëlqere, çimento) përbënin gati 30% të totalit të eksporteve. Metalet bazë (bakri, nikeli, zinku, giza, çeliku), me një nivel relativisht të ulët përpunimi, zunë rreth 14% të totalit. Pesha e tyre ra në 2015-n, si rrjedhojë e rënies së çmimeve, duke lënë zbuluar eksportet në total, që ranë me rreth 5% vitin e kaluar.
Ndonëse pesha e këtyre produkteve, që kryesisht janë pasuri natyrore, në eksporte është e lartë, kontributi i tyre në ekonomi është minimal, sidomos në drejtim të të ardhurave buxhetore. Buxheti i shtetit siguron nga renta minerale rreth 100 milionë euro në vit, apo maksimumi 3-4% të të ardhurave totale, ndërsa të hyrat e tjera janë të papërfillshme, teksa shumë prej kompanive, të përfshira në industrinë me kapital intensiv (çka nënkupton se kërkojnë shuma të mëdha parash dhe burime të tjera financiare për të prodhuar një mall a shërbim, por jo shumë burime njerëzore) deklarojnë humbje, apo fitime minimale.
Tekstilet dhe këpucët janë një tjetër grup i rëndësishëm, që siguruan 37% të eksporteve në 2015-n, duke pasur si avantazh kryesor koston e lirë të punës. Gjithsesi, kjo industri e mbështetur në punën intensive ka qenë veçanërisht e rëndësishme për të punësuar një shtresë të varfër dhe të brishtë të shoqërisë.
Në total, shitja e pasurive natyrore dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore na sigurojnë rreth 80% të eksporteve.
Edhe lista e 100 eksportuesve më të mëdhenj, publikuar pak kohë më parë nga “Monitor”, ka nxjerrë qartë dobësinë strukturore të eksporteve shqiptare. Në listë ka pak kompani të mëdha për nga qarkullimi vjetor, mbizotërojnë sipërmarrjet e naftës që nxjerrin, përpunojnë, apo thjesht rieksportojnë karburant, nuk mungojnë ricikluesit. Nga kompanitë bujqësore ka vetëm tregtues të bimëve mjekësore (edhe këta që përdorin një burim shterues), por mungojnë industritë e mirëfillta përpunuese ushqimore, që nuk po arrijnë të çajnë jashtë vendit. Të shumta janë kompanitë prodhuese të çimentos, që lulëzuan në Shqipëri, pasi gjetën kritere më pak të rrepta për ndotjen e mjedisit dhe shfrytëzimin e lëndës së parë. Mbizotërojnë në numër sipërmarrjet e prodhimit të veshjeve të këmbëve, që mund të konsiderohet si industria që ka përparuar më shumë vitet e fundit, teksa ka arritur të mbyllë ciklin dhe të rrisë vlerën e shtuar.
—————
Për të qarë hallin
Në total, shitja e pasurive natyrore dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore na sigurojnë rreth 80% të eksporteve.
Mici: Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë rajonale për eksportet
Rritja e barrës fiskale është shndërruar në pengesën themelore edhe për sektorin e fasonit dhe sidomos për ciklin e mbyllur. Për rrjedhojë, sektori që kishte çuar në marshin e tretë rritjen eksporteve më 2014, duket se do të ulë dukshëm shpejtësinë këtë vit. Donika Mici nga Donianna Group, një nga kompanitë më të mëdha në vend të prodhimit të këpucës me cikël të mbyllur, tha se rritja e eksporteve këtë vit nuk do të jetë aq triumfuese sa vitet e shkuara. Sipas saj, shkak është bërë ambienti e brendshëm jo shumë konkurrues, sidomos për taksat.
Vendet e rajonit si Serbia, Maqedonia, Kroacia etj., aplikojnë taksa zero për industrinë e fasonit në zonat industriale, ndaj prodhimet shqiptare e kanë të pamundur të konkurrojnë me kostot e këtyre vendeve. Pas një eksperience pozitive me disa tregje në rajon, Mici tha se është në kërkim të vendeve më të largëta se fqinjët, të tilla si Rusia, Japonia etj.
Mici tha se me gjithë vështirësitë e krijuara, ajo pret të rrisë eksportet e këtij viti maksimumi në 10%. Por kjo rritje, sipas saj, do të jetë kontribut i përpjekjeve tërësisht personale. Tashmë ajo ka krijuar një përvojë të mirë në pjesëmarrjen në panairet ndërkombëtare, të cilat janë shumë të rëndësishme në gjetjen partnerëve të rinj dhe tregjeve të reja.
—————
Hoxha: 2016, me simptomat e mbijetesës, eksporti i fasonit zgjerim deri në 6%
Teksa Shqipëria duhet të ishte duke përjetuar bumin e rritjes së eksporteve për shkak të urisë që kanë tregjet europiane për kostot e ulëta të punës, prodhimet shqiptare të fasonit mezi sa po qëndrojnë në territor pozitiv. Flamur Hoxha, administrator i kompanisë KLER, një kompani e prodhimit të veshjeve me cikël të mbyllur, pohon se bizneset e fasonit këtë vit do të shfaqin të gjitha simptomat e një politike shtrënguese që është ndjekur ndaj tyre me rritjen e taksave, çmimit të energjisë dhe një konkurrencë rajonale gjithnjë e në rritje.
Në këtë situatë, rritja e eksporteve të fasonit, sipas Hoxhës, nuk do të jetë më shumë se 6% këtë vit. Por kjo rritje, sipas tij, mund të jetë një vlerë e shtuar për eksportet në tërësi, por nuk përmirëson aspak bilancin e kompanive të sektorit. “Unë sapo kam mbyllur bilancin e vitit 2015 me shpenzime të rritura më shumë se 50% në krahasim me vitin 2014, ndërsa ritmet e rritjes së eksporteve ishin më të ulëta se më 2014”, pohoi Hoxha.
Sipas tij, kjo ecuri është e vlefshme edhe për bizneset e tjera për shkak se frenimi i rritjes nga njëra anë dhe rritja e kostove nga ana tjetër thyen premisat për zgjerim në vitet e mëvonshme. Në këtë situatë thyhen të gjitha pritshmëritë për zhvillimin e ciklit të mbyllur, pa realizimin e të cilit nuk ka asnjë të ardhme. Hoxha tha se qeveria shqiptare, me politikat e saj sidomos në aspektin fiskal ka shkuar në drejtim krejt të kundërt me rajonin. Teksa barra fiskale është rritur me 50% në bizneset e sektorit, Hoxha tha se Maqedonia dhe Serbia janë bërë oazet e investitorëve europianë. Taksat e ulëta dhe funksionimi i zonave të lira në vendet fqinje po e ndikojnë Shqipërinë në disa drejtime, tha ai. E para, kërkesa për punë në Shqipëri nga gjigantët europianë të tekstilit sapo vjen e po zbehet për shkak të kondicioneve më mira që ofron rajoni dhe e dyta, kostot më të ulëta në rajon ushtrojnë presion për çmime më të ulëta në Shqipëri. Porositësit europianë po kërkojnë gjithnjë e më shumë çmime më të lira për punët në Shqipëri, duke bërë presion se mund të zhvendosen në vende të tjera të rajonit, për shkak të kostove më të lira.
Hoxha tha se, këtë vit ka edhe disa faktorë të tjerë që kanë cenuar klimën e biznesit edhe në sektorin e fasonit. Përkeqësimi i klimës së rendit publik dhe emigracioni ka shtuar pesimizmin te bizneset. Grumbullimi i punonjësve të kualifikuar është vështirësuar dukshëm.
Sektori i fasonit është ndikuar shumë nga kuotat e larta të emigracionit, pohoi Hoxha, duke shtuar se ky fenomen tipikisht social është kthyer në një faktor pengues për biznesin, si për largimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, dhe për ndikimin negativ në konsum nga ana tjetër.
Hoxha i kërkon qeverisë që të gjejë një mekanizëm nxitës dhe efikas për ekonominë, në vend të politikave dekurajuese të ndërmarra deri më tani. Rritja e taksave e aplikuar në dy vitet e fundit shihet se nuk ka ndikuar në përmirësimin e të ardhurave për arkën e shtetit, ndërsa bizneset, sidomos ato të fasonit, janë vënë në mbijetesë nga kjo rritje. Politika e rritjes së taksave u vërtetua se nuk ia arriti qëllimit, përveçse bëri ekonominë shqiptare jo konkurruese me rajonin.
Rritja e të ardhurave në buxhet duhet të vinte nga reduktimi i informalitetit tha Hoxha dhe jo nga rritja e ngarkesës fiskale për bizneset që gjerojnë punësim dhe rrisin eksportet.
Ai gjithashtu bëri thirrje për vënien në funksion të zonave të lira. Projektet e qeverisë shqiptare në këtë drejtim nuk po finalizohen, ndërsa fqinjët po tërheqin investitorët që fillimisht i drejtohen Shqipërisë, vetëm sepse ata kanë funksionale zonat e lira në të cilat bizneset për 7 vitet e para të aktivitetit nuk paguajnë taksa.
—————
Bankers shitet te kinezët e Geo-Jade Petroleum
Bankers Petroleum Ltd., kompania që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës ka bërë të ditur se ka hyrë në një marrëveshje definitive me Alberta Ltd. (blerësi) dhe Charter Power Investment Limited për blerjen e të gjitha aksioneve të Bankers (“Bankers Shares”) me një çmim cash prej 2.20 për aksion (Bankers Share). Blerësi dhe Charter Power janë degë të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”), një nga kompanitë më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës në Kinë. Marrëveshja e vlerëson Bankers në rreth 575 milionë dollarë kanadez (C$) përpara vlerësimit të borxheve të papaguara të Bankers. Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë.
Marrëveshja ka marrë miratimin unanim të Bordit të Drejtorëve të Bankers dhe të stafit menaxhues. Blerësi do të sjellë një fokus të konsiderueshëm investimi në portofolin e aseteve të Bankers.
Bankers ka zyra qendrore në Kalgari, Kanada, me zyra operative në Shqipëri, Hungari dhe Rumani.
David French, Presidenti dhe shefi ekzekutiv i Bankers komentoi: “Transaksioni i propozuar i jep Bankers mundësinë t’i kthejë vlerë aksionerëve tanë me një premium të konsiderueshëm ndaj vlerësimit aktual të tregut, ndërsa i ofron Bankers burime financiare shtesë për të përshpejtuar aktivitetin në Shqipëri dhe për të kapitalizuar potencialin e krijuar nga mjedisi aktual i çmimeve të produktit. Ky transaksion do të gjenerojë përfitime domethënëse ekonomike për Shqipërinë dhe komunitetin lokal, ku vepron Bankers.”
Blerësi
Geo-Jade është një nga kompanitë më të mëdha të pavarura të prodhimit dhe eksplorimit, e listuar në Bursën e Shangait, me një vlerë kapitalizimi të tregut më të madhe se 3.6 miliardë dollarë kanadez. Geo-Jade ka bërë investime të suksesshme nafte dhe gazi në mbarë botën dhe asetet e saj kryesore janë të vendosura në Azinë Qendrore, Amerikën e Veriut dhe Kinë.
Konflikti i Bankers me qeverinë shqiptare
Deri në fund të vitit 2014, Bankers ishte kompania më e madhe në Shqipëri, me një qarkullim vjetor prej rreth 67 miliardë lekësh. Xhiro e saj është përgjysmuar në vitin 2015, në 37 miliardë lekë, për shkak të rënies së çmimeve të naftës. Në fund të vitit 2015, Bankers u përfshi në një konflikt me qeverinë shqiptare, pasi Drejtoria e Tatimeve bazuar në një raport të AKBN (Autoritetit Kombëtar të Burimeve Natyrore) nuk i njohën Bankers 303 milionë dollarë shpenzime dhe e ngarkuan me një pagesë prej 57 milionë dollarësh tatim fitimi. Kompania ka filluar ta paguajë këtë shumë me këste mujore. Në shkurt 2016, pas negociatave të zhvilluara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore me Bankers Petroleum, u arrit marrëveshja për caktimin e një eksperti për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me raportin e auditit për vitin 2011. Bankers Petroleum është dakordësuar që të pezullojë procesin e arbitrazhit në të cilin kishte paditur shtetin shqiptar.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë bashkë me Bankers Petroleum kanë rënë dakord gjithashtu për nisjen e një procesi negociatash për amendimin e marrëveshjes hidrokarbure, me synim përmirësimin e termave financiare të marrëveshjes, duke korrigjuar problematikat e hasura deri më tani dhe përmirësuar procedurat për një kontroll më efikas të strukturave të shtetit.
AKBN: Kriza e çmimeve të naftës, të gjithë koncesionarët në shitje
Kriza e çmimeve të ulta të naftës në tregun ndërkombëtar poshtë nivelit 40 dollarë për fuçi rrezikon të transferojë pronësinë e të gjitha koncesionarëve të naftës në vendin tonë. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) Dael Dervishi tha se, për shkak të kostove të larta të nxjerrjes të naftës në Shqipëri çmimi nën 40 dollarë për fuçi i nxjerr kompanitë me humbje.
Duke qenë se përgjithësisht koncensionarët e naftës në Shqipëri përveç Shell nuk janë kompani me likuiditet të lartë, aktualisht të gjithë koncesionaret e tjerë janë në kërkim të një blerësi të ri, tha Dervishi.
Kompania Petromanas Energy inc në filmim të shkurtit shiti 75 për qind të aksioneve tek Shell Upstream Albania B.V. (“Shell”), një degë që është tërësisht në pronësi të Royal Dutch Shell plc, sipas të cilit Shell ka rënë dakord që të marrë asetet shqiptare të Petromanas për 45 milionë dollarë. Më parë Shell kishte 25% të aksioneve në aktivitetin në Shqipëri.
Në fillim të marsit Kompania turke e naftës, “Transatlantik Petroleum Ltd” njoftoi shitjen e operacioneve në Shqipëri tek “GBC Oil Company Ltd” Sipas njoftimit, shitja tek “GBC Oil” është bërë në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek banka “Raiffeisen” dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarëve detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. As në njoftimin e shitjes dhe as në internet nuk mund të gjenden të dhëna për blerësin, “GBC Oil Company”.
Dervishi pranoi se blerësit e Transatlantik Petroleum Ltd ishin një kompani e panjohur për autoritet shqiptare, po ai pohoi gjithashtu se nëse blerësi i ri nuk i qëndron marrëveshjes kontraktore me qeverinë shqiptare do ti pezullohet licencsa. “Blerësve të rinj të Transatlantik Petroleum Ltd u është lënë 90 ditë kohë që të plotësojnë detyrimet ndaj qeverisë shqiptare ndryshe u hiqet leja”- tha Dervishi.
Në territorin e Republikës së Shqipërisë veprojnë 5 kompani (Bankers Petroleum Albania Ltd ( e shitur); Sherwood international Petroleum Ltd; Transoilgroup sh.a; Transatlantic Albania-ish Stream Oil ( shitur); Phoenix Petroleum sh.a,) të cilat kanë nënshkruar Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol sh.a. Ndërkohë Royal Dutch Shell ka lejen për kërkim në zonën e Shpiragut, Berat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.