Kompania kineze e tregtisë online, Alibaba, po shqyrton hapjen e një qendre logjistike në Serbi, deklaroi këtë javë, Tatjana Matic, nga Ministria e Tregtisë.
Alibaba po e sheh me shumë interes gjetjen e një partneri strategjik në Serbi, me qëllim hapjen e një qendre logjistike njësoj si qendra e shpërndarjes për BE-në me seli në Frankfurt të Gjermanisë, tha më tej znj. Matic gjatë deklaratës për shtyp.
Një qendër e tillë logjistike do të ndihmonte në shpërndarjen e produkteve serbe në tregjet ndërkombëtare.
Edhe më parë gjatë këtij viti ka pasur njoftime në media se Alibaba po mendonte për hapjen e një qendre shpërndarjeje në qytetin bregdetar të Zadarit. Në të njëjtën kohë, qeveria bullgare tha se grupi Alibaba planifikon të investojë edhe për hapjen e një qendre logjistike në Bullgari.
Bizneset e Grupit Alibaba përfshijnë degën kryesore, e-commerce, mediat dixhitale dhe ato sociale, nismat e ndryshme inovative e shumë të tjera. Në vitin 2014, kompania mbylli marrëveshjen më të madhe të Ofertës Publike Fillestare në Bursën e Nju Jorkut prej 25 miliardë dollarësh (21.3 miliardë euro).