Me verën që sapo ka ardhur, shumë njerëz dëshirojnë që të dalin sa më shpejt nga puna dhe të kalojnë më shumë kohë jashtë.
Po çfarë do të ndodhte nëse do të kombinohej puna me natyrën?
Është diçka që qytete dhe kompani të ndryshme janë duke u përpjekur ta bëjnë, duke krijuar hapësira të hapura, në të cilat punonjësit mund t’i kthehen natyrës, me gjithë kushtet moderne të një ambienti pune si për shembull interneti wireless, priza elektrike dhe tryeza pune.
“Jo të gjitha punët bëhen mirë në një tryezë në një zyrë klasike, – thotë Jerry Tate, arkitekt dhe partner me kompaninë Tate Harmer në Londër. Ndonjëherë është më mirë të flasësh në tavolinë mbledhjesh, apo në një bar – nuk ka asnjë arsye pse këto dy gjëra të mos bëhen bashkë”.
Në qershor të vitit 2015, Tate në bashkëpunim me artistin Natalie Jeremijenko, krijuan TREExOFFICE, një hapësirë e hapur zyre rreth një peme në parkun Hoxton Square, në Londër. Vetëm tetë persona mund ta përdornin atë në të njëjtën kohë, por vetëm dy persona mund të përdornin kapacitetin e saj. Këtë vit ajo nuk do të hapet në Hoxton Square, por mund të çelet në Chelsea, – thotë Tate.
Ndërkohë që projekti u krijua për të mbledhur fonde për këtë ambient të hapur, kompanitë janë detyruar të paguajnë taksa për të prenotuar hapësirën. Ky projekt po ashtu ka si synim për të rritur produktivitetin e punonjësve.
Shumë studime tregojnë se të jesh i rrethuar nga natyra – ku herë pas here të hedhësh sytë tek pemët apo në bar – i bën punonjësit më efektivë.
Në një raport të Human Spaces thuhet se ambientet e punës që përfshijnë elemente natyrore si gjelbërimi dhe drita e diellit, janë 6 për qind më shumë produktive dhe 15 për qind më kreative për punonjësit se ambientet që nuk kanë të tilla elemente.
“Disa studime tregojnë se njerëzit që punojnë në një ambient të hapur janë më të relaksuar, ritmi i tyre kardiak ngadalësohet dhe bëhen më shumë kreativë” – thotë Tate
Këtë muaj, Outbox, një ambient i hapur në Silver Springs në Maryland (SHBA) u rihap për muajt e verës. Outbox u krijua vitin e kaluar nga një agjenci imobiliare, Peterson Companies. Ashtu si TREExOFFICE, ka gjithë elementet që përbëjnë një ambient zyre, si WIFI, priza, hapësira të tjera për bashkëpunim etj.
“Është gjithnjë e mbushur” – thotë Laurie Yankowski nga kompania Peterson.
“Njerëzit duan të dalin nga zyra dhe të largohen prej saj për të marrë ajër. Ne jemi duke u dhënë atyre një hapësirë alternative për të punuar dhe për të bashkëpunuar”.
Natyrisht, puna jashtë ka sfidat e saj – një eksperiment i fundit në Zelandën e Re tregon dobësitë e krijimit të një ambienti të tillë në mëshirë të natyrës – era dhe shiu mund të ndikojnë në procesin e punës. Muajin e kaluar, Grahan Nelson, bashkëthemelues i Manifold Coworking and Event Space, në New Plymouth, në Zelandë të Re, krijoi një hapësirë të hapur me rastin e Ditës Kombëtare të Bashkëpunimit.
Për fat të keq shiu dhe era – të cilat nuk janë shpërqendrimet tipike në një ambient të mbyllur – ndikuan tek disa nga punonjësit. Megjithatë rreth 16 persona punuan aty për gjatë gjithë ditës.
“Pavarësisht motit, ne do ta hapin këtë hapësirë gjatë kësaj vere”.
Zhurma është një tjetër problem i madh për Outbox, e cila ndodhet në një hapësirë urbane, rrethuar nga dyqane dhe restorante. “Outbox është për njerëzit që kërkojnë ide”, – thotë Yankowski.
Ndërkohë që trendi i hapësirave në natyrë është relativisht i ri, kompani si Spotify dhe Google kanë krijuar ambiente në natyrë, me tavolina dhe karrige të rehatshme.
Tate mendon se gjithnjë e më shumë kompani do t’u drejtohen këtyre hapësirave në të ardhmen, ndërkohë me teknologjinë që avancon çdo ditë mund të punosh kudo që të jesh.
Një numër në rritje kompanish janë në kërkim të mënyrave të reja që punonjësit e tyre të jenë kreativë, të lumtur dhe të shëndetshëm.
Tate thotë se “shumë njerëz pyesin veten se si mund të jenë në kontakt me natyrën dhe të nxisin kreativitetin”.
*Bryan Borzykowski
Burimi: BBC