ALUIZNI: 2.3 miliardë lekë për tokat e zënë nga ndërtimet pa leje

08/02/2016 9:43 AM 0 komente

Pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje do të kompensohen në masën 57% të vlerës së truallit. Fondi i grumbulluar deri tani dhe i vënë në dispozicion të pronarëve arrin në 2.3 miliardë lekë. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale bën të ditur se të ardhurat që janë përfituar nga pagesa e truallit ku është ndërtuar pa leje, shuma 2.3 miliardë lekë, do të shkojnë për kompensimin e pronarëve legjitimë të cilëve iu është zënë trualli.

Sipas ligjit në fuqi, të ardhurat e arkëtuara nga kalimi i së drejtës së pronësisë të parcelës ndërtimore ndahen: 70 për qind në fondin e kompensimit të pronave, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 10 239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, dhe 30 për qind në Buxhetin e Shtetit, për përballimin e shpenzimeve të tarifës së shërbimit, për evidentimin në terren dhe përgatitjen e dokumentacionit për legalizimin e ndërtimeve pa leje me funksion banimi. Fondi që grumbullohet nga ALUIZNI i kalon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin e pronarëve, ndërsa personat që kanë ndërtuar pa leje përfitojnë pronësinë mbi truallin. Sipas ligjit në fuqi, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objektit pa leje bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil.

Sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit, dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi, jo më shumë se 500 m². Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat, për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin, nëpërmjet një kërkese me shkrim. Këshilli i Ministrave miraton listën e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat ngarkon ALUIZNI-n të lidhë kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë.

ÇMIMI I SHITJES

Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion socialekonomik është ai i përcaktuar në bazë të vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Funksioni i ndërtimit pa leje përcaktohet sipas evidentimit në terren nga institucioni që kryen këto procedura. Pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.

Vlera e parcelës ndërtimore që i shitet poseduesit të ndërtimit pa leje paguhet menjëherë në momentin e njoftimit me shkrim nga ALUIZNI, duke përfituar reduktim të vlerës. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, kur subjekti është në kushtet e paaftësisë paguese, Këshilli i Ministrave, në varësi të rasteve të deklaruara, përcakton mënyrat alternative dhe procedurat për shlyerjen e vlerës së parcelës. Sipas ligjit, çmimi favorizues i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi dhe të përzier (socialekonomik dhe banimi), kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje të pagesës, përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit, rregullat e hollësishme për mënyrën dhe llogaritjen e afateve të pagimit e reduktimin e pagesës së vlerës së parcelës ndërtimore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

/ BALKANWEB

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz