Albania Leasing nis rrugëtimin

09/02/2015 4:03 PM 0 komente

Rritet konkurrenca në tregun e qirasë financiare. Kompania e fundit që nisi rrugëtimin është Albania Leasing, e cila vjen me synimin ambicioz për të mos u përqendruar vetëm në segmentin e makinave, por duke tentuar një shtrirje edhe në aktivitete të tjera si Bujqësia dhe Agropërpunimi. Fatmir Sulo, Drejtor i Përgjithshëm i Albania Leasing ka prezantuar strategjinë e zgjerimit dhe produktet e veçanta me të cilat do të konkurrojë në treg sipërmarrja e re

Tregu i qirasë financiare (leasing) është në rritje duke tentuar shërbime përtej shitjes së automjetëve. I fokusuar deri tani, në pjesën më të madhe tek mjetët e transportit, Leasing po shihet si mjet interesant financimi edhe për sektorin e bujqësisë, për biznesët me krizë likuiditeti dhe në sektorin e pronave. Albania Leasing, një ndër shoqëritë e reja në treg, e krijuar nga katër aksionerë, ky kryesore është Banka Kombëtare Tregtare, u prezantua së fundmi me një platfomë interesate. Fatmir Sulo, Drejtor i Përgjithshëm e Albania Leasing tha se, fitimi nuk është qëllim në vetvete por një mision për të krijuar ndikim në ekonomi. Në këtë aktivitet fitimi krijohet nëpërmjet përdorimit të asetit dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet “pronësisë” mbi këtë Aset.

 

Përse Leasing

“Procesi i financimit në këtë mënyrë është më fleksibël dhe i lehtë, i kuptueshëm, nuk kërkohen garanci shtesë dhe pagesat kryhen sipas aftësisë paguese”, shpjegon Sulo. Në këtë mënyrë fluksi i rrjedhjes së parasë (cash flow) i klientit është i parashikueshëm dhe i menaxhueshëm dhe mjetet nuk hyjnë në një proces likuidimi nga kreditorët. Gjithashtu nga ky lloj financimi nuk ka kosto të fshehura.

Financimi bëhet, në bazë të tregut në lekë, euro, dollarë, duke vendosur një minimum dhe një maksimum të arsyeshëm të normës së financimit. Gjithashtu ka edhe një periudhë “grace” 5 ditë për pagesat mujore. Penaliteti i pagesave me vonesë nuk i shtohet detyrimeve pasardhëse. Mbi penalitetin e faturuar tashmë, nuk aplikohet më “interes”. Në marrëveshje llogariten të ardhurat aktuale të klientit, shpenzimet operacionale të konsumit, mirëmbajtjes etj, përfitimet duke e zëvendësur me një mjet të ri (nëpërmjet kursimit të shpenzimeve) dhe aftësinë paguese, tha Sulo.

 

Vëmendje te bujqësia

Leasing ofrohet për të gjitha mjetet e transportit, autobuzë të linjave urbane dhe interurbane, kamionë, rimorkio, kamionë frigoriferikë, autobotë, autobuzë dhe minibuzë për sektorin e turizmit.

Albania Leasing është e vetmja kompani leasing me prioritet në fushën e financimeve në bujqësi. “Ne vlerësojmë shumë përpjekjet e tanishme të Qeverisë, projektet e zhvilluara prej tyre për t’i dhënë një shtysë më të madhe zhvillimit në bujqësi. Studimi i Ministrisë së Bujqësisë, ‘Mbi Rajonizimin e Produkteve Bujqësore’ është një ndihmë e madhe dhe për zhvillimin e produkteve financiare dhe Leasing-ut” tha Sulo. Ai shtoi se, Albania Leasing është e gatshme të punojë ngushtësisht me Ministrinë e Bujqësisë apo edhe institucione të tjera në varësi, si Agjencia Rajonale e Zhvillimit Rural (AZHBR) për të rritur prezencën e financimeve leasing në bujqësi. Nga Agro Leasing mund të përfitojnë familje fermerësh që zhvillojnë aktivitetin në bujqësi, biznese të vogla me aktivitet në fushën e Agro-Përpunimit.

Gjithashtu nga leasing mund të përfitojnë edhe bizneset, që ndodhen në vështirësi financiare dhe nuk kanë mundësi pagese, si për të paguar bankat apo për të investuar në makineri për rritjen e aktivitetit. Biznesit në vështirësi mund të shesin pronën tek Albania Leasing, me një vlerë të përcaktuar së bashku. Sula shpjegon si kryhet ky proces: Albania Leasing lidh një marrëveshje Leasing me Biznesin A për një afat shlyerje të caktuar dhe klienti qëndron në ambientin e vet dhe ushtron aktivitetin normalisht. Për me tepër klienti ruan të drejtën e përdorimit të Pronës dhe të drejtën e ri-blerjes së pronës”.

 

Zgjerohet tregu i leasing

Aktualisht institucionet që ushtrojnë veprimtarinë financiare të “qirasë financiare”, sipas Bankës së Shqipërisë janë: Raiffeisen Leasing sh.a., Tirana Leasing sh.a., Credins Leasing sh.a., Landeslease sh.a., Fin-al sh.p.k., Porsche Leasing sh.a dhe Abania Leasing. Dy të fundit janë aktorë të rinj në treg dhe e kanë marrë licencën përkatësisht në dhjetor 2013 (Porsche Leasing) dhe janar 2014 (Abania Leasing). Tregu i leasing ka parë zhvillime modeste vitet e fundit, për shkak të rënies së ndjeshme të importit të makinave të reja, që janë dhe objekti kryesor i saj, si dhe frenimit të investimeve të bizneseve që kanë ulur blerjet e makinerive e pajisjeve. Aktivet e subjekteve financiare jo banka që veprojnë në tregun e qirasë financiare në fund të vitit 2013 ishin 9.19 miliardë lekë, nga 10.49 miliardë lekë në dhjetor 2012, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.

 

Qiraja financiare

Qiraja Financiare (Leasing) përfaqëson një marrëdhënie konkraktuale, në të cilën qiradhënësi delegon të drejtën e përdorimit dhe zotërimit të makinës, mjetit ose pajisjes tek qiramarrësi me kërkesë të këtij të fundit, për një periudhe të caktuar kohe dhe kundrejt një pagese periodike në drejtim të Qiradhënësit, e cila quhet “kësti i qirasë financiare”. E drejta e pronësisë transferohet tek Qiramarresi pas pagesës së këstit të fundit të qirasë financiare.

Në këtë mënyrë të interesuarit mund të kenë në përdorim Automjete si: Autovetura, mjete të tjera tregtare, kamionë, autobuzë etj, makineri, pajisje, linja prodhimi, prona të patundshme, troje, toka bujqësore, kapanone biznesi, hotele, restorante, njësi tregtare, njësi rezidenciale, etj.

 

Aksionerët e Albania Leasing

-ICD: Korporata Islamike për zhvillimin e Sektorit, kompani private nga Arabia Saudite (pjesë e IDB)

-BKT: Banka më e madhe në Shqipëri, sjell në Shoqëri një eksperiencë të                                        jashtëzakonshme të tregut vendas

NB Balkan: Tetovë, Maqedoni, pjesë në një korporatë të madhe, e shtrirë në                                                      Europë dhe lindjen e Mesme

-Kolon Industries: Një nga grupet e fuqishme industriale dhe                                                 financiare në Korenë e Jugut.

 

Përparësitë e leasing

-Procesi i Financimit – fleksibël dhe i lehtë, i kuptueshëm

-Pa garanci shtesë

-Pagesat – sipas aftësisë paguese

-Cash Flow i klientit, i parashikueshëm dhe i menaxhueshëm

-Mjetet nuk hyjnë në një proces likuidimi nga kreditorët

 

Produktet e Albania Leasing

-AUTO LEASING- Autovetura Individuale; Autovetura për aktivitet tregtar; Mjete të lehta tregtare

-TRANSPORT LEASING- për të gjitha mjetet e transportit: Autobuzë të Linjave Urbane; Autobuzë të Linjave Interurbane; Kamionë për Transport Kombëtar dhe Nderkombëtar; Rimorkjo; Kamionë Frigoriferikë; Autobotë; Autobuzë dhe Minibuzë për sektorin e turizmit

-EQUIPMENT LEASING- Linja të prodhimit industrial; Makineri Printimi; Makineri Ndërtimi; Pajisje e Makineri në fushën e Shërbimeve; Pajisje Mjekësore dhe Dentare; Pajisje IT

-AGRO LEASING- Familje fermerësh që zhvillojnë aktivitetin në Bujqësi; Biznese të vogla me aktivitet në fushën e Agro-Përpunimit; Biznese të Mesme dhe të Mëdha me projekte në fushën e Bujqësisë dhe Agro-Përpunimit

 

– REAL ESTATE LEASING- Prona për Qëllime Tregtare si: Njësi Tregëtare, Hotele, Qendra Tregtare, Toka për zhvillime tregtare, Zhvillim Projektesh për Pasuri të Patundshme, Etj

 

-ZGJIDHJE PËR SIPËRMARRJET NË VËSHTIRËSI- Biznesit në vështirësi mund të shesin pronën tek Albania Leasing, me një vlerë të përcaktuar së bashku

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of