SUV në shitje brenda fundvitit 2016?
Fillimisht kishim vendosur të mos përfshijmë SUV-in e shumëpritur Alfa Romeo ndër lajmet kryesore të vitit 2016. Jo për shkak se i mungon dinjiteti, por sepse, në pritje të një përditësimi të planit të prodhimit, i cili duhet të shpallet së shpejti, dyshimet se takimi i modelit Alfa SUV me publikun – që pritet në fund të vitit 2016 – do të respektojë afatet janë të shumta. Megjithatë, disa burime të mirë informuara thonë se modeli i ri do të jetë i përpiktë në kohë. Parashikohet debutimi në Sallonin e Parisit dhe dalja në treg gjatë fundit të këtij viti e fillimit të vitit tjetër. Nëse do të jetë kështu apo jo, do ta shohim së shpejti. Për sa i përket pamjes, për të cilën ne kemi bërë një rindërtim thjesht tregues, nuk ka asnjë informacion. Nuk është e qartë nëse do të konfirmohet ideja e pjesës ballore me drita të ndara, të parashikuara fillimisht dhe të përdorura tashmë tek Jeep Cherokee. Projekti i Alfa Romeos me rrota të larta nuk është risi e kohëve të fundit: flitet prej vitesh që SUV-i do të prezantohej njëkohësisht me Cherokee. Pra, që përpara tre vitesh. Më pas u vërejt një rimendim i strategjisë së markës dhe vendimi për t’u përqëndruar në një platformë të re me traksion në rrotat e pasme, nga ku lindi Giulia, mbi bazën e së cilës do të zhvillohet e gjithë gama, duke përfshirë edhe SUV-in. Me pak fjalë, lamtumirë marrëdhënieve me Jeep. Marka amerikane është duke dhënë konsulencën e saj për zhvillimin e traksionit integral, por asgjë më shumë. Në këtë pikë, modeli italian mund të prezantohet si një crossover, më i përshtatshëm për asfaltin sesa për offroad, një SUV me performancë të lartë, siç e meriton Alfa Romeo, por pa hyrë në territorin e Maserati Levante. Traksioni do të jetë në rrotat e pasme ose integral, me kambio manuale ose automatike. Përsa i përket motorit, përveç atij me katër cilindra me benzinë dhe naftë, si dhe motorit V6 me benzinë të përdorur tek Giulia, do të ofrohet edhe motori 3.0 V6 diesel i prodhuar nga VM Motori, që përdoret tashmë tek Maserati Ghibli (250 dhe 275 kf). Brenda pritet një panel qendror me dizajn të kthjellët dhe shumë pak butona, falë mundësisë së rregullimit të funksioneve të bordit nëpërmjet mouse-it dhe rrotullave, njësoj si tek Giulia. Konfigurimi i kabinës do t’i afrohet më shumë një veture sportive me lartësi më të madhe sesa një fuoristrade.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.