Alarmi i OKB-së: Shqipëria në vitin 2100 me vetëm 1.7 milionë banorë; si do përmbyset piramida e moshës

26/04/2017 2:24 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Projeksionet globale mbi popullsinë nga viti 1950 deri në vitin 2100 tregojnë për një rënie drastike të popullsisë shqiptare, sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuar.

Në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB.

Përveç rrudhjes në numër shihet një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të popullsisë. Piramida e tregon se në këtë vit, rreth 546 mijë persona janë mbi 60 vjeç, teksa shihet së është ngushtuar dukshëm baza e piramidës, çka reflekton një nivel të ulët të numrit të lindjeve. Në vitin 2100, siç shihet edhe nga grafiku nr.3, numri i personave mbi 60 vjeç do të jetë më i madh se personat nën këtë moshë.

Një ndër shkaqet e përkeqësimit është emigracioni, ku sipas të njëjtit burim që nga viti 1990 ka emigruar 20% e popullsisë së vendit, shumica në Greqi dhe Itali.

Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë 65 vjeç e lart është rritur nga 5 në 11% ndërmjet viteve 1989 dhe 2011, për të arritur në 13% në 2016-n dhe 29% deri në 2060-n. E krahasuar me shtetet e tjera në botë, vendi ynë nuk ndodhet ende në zonën e “rrezikut të lartë” nga plakja e popullsisë, por po shkon me shpejtësi drejt saj.

Sipas shifrave të INSTAT për vendin tonë rezulton se dinamikat e jetës kanë sjellë një ulje të lindshmërisë në Shqipëri nga indeksi më i lartë në Europë, në nivelin aktual me 1.7 fëmijë për grua – nën nivelin e zëvendësimit.

Si pasojë, përbërja e popullsisë së Shqipërisë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore midis periudhave të censuseve të vitit 1979 dhe 2011, duke ulur numrin e të rinjve dhe fëmijëve nën moshën 15 vjeç nga 37% në vetëm 21% të popullsisë.

Kjo rënie do të jetë forca parësore e moshimit të popullsisë, një proces që ka filluar të ndihet në shoqërinë shqiptare. Për shkak të efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë në rritje, uljes së lindshmërisë dhe emigrimit në rritje të të rinjve, përqindja e të moshuarve në popullsi – 65 vjeç e lart – në periudhën 1989 deri në 2011, është rritur nga 5 në 11%.

Në vitin 2016, INSTAT konfirmoi se lindjet kishin pësuar rënien më të madhe vjetore. Kjo ishte rënia më e madhe e lindshmërisë, të paktën që nga viti 1990. Fenomeni i ka trembur demografët dhe sociologët, të cilët pohojnë se ky reagim i shoqërisë shqiptare, është një tregues i qartë i pesimizmit që po kalon ajo.

Demografët dhe psikologët konfirmojnë se rënia e lindjeve është ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit dhe situata e vështirë ekonomike që po kalojnë çiftet e reja. Mosangazhimi në tregun e punës i të rinjve është pengesa kryesore për fekondimin. Papunësia në Shqipëri aktualisht luhatet në nivelin 16%, por ndër të rinjtë, deri në 30 vjeç, është më shumë se 30%.

 

piramida e popullsise sipas grupmoshave

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz