Nga Euromax te Carrefour: Një histori e gjatë shitblerjesh, që ka në qendër grupin Balfin. Gara e pakicës për një treg prej 1.2 miliardë euro. Pse po dështojnë të huajt në këtë treg ….
Almark shpk është emri i kompanisë që të shfaqet në krye të faturës gjatë një blerjeje në rrjetin e supermarketeve Carrefour. Kompania është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) në datën 3 prill 2015 dhe është 100% në pronësi të grupit të njohur shqiptar Balfin. Almark po menaxhon aktualisht Carrefour, teksa CMB Albania, që deri deri tani kishte në pronësi rrjetin e shitjes me pakicë, ka pohuar zyrtarisht se aktiviteti i shitjeve me pakicë nuk do të jetë më pjesë e portofolit të biznesit të saj në Shqipëri (kompania ka ndryshuar emrin në Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit). Burime të afërta me çështjen bënë të ditura se CMB Albania ka kontratë ekskulzive me Greqinë për të importuar tashmë mallra me shumicë. Gjithsesi, marrëveshja pritet të finalizohet me detaje këtë javë.
Grupi Balfin po e merr Carrefour në një moment tepër të vështirë të aktivitetit të saj. Kompania ka akumuluar borxhe të mëdha ndaj furnitorëve, të cilat gjithsesi po i shlyen me shpejtësi javët e fundit. Burime të afërta me çështjen pohuan për Monitor se deri në fund të javës së kaluar CMB kishte shlyer 80% të detyrimeve ndaj furnitorëve dhe pjesa e mbetur do të paguhet në ditët në vazhdim. Disa furnitorë të kontaktuar nga Monitor pohojnë se ata kanë nënshkruar kontrata apo janë në negociata për mënyrën e shlyerjes së detyrimit (që në pjesën më të madhe po bëhet me këste) dhe rezultojnë të kënaqur me këtë zgjidhje, pavarësisht se kanë pranuar një humbje (përgjithësisht po shlyhet deri në 75% të detyrimit).
Negociatat
Saktësimi i situatës së borxheve është në qendër të diskutimeve mes dy operatorëve. CMB Albania pritet të qëndrojë në Shqipëri si operator me shumicë, për të shlyer një pjesë të madhe të detyrimeve që Almark nuk e ka marrë përsipër. Burimet garantojnë që furnitorët vendas do marrin paratë. Këtë e ka pohuar zyrtarisht edhe CMB Albania.
Nga Euromax te Carrefour: Një histori e gjatë shitblerjesh
Biznesmeni Samir Mane, aksioneri kryesor i grupit Balfin, njihet si njeriu që revolucionarizoi tregtinë me pakicë në Shqipëri, kur në vitin 2005 krijoi hipermarketin Euromax në Qendrën Tregtare Univers (QTU), që më pas u zgjerua në një zinxhir supermarketesh në rrethet kryesore të vendit.
Në maj të vitit 2008, z. Mane konfirmoi se kishte nënshkruar kontratën për shitjen e operatorit Euromax, ku blerësi ishte një kompani holandeze Weakstead bv dhe kompania shumëkombëshe me qendër në Serbi, Delta, që kanë një aktivitet shumë të madh në rajon. Vlera zyrtare e shitjes ishte 29 milionë euro. Në momentin që Euromax u shit, kishte krijuar një rrjet prej 14 njësish dhe një xhiro prej rreth 24 milionë eurosh në 2007-n.
Në vitin 2011, Euromax kaloi nën pronësinë e grupit belg Delhaize, pasi kjo e fundit bleu shoqërinë Delta. Në vitin 2012, Euromax regjistroi një qarkullim vjetor prej 38 milionë eurosh, sipas deklarimeve në tatime dhe humbje prej rreth 2.2 milionë eurosh.
Në fillim të vitit 2013, grupi Balfin ribleu Euromax nga belgia Delhaize, pasi kjo e fundit vendosi të largohej nga Shqipëria. Presidenti i Balfin, Samir Mane, “paralajmëroi” në atë kohë se kishte në plan ta rishiste Euromax-in, sigurisht me një çmim më të lartë se ai me të cilin e bleu nga belgët.
Dhe vetëm dy muaj më pas (në mars 2013), Balfin finalizoi shitjen e plotë të aksioneve të rrjetit të supermarketeve Euromax (23 supermarkete) te grupi Marinopulos (CMB Balkans), i cili deri atëherë ishte i pranishëm në Shqipëri vetëm nëpërmjet supermarketit Carrefour në qendrën tregtare TEG. Vlera e transaksionit nuk u bë publike.
Përmes blerjes së këtij rrjeti supermarketesh Carrefour synonte të zgjeronte me shpejtësi prezencën e tij në Shqipëri, pasi në atë kohë operonte vetëm me një hipermarket në qendrën tregtare Tirana East Gate.
Pakica: Në garë për 1.2 miliardë euro
Tregu i shitjeve me pakicë në Shqipëri vlerësohet nga INSTAT në rreth 850 milionë euro, sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve, por problemi kryesor vazhdon të mbetet informaliteti, për shkak se dyqanet e vogla nuk lëshojnë kuponë tatimorë dhe nuk deklarojnë xhirot reale. Nëse në treg do të llogariteshin edhe shitjet e dyqaneve të vogla që shesin pa fatura tregu, vlerësohet se ai xhiron rreth 1.2-1.3 milionë euro, ose rreth 40% më shumë se shifrat zyrtare.
Llogaritjet e studiuesve të tregut tregojnë se pjesa e shitjes me pakicë në rrjetet e organizuara mbetet e ulët në rreth 7-10% të totalit të tregut dhe se konkurrencës së fortë mes rrjeteve të supermarketeve të huaja si Conad, Carrefour dhe atyre vendase si Big Market dhe Eco Market i kundërvihet një shkallë e lartë informaliteti e dyqaneve të vogla.
Big Market është aktualisht operatori më i madh i rrjetit të organizuar të supermarketeve, me një qarkullim vjetor prej rreth 2.5 miliardë lekë në 2013-n dhe vlerësohet se ka rreth 2% të tregut në total.
Conad është operatori i dytë, me një qarkullim vjetor prej rreth 2.4 miliardë lekë në 2013-n, me një rritje të lartë vjetore për shkak të hapjes së hipermarketit në City Park, pas ikjes së Mercator në fund të 2012-s.
Carrefour mbetet ndër më të mëdhenjtë në tregun e shitjeve me pakicë, me xhiro 1.63 miliardë lekë.
Ndërkohë që Eco Market, një tjetër brand me pronësi shqiptare, po rritet shpejt në treg dhe ka marrë disa përqindje të tregut nga dalja e Mercator. Kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 1.12 miliardë lekësh në 2013-n.
Burimi: Bilancet e dorëzuara në QKR. Për Big Market xhiro e përafërt, bazuar në qarkullimin vjetore të supermarketeve kryesore të saj (kompania deklaron bilance të ndara për rreth 50 njësitë e saj)
Pse po “dështojnë” të huajt?!
Në ngritjen e zhvillimit të zinxhirëve të tregtisë me pakicë duket se vendasit po i mundin të huajt, me gjithë emrin dhe strategjitë e zhvilluara ndërkombëtare që ata mund të përdorin. Historia e shkurtër shqiptare e tregtisë me pakicë të organizuar ka shënuar raste të shumta të largimit të kompanive të huaja, nga grupi Delhaize, te Mercator e tani Carrefour. I vetmi që po reziston është rrjeti i supermarketeve Conad, që ka ecur duke segmentuar shtresën e mesme dhe duke shfrytëzuar njohuritë dhe preferencat e shqiptarëve për produktet italiane.
Ndryshe nga zinxhirët e huaj, Big Market dhe Eco Market kanë arritur të rrisin peshën e tyre në treg vitet e fundit, duke shfrytëzuar dhe dobësitë e konkurrentëve të huaj.
Menaxherët e retail thonë se në tregtinë me pakicë po ecin mirë kompanitë që kanë zgjedhur ta menaxhojnë biznesin me shqiptarë. Vendasit e njohin shumë më mirë psikologjinë dhe mënyrën e sjelljes së konsumatorëve, sidomos kur bëhet fjalë për artikuj të konsumit bazë. Këtu ata kanë një avantazh edhe në përzgjedhjen e gamës së produkteve ushqimore, sepse ndryshe është menyja e ngrënies së shqiptarëve, ndryshe e të huajve.
Biznesi i pakicës së organizuar vlerësohet si mjaft i vështirë nga operatorët, që kërkon shumë punë dhe ka marzhe të ulëta fitimi, ndërkohë që konkurrenca si rrjedhojë e informalitetit (dyqanet e vogla që punojnë pa fatura) është e lartë, duke zbehur potencialet e tregut që mbetet ende i nënzhvilluar.
Rasti Mercator
Më 31 dhjetor 2012, hipermarketi dhe marketet e tjera ekspres të zinxhir slloven Mercator mbyllën dyert në Shqipëri, pas një eksperimenti që zgjati vetëm tre vjet. Kompania hyri fillimisht në treg me strategjinë e “zgjedhja më e mirë”, me çmime relativisht të larta, por u detyrua më pas të ulë çmimet, për shkak se konsumatorët shqiptarë nuk ishin të gatshëm të paguanin shtrenjtë për produktet e panjohura sllovene, ndryshe nga Conad, i cili ka ecur në tregun shqiptar me çmime të larta, duke shfrytëzuar njohuritë dhe preferencat e shqiptarëve për produktet italiane. Mercator, që prej hyrjes së tij në treg, nuk arriti ta zgjerojë aktivitetin, përballë konkurrencës nga operatorët kryesorë, Euromax, Conad e më pas Carrefour. Sipas të dhënave të siguruara nga “Monitor” (bazuar në raportin vjetor të kompanisë Mercator dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve), xhiroja vjetore e saj për vitin 2011 rezultoi 5.4 milionë euro, nga 5 milionë euro në 2010-n, në krahasim me një qarkullim vjetor prej 21.7 milionë eurosh të Euromax dhe 13.5 milionë euro të Conad.
Ekspertë të afërt me kompaninë, pohojnë se Mercator krijoi detyrime të mëdha, për shkak se të ardhurat nga shitjet u përdorën për investimet e infrastrukturës (raftet, apo brandimi i dyqaneve), duke e lënë kompaninë pa likuiditetin e nevojshëm për të paguar detyrimet e tjera.
Të prirë drejt çmimeve të lira, shqiptarët preferojnë të sakrifikojnë në cilësinë e mallrave dhe shërbimeve, dhe kjo është edhe më fortë në kushtet e krizës ekonomike kur fuqia blerëse është ulur.
Ekspertët e tregut pohojnë se në tregtinë me pakicë, gjithnjë duhet të operohet duke pasur parasysh klientin me të cilin ke të bësh, në rastin e Shqipërisë sipas tij, konsumatori ndjek çmimet e ulëta. Tendenca është të blihen artikuj me çmim të lirë dhe sasi më të madhe, megjithëse cilësia mund të jetë më e ulët.
CMB Albania ndryshon emrin nw Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit
CMB Albania, kompania që kishte deri tani në pronësi rrjetin e shitjes me pakicë, Carrefour ka bërë të ditur në një njoftim për shtyp se ka ndryshuar emrin në Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit dhe se do të përqendrojë aktivitetin e saj në biznesin e shitjeve me shumicë. Aktiviteti i shitjeve me pakicë nuk do të jetë më pjesë e portofolit të biznesit të saj në Shqipëri. Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit do të furnizojë tregun Shqiptar me produkte ushqimore dhe industriale.
Gjatë kësaj periudhe, Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit ka shlyer dhe do vijojë të shlyejë të gjitha detyrimet ndaj të gjithë furnitorëve vendas në Shqipëri. Detyrimet për pjesën më të madhe të furnitorëve tashmë janë shlyer, ndërkohë që po ndiqet me shumë vëmendje e përkushtim ky proces në mënyrë që të zgjidhet përfundimisht në një kohë shumë të shkurtër.
“Gjithashtu duam të bëjmë me dije se Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit (njohur më parë si CMB Albania) do të vijojë me prezencën e saj në Shqipëri duke i mbetur besnike klientëve shqiptare dhe duke u ofruar atyre produktet më cilësore në treg”, thuhet në njoftim.
Carrefour – lëvizjet në QKR
-regjistruar në QKR në 24/03/2011, me aksioner CM Balkans BV
-20/02/2014 – Kalimi i 100% të kuotave të Euromax te CM Balkans
-04/03/2014 – Shitja e 5% të kuotave të kapitalit nga shoqëria CM Balkans BV në favor të shoqërisë Balfin
-01/04/2015 – Transferimi me anë të shitjes i 5% të kuotave të kapitalit nga shoqëria Balfin sh.p.k. në favor të CM Balkans BV
-17/04/2015 – Depozitim i Urdhrave, “Për Vënien e Sekuestros Konservative”, lëshuar nga shoqëria përmbarimore “Studio Përmbarimore L.D.C”, drejtuar QKR, ku është urdhëruar: Vendosja e masës sekuestro konservative mbi aktivet e subjektit shoqëria CMB Albania
-20/04/2015- Ndryshimi i emrit të shoqërisë: Emri i Subjektit ishte (CMB Albania) u bë (Qendra e Distribucionit Ushqimor)
Ornela Liperi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.