AMA: Po hartojmë platformë të përbashkët kundër piraterisë televizive

23/10/2018 4:22 PM 0 komente

Prononcim i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA)

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) pohon se nuk mund të identifikojë të dhënat lidhur me numrin e përdoruesve të platformave, që ofrojnë shërbime audiovizive kur nuk janë të regjistruara në Shqipëri si vend origjine.

Megjithatë, burime zyrtare të AMA-s pohuan se po përgatisin një platformë bashkëpunimi me institucione të ndryshme, përfshirë dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në kuadër të luftës kundër piraterisë televizive.

Sipas AMA-s, ku në fokus janë transmetimet e paautorizuara nëpërmjet internetit, konkretisht prej rrjeteve IPTV dhe sidomos platformave që shpërndajnë sinjalin e medias direkt përmes internetit (OTT).

A i monitoroni ju operatorët që ofrojnë shërbime audiovizive në internet dhe a ka të dhëna se sa është numri i përdoruesve të këtyre platformave në Shqipëri? Po sa u përket kompanive të huaja të shërbimit, që veprojnë indirekt në Shqipëri përmes internetit, si p.sh., streaming video (apo content TV) bastet online (p.sh., Paytv, NetFlix, apo Amazon Prime)?

AMA, konform parashikimeve të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, është autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimeve audio dhe audiovizive dhe shërbimeve të tjera mbështetëse në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për rrjedhojë, AMA kontrollon zbatimin e këtij ligji nga subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën objekt të këtij ligji dhe monitoron tërësinë e programeve të transmetuara nga Ofruesit e Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA) që licencohen në Republikën e Shqipërisë.

Platformat ku operojnë këto subjekte janë:
-Rrjetet tokësore
-Rrjetet satelitore
-Rrjetet kabllore CaTV
-Platformat IPTV
-Platformat OTT
-Internet TV

Platformat teknologjike dixhitale që ju referoni për efekt studimi, ofrojnë shërbime audiovizive që mbështeten në internet dhe përcillen përmes protokollit IP në një rrjet të hapur dhe nuk administrohen direkt nga ofruesi i shërbimit, por janë të identifikueshëm përmes lidhjes së marrëdhënies kontraktuale (OTT);

Për sa i përket OSHMA-ve OTT të licencuar në Republikën e Shqipërisë, numri i abonentëve përdorues mund të identifikohet vetëm në momentin e tarifimit të këtyre subjekteve nga AMA, pasi në bazë të vendimit nr. 220, datë 01.12.2017 “Mbi përcaktimin e pagesave për licencë/autorizim dhe shërbimet që kryhen nga Autoriteti i Mediave Audiovizive”, ky tarifim bëhet në bazë të numrit të abonentëve që subjekti dhe në rastin kur ky informacion nuk depozitohet pranë AMA-s, atëherë ndaj subjektit aplikohet tarifa maksimale, që i korrespondon fashës me numrin maksimal të abonentëve.

Për subjektet e mësipërme, të dhënat lidhur me numrin e përdoruesve të këtyre platformave, kur nuk janë të regjistruara në Shqipëri si vend origjine, AMA nuk mund t’i identifikojë. I vetmi rast kur këto të dhëna bëhen të identifikueshme është kur subjekti në fjalë autorizohet për të vepruar në Republikën e Shqipërisë.

A keni në plan të bashkëpunoni me Tatimet dhe AKEP, në mënyrë që këta operatorë të “legalizohen” dhe të futen në skemën e deklarimit të TVSH dhe të ardhurave, ashtu siç ndodh me vendet e tjera të zhvilluara, ose përndryshe të bllokohen?

AMA aktualisht ka një draft-marrëveshje bashkëpunimi me DPTT sa i përket shkëmbimit të informacionit të ndërsjellë institucional për vlerësimet dhe rekomandimet për çështjet që lidhen me pagesën e detyrimeve financiare ndaj Buxhetit të Shtetit dhe pagesën e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të OSHMA-ve të licencuar/autorizuar nga AMA në Republikën e Shqipërisë. Ky shkëmbim informacioni ka si qëllim që AMA në veprimtaritë e saj mbikëqyrëse dhe rregulluese të subjekteve të licencuar prej saj, të garantojë respektimin e detyrimeve ligjore mbi pagesën e sigurimeve shoqërore dhe detyrimeve të tjera konform legjislacionit tatimor në fuqi.

Sa i takon AKEP, AMA bashkëpunon në kuadër të zgjidhjes së interferencave që lindin nga transmetimet audiovizive. Aktualisht AMA po përgatit një platformë bashkëpunimi me institucione të ndryshme, përfshirë dhe AKEP, në kuadër të luftës kundër piraterisë televizive, ku në fokus janë transmetimet e paautorizuara nëpërmjet internetit, konkretisht prej rrjeteve IPTV dhe sidomos OTT. Në këtë nismë parashikohet bashkëpunim i ngushtë me AKEP, Policinë e Shtetit dhe instancat përkatëse të luftës kundër krimit kibernetik, si dhe Prokurorinë, për evidentimin e transmetimeve audiovizive të paautorizuara, marrjen e masave përkatëse sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi. Ndërkohë janë parashikuar dhe propozime për ndryshime në kuadrin ligjor sa i përket rritjes së efikasitetit në luftën kundër piraterisë televizive.
Është për t’u theksuar se, subjektet që referoni për qëllim studimi, klasifikohen edhe si subjekte të legjislacionit mbi e-commerce dhe referuar Nenit 5/1 të ligjit, nr. Nr.10 128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike” parashikohet se:

“Ofrimi i shërbimeve të shoqërisë së informacionit, nga një ofrues shërbimi, i themeluar në një vend anëtar i Bashkimit Europian, për arsye që i përkasin fushës së rregullimit të koordinuar, nuk kufizohet në Republikën e Shqipërisë.”
Në dritën e këtij neni, rregullimi i tyre kur nuk kufizohet në një shtet të caktuar, jo detyrimisht i bën të klasifikohen si subjekte automatikisht të jashtëligjshme për veprimtarinë e ushtruar në një shtet tjetër. Me po të njëjtën logjikë mund të interpretohet se edhe në rastet kur ofruesi i shërbimit është themeluar në Republikën e Shqipërisë, ofrimi i shërbimeve të shoqërisë së informacionit nuk duhet të kufizohet në vendet e tjera.
Kjo është një rezervë që duhet të mbahet parasysh pasi kuadri ligjor rregullator për këtë fushë të së drejtës rezulton të jetë i ndryshëm në Shtetet në të cilin këto subjekte veprojnë.

Le të ndalemi në një shembull të thjeshtë lidhur me shoqërinë NETFLIX. Nga një hulumtim i Cullen International, me synim ofrimin e një pasqyre nëse platforma të llojit video on demand (VOD) / (OTT) si Netflix, janë apo jo subjekt i një takse që synon financimin e krijimit kombëtar të filmit / audiovizual, rezultonte se:

Nga mbulimi i NETFLIX në nëntë vende anëtare të BE-së (Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Spanja, Suedia dhe Britania e Madhe) dhe në shtatë vendeve në Amerikë (Argjentinë, Brazil, Kili, Kolumbi, Meksikë, Kanada dhe SHBA ), brenda BE, fondet e filmit dhe taksat shoqëruese mbulohen nga legjislacioni i shteteve anëtare, por midis vendeve të mbuluara nga kjo pikëpamje, vihej re se Gjermania dhe Franca e kishin futur tashmë një taksë të veçantë për platformat VOD / OTT si Netflix dhe se ofruesit jokombëtarë ishin gjithashtu të detyruar të kontribuonin financiarisht.

Në Amerikë, Brazil, mblidhej një taksë nga shërbimet e tipit Netflix, për të financuar prodhimin kombëtar të përmbajtjes audiovizive, ndërsa vendet e tjera objekt i këtij hulumtimi të Cullen nuk e aplikonin këtë taksë.

A ka pengesa ligjore për të trajtuar këta operatorë dhe çfarë masash propozoni ju që të ndërmerren dhe çfarë planesh konkrete ka?

Në të njëjtat kushte me operatorët që ju përmendni, OSHMA të licencuara në Republikën e Shqipërisë, ofrojnë gjithashtu shërbim audioviziv në vende të ndryshme të botës nëpërmjet platformës OTT, siç është rasti i operatorit TIBO.

Në këtë rast nuk kemi informacion të plotë mbi detyrimet tatimore ose rregullimin e veprimtarisë së këtij operatori, pasi vende të ndryshme, ose nuk kanë caktuar parashikime të tilla ose kanë përqasje specifike për shërbime audiovizive të licencuara në vende të tjera.

Po kështu, edhe në Europë kjo është një çështje e cila mbetet e paravijëzuar plotësisht, duke qenë se këto shërbime përbëjnë një nga risitë e fundit në teknologjinë e transmetimeve televizive. Taksimi i ekonomisë dixhitale në përgjithësi nuk ka qenë i lehtë, pasi kryerja e shërbimit nëpërmjet internetit kufizon aftësinë e shtetit për të identifikuar tatimin ndaj këtij ofruesi. Në këtë pikë, shtetet kanë mungesë të aftësisë administrative për të ekzekutuar pretendimet tatimore jashtë kufijve të tyre të juridiksionit.

Një nga mënyrat që sugjerohet për zgjidhjen e këtij problemi kompleks është harmonizimi i rregullave, por sërish sfida e zbatimit të një normative të unifikuar paraqet vështirësi, pasi shpesh ofruesit e këtyre shërbimeve janë jashtë Europës. Ajo çka rezulton të preferohet më shumë është përcaktimi i juridiksionit dhe zbatimi i rregullave të vendit të origjinës së këtyre subjekteve. Gjithsesi, nga ndryshimet fiskale në Bashkimin Europian, vihet re se ka një tentativë për rritjen e taksave për blerjet e përmbajtjeve dixhitale, nga ku llogaritja do të përcaktohet në bazë të zonës ku konsumatorët jetojnë dhe jo nga zona ku kompania ka selinë e saj.


[3] https://www.guidafisco.it/web-tax-europa-cos-e-come-funziona-tassa-europea-3-fatturato-2050

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of