Ashtu siç pritej, rishikimi i buxhetit, më saktë shkurtimi i tij, rëndoi në bujqësi më tepër se në çdo sektor tjetër. Në total, buxheti i rishikuar është sa 95% e buxhetit fillestar, ndërkohë që buxheti i bujqësisë ka zbritur në 81% e buxhetit të parashikuar në fillim të vitit, me kalimin e ligjit në Kuvend. Ajo çfarë preket më shumë është segmenti i ujitje-kullimit, i cili prej vitesh po zë vendin kryesor në investimet për bujqësinë. Sipas të dhënave të vitit të kaluar, 64% e fondit të parashikuar për bujqësinë shkonte për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes.
Me rishikimet e fundit, vlera që parashikohet të investohet për përmirësimin e infrastrukturës së kullim-ujitjes është 1.9 miliardë lekë. Në fillim të këtij viti parashikohej të investoheshin 3 miliardë lekë në kullim-ujitje. Infrastruktura e kullimit dhe ujitjes u bë një prej sektorëve prioritarë të planeve të investimeve qeveritare, pas përmbytjeve të shënuara dy vitet e fundit në Ultësirën e Shkodrës dhe në fushën e Korçës.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, tkurrja e këtyre investimeve, rrezikon uljen e prodhimit bujqësor, për shkak të pasigurisë që mund të shfaqet në furnizimin me ujë në kohë të nevojshme. Por, efektet negative nuk ndalen deri këtu. Sipas tyre, ekziston rreziku i ndonjë tjetër përmbytje të zonave pjellore, pasi investimet e deritanishme nuk garantojnë tërësisht sigurinë. Me buxhetin e ndryshuar, ujitja dhe kullimi kanë zbritur në 71% të buxhetit të parashikuar në fillim të vitit. Zëri tjetër më i prekur është ai i zhvillimit rural dhe mbështetjes së prodhimit bujqësor. Fondi i rishikuar për këtë zbriti në 81% të fondit të parashikuar në fillim të vitit. Ulja i dedikohet tkurrjes së parashikuar për shpenzimet kapitale (investime).
Efekti: Kufizohet rritja e prodhimit
Të thuhet se tkurrja e buxhetit do të sjellë ulje të prodhimit, është e tepërt sipas ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë. Sipas tyre, fondi i parashikuar për sektorin e bujqësisë është më i lartë se vitin e kaluar, dhe po një vit më parë ai u reduktua krahasuar me buxhetin që parashikohej në fillim të vitit. Megjithatë, siç vlerësojnë ekspertët e ekonomisë, “është e sigurt që me tkurrjen e investimeve nuk do të pritet ajo rritje në bujqësi, që parashikohej në fillim të vitit”. Prof. dr. Bahri Musabelliu, dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, u shpreh pak para miratimit të ligjit se, “shkurtimi i fondeve për bujqësinë, do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kufizimin e zhvillimit bujqësor”. Sipas tij, ritmet e rritjes rrezikojnë të bien edhe për faktin se bujqësia ka zë shumë të ulët në buxhet. Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimet buxhetore në bujqësi nuk zënë as 0.5% të buxhetit të shtetit, ndërkohë që vazhdon të jetë një kontribuues i madh dhe i qëndrueshëm në PBB (vjet dha gati 18% të saj).
Kontributi i bujqësisë në PBB rrezikon të dobësohet po të shohim ecurinë e deritanishme të rritjes. Sektori i bujqësisë prej pesë vitesh ka një normë mesatare rritje 4% në vit, ndërsa norma mesatare e rritjes së ekonomisë është 6.5%, sipas të dhënave zyrtare. Në raportet e Bankës së Shqipërisë është vënë në dukje nevoja për rritjen e konkurrueshmërisë dhe nivelit të prodhimit bujqësor.
çfarë ndodhi me rishikimin e buxhetit
Buxheti i rishikuar në total është sa 95% e buxhetit fillestar.
Buxheti i bujqësisë është sa 81% e buxhetit fillestar.
Fondi i parashikuar për ujitje dhe kullim ka zbritur në 71% të buxhetit të parashikuar në fillim të vitit. Zhvillimi rural e mbështetja e prodhimit bujqësor zbret në 81%.
Investimet në infrastrukturën e kullim-ujitjes tkurren 36%.
Burimi: Ministria e Financave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.