Amazon nuk është i vetmi kërcënues i zyrave postare

12/05/2018 10:04 PM 0 komente

Mund të jetë e vështirë të imagjinohet një botë pa shërbime të lira postare, por 200 vjet më parë dërgimi i postës konsiderohej luks. Dërgimi i një letre nga Londra në Edinburg kushtonte thuajse sa një pagë mesatare ditore. Në 1840, pas një propozimi nga shkencëtari Rowland Hill, Britania hapi Penny Post, shërbimin e parë postar në botë, shkruan The Economist.

Zyrës postare shtetërore iu dha një monopol i postës në këmbim të dërgimit të letrave në çdo adresë në vend me të njëjtën vlerë. Më pas ulja e pagesave për këtë shërbim e bëri atë edhe më popullor dhe shkëmbimi i informacioneve të ndryshme që u mundësuan nëpërmjet tij nxitën rritjen ekonomike. Por financat e kësaj skeme ishin të diskutueshme. Kostoja e ulët e shërbimit gjeneroi fitime dhe qeveria prezantoi në atë kohë tatimin mbi të ardhurat për të mbushur boshllëqet fiskale. Por kjo nuk e ndaloi përhapjen e këtij shërbimi universal në të gjithë botën e pasur gjatë shekullit të ardhshëm. Në kulmin e industrisë, zyrat postare në mbarë botën dërguan gati 350 miliardë artikuj në 2007. Por gjatë dekadës së fundit, ky model është kërcënuar jo vetëm nga vëllimi i letrave në rënie, por veçanërisht nga gjigantët e tregtisë online.

Si rezultat i një situatë të tillë, shërbimi postar në Amerikë është vënë sërish në diskutim. Muajin e kaluar, Presidenti Donald Trump ngriti një grup pune për të shqyrtuar financat e Shërbimit Postar Shtetëror të Shteteve të Bashkuara (USPS). Po gjatë asaj periudhe, ai sulmoi në Twitter, gjigantin e tregtisë online, Amazon, duke e konsideruar këtë të fundit si shkaktarin kryesor të humbjes së shumave të mëdha të parave, duke i përvetësuar një pjesë të madhe të dërgesave të saj. Analistët mendojnë se një pretendim i tillë është i dyshimtë sepse mospëlqimi i z. Trump ndaj Amazon dhe shefit të saj, Jeff Bezos, i cili gjithashtu zotëron Washington Post, është i njohur tashmë.

Por Shërbimi Postar Shtetëror i SHBA-së është në vështirësi financiare serioze. Që nga viti 2008, të ardhurat kanë rënë me 35% në terma realë dhe viti i fundit që ky shërbim ka dalë me fitim ka qenë në 2006. Edhe zyrat postare në vende të tjera të botës së pasur janë përballur me të njëjtat probleme themelore, por janë ende të suksesshme financiarisht. Sipas Brody Buhler nga Accenture, një firmë konsulence, gjatë dekadës së fundit, vëllimet e letrave kanë rënë në një normë prej 3% deri në 5% në vit në të gjithë botën e zhvilluar.

Disa prej shkaktarëve kryesorë të kësaj rënieje të madhe kanë qenë deklaratat bankare dhe pagesat që shkojnë për faturat e shërbimeve online, duke bërë që letrat personale dhe kartolinat e urimeve të dalin jashtë mode. Reklamimi dixhital në smartphone ka shënuar rritje dhe shërbimet qeveritare online mund të shkaktojnë ulje të kërkesës për letra të klasit të parë edhe në periudhën në vazhdim. Ndërsa për sa u përket dërgesave të pakove në periudhën 2014-’16, vëllimi i tyre në botë u rrit me 48%, citon Pitney Bowes nga një firmë teknologjike. Por ndryshe nga letrat, shumica e zyrave postare nuk kanë një monopol në dërgimin e pakove, ndaj vështirësitë janë më të mëdha. Makineritë e nevojshme për paketimin e pakove kërkojnë investimeve më të mëdha sesa dërgimi i letrave.

Por një nga betejat më të mëdha që këto zyra postare po përballen në dërgesën e pakove janë edhe startup-et që merren me shpërndarjen e tyre. Investitorët po investojnë shuma të mëdha parash në ekonomitë e firmave që përdorin korrierë të vetëpunësuar dhe me kosto më të ulët. Sipas BCG-së, investimi në firma të tilla u rrit nga 200 milionë dollarë në afërsisht 4 miliardë dollarë në periudhën 2014-‘16. Nga ana tjetër, zyrat postare, duke marrë përsipër shpenzimet e larta të punës dhe rrjetet e kushtueshme të qendrave të përzgjedhjes, luftojnë nga dita në ditë me një konkurrencë të tillë. Por ama nuk mund të thuhet me bindje se korrierët e firmave të tilla mund të arrijnë t’i mbijetojnë tregut në një periudhë afatgjatë. Muajin e kaluar, dy startup-e amerikane, Uber RUSH, një shërbim në pronësi të Uber, dhe Shyp, u mbyllën për shkak të mungesës së kërkesës.

Publiciteti i keq në lidhje me kushtet e punës është duke i detyruar kompani të tjera, si DPD e Britanisë për shembull, që të përfshijnë në kontratat e këtyre punëtorëve një numër të caktuar pushimesh dhe pagesat për të gjithë ata që janë në gjendje të keqe shëndetësore. Shtrëngimi i tregjeve të punës mund ta vështirësojë gjetjen e korrierëve me kosto të ulët për të konkurruar me shërbimet postare. Prandaj edhe gjigantët e tregtisë elektronike mund të ndihen shumë të kërcënuar. Rreziku më i madh nuk është se zyrat postare operojnë me çmime shumë të lira për shërbimet që ato ofrojnë, siç edhe pretendon z. Trump.

Fakti është se ato po humbasin një numër të madh të klientëve. Amazon e ka mundur tashmë Royal Mail të Britanisë së Madhe duke filluar të merret vetëm me shpërndarjen e produkteve të veta. Por kërcënimi më i madh nga të gjitha mund të vijë nga rivalja kineze e Amazon, Alibaba, e cila po investon 15 miliardë dollarë në krahun e saj të djathtë, kompaninë Cainiao që merret me shpërndarjen e produkteve të saj dhe që ka deklaruar se do të zgjerohet edhe përtej Kinës. Duke u marrë vetë me procesin e shpërndarjes së produkteve që ofrojnë, këta gjigantë të tregtisë online i reduktojnë në maksimum kostot e fitimit të zyrave postare.

Katër nga pesë firmat më të mëdha postare në botë, Posta e Singaporit, Posta e Italisë, Posta e Belgjikës dhe Posta e Austrisë, edhe pse janë të gjitha në pronësi private po përballen me rivalë të ndryshëm. Royal Mail, e cila u privatizua më parë gjatë kësaj dekade, po përdor korrierët me kosto të ulët për të shpërndarë pako dhe po investon në startup të ndryshme për të përmirësuar shërbimet e saj, shprehet Daniel Roeska nga Bernstein, një firmë kërkimore.

Posta tradicionale

Amazon ëndërron që të përdorë dronët në dërgimin e letrave të ndryshme, por një shërbim i tillë mund të kërkojë vite derisa të fitojë miratimin rregullator. Pavarësisht rivalëve të rinj që po lindin nga dita në ditë, detyrimet e vazhdueshme rregullatore të shërbimit postar botëror, u japin ende avantazh të madh zyrave postare. Edhe pse Royal Mail ka dhjetëra konkurrentë të fuqishëm, ajo zotëron ende pothuajse të gjithë biznesin e shpërndarjes së letrave derë më derë. E njëjta gjë vlen edhe për shtetet e tjera të BE-së ndaj konkurrentëve të tyre. Firmat postare mund të mbijetojnë dhe të lulëzojnë edhe më shumë, nëse do të jenë të përgatitura për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të tyre.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz