Vendet e paprekura të detit, ato zona të oqeanit ku peshkaqenët e breshkat, delfinët dhe shkëmbinjtë koralorë mund të lulëzojnë, janë tashmë oaze gjithnjë e më të izoluara, të humbura në një ekosistem që dominohet nga aktivitetet njerëzore.
Hapësirat ku njeriu nuk ka lënë ende shenjë pranë brigjeve kontinentale janë zvogëluar në pak zona në Kili, Zelandë të Re dhe Australi. Duket se edhe Galapagos nuk kanë shpëtuar.
Për të gjetur një natyrë të paprekur duhet të shkojmë në mes të Paqësorit apo mes akujve antarktikë. Me përjashtim të Polit të Veriut, në Atlantikun e Veriut nuk ekziston asnjë vend në oqean që nuk ka lënë “shenjë” dora e njeriut.
Harta e vendeve që mund të cilësohen ende “të paprekura”, nga gjithë detet e tokës, është hartuar nga një ekip kërkuesish, nën koordinimin e Kendall Jones, të Wildlife Conservation Society. Prej publikimit të saj ka rënë alarmi. Vetëm 13% e të gjithë oqeaneve janë të paprekura: “Duhet të bëjmë diçka”- pasi janë zona në të cilat biodiversiteti ende mund të ruhet dhe duhet të mbrohet.
NDIKIMI I NJERIUT
Shkencëtarët analizuan të dhënat satelitore, nga anijet dhe nga raportet nga secili shtet, duke përfshirë edhe rrugën e anijeve. Ata evidentuan 15 faktorë që shkaktohen nga aktivitetet njerëzore (peshkimi, rrugët tregtare, ndotjen – edhe nga drita, si dhe faktorë që lidhen me ndryshimet klimatike). Ndër to, në krye është peshkimi, një ndër aktivitetet më të përhapura në të gjithë detet e botës – për shfrytëzimin e tepruar por edhe për përhapjen e materialeve mikroplastike.
Zonat të cilat ende ruajnë patentën si “të virgjëra” janë ato në të cilat ndikimi i këtyre faktorëve nuk e kapërcen 10%. Dhe për t’i gjetur duhet të arrini zonat më të largëta nga brigjet. Veçanërisht në Paqësorin Qendror dhe në një zonë të vogël të Atlantikut Jugor – të cilat nuk janë prekur nga ndryshimet klimatike. Duke përfshirë edhe këto variabla, zhdukja e vendeve “të virgjra” ka ndodhur tashmë.
“Ndikimi i ndryshimeve klimatike është i përhapur dhe i pakontrollueshëm në shkallë botërore” – shkruajnë kërkuesit e studimit të publikuar në Current Biology. Ndryshimet klimatike janë përjashtuar nga analiza e faktorëve individualë, por janë marrë në konsideratë në vlerësimin e përgjithshëm të ndikimit në det.
Në zonat pranë brigjeve, situata, siç mund të imagjinohet, është më alarmante. Mbi të gjitha për shfrytëzimin e burimeve të rezervateve të peshkut në rëndësi të Exclusive Economic Zones (EEZ). Peshkimi, në radhë të parë, dhe rrugët e anijeve tregtare. Për të mos folur për ndotjen nga plastika, e cila sot është shndërruar në një problem global.
Studimi specifikon se bëjnë përjashtim Polinezia dhe disa zona, përgjatë brigjeve të Amerikës së Jugut. Në veçanti në Kili (120.000 kilometra katrorë, 6% e EEZ të saj) dhe Argjentinë, Zelanda e Re (1,1 milionë kilometra katrorë, 25% e zonës së shfrytëzimit) dhe Australia (4,3% për 350.000 kilometra katrorë).
BIODIVERSITETI
Shkencëtarët kanë vlerësuar edhe se, krahasuar me vende ku ndihet më shumë ndikimi i njerëzve, zonat e paprekura janë më të pasura me specie, më shumë se 31%, dhe kanë 41% më shumë specie të rralla, me 200% që arrin kulmin në ishujt Solomon.
Një rol të rëndësishëm mendohet se e luajnë rezervat detare, zona të ndaluara për njerëzit dhe të mbrojtura. Megjithatë vetëm 4,9% e zonave të paprekura ndodhen brenda hapësirave të mbrojtura. Dhe, edhe kur kjo ndodh, nuk është garanci për suksesin. Mjafton të mendosh për Galapos, siç tregohet në hartë, nuk janë kursyer as ujërat rreth ishujve Darwin.
Apo shkëmbinjtë koralorë (ato në Australi në veçanti). Duke nisur nga ndryshimet klimatike – ngrohja globale është duke shkatërruar pjesën më të madhe të këtij ekosistemi që ka biidiversitetin më të larmishëm.
“Progresi në teknologji në lundrim do të thotë që edhe zonat më të largëta janë në rrezik në të ardhmen – nënvizon Jones – duke përfshirë edhe vendet që njëherë e një kohë ishin të mbuluar nga akujt dhe sot janë të arritshëm për shkak të ndryshimeve klimatike”.
Poli i Veriut, për shembull, sot është në rrezik për shkak të ngrohjes globale. Këtu peizazhi po ndryshon. Shkrirja e zonave të mëdha të akullit detar, që ndodh prej më shumë se një dekade, po hap rrugë të reja. Shfrytëzimi ekonomik dhe turistik i kësaj rruge duket se tashmë është në horizont.
Për këto arsye, studiuesit theksojnë se duhet të veprojmë menjëherë, për të mbrojtur oazet e fundit natyrore të oqeaneve dhe biodiversitetin e tyre.
Burimi: La Reppublica