Ata njihen si shokët e Çimit, pas tre spoteve rradhazi që kanë prodhuar për kompaninë e telefonisë së lëvizshme AMC. Me notat e humorit dhe kontrastet në fizionomi të personazheve të saj, kjo nismë reklamuese ka arritur të kenë ndikim të lartë në rrjetet sociale, – duke ndezur diskutime të shumta, – por edhe në publikun e gjerë.
Por si lindi ideja për të përdorur këto personazhe?
“Kemi patur shumë rrahje mendimesh në lidhje me mënyrën e komunikimit të shërbimeve 3G në treg, me qëllimin për të përçuar në publik mesazhe të thjeshta në lidhje me çfarë ata përfitojnë realisht: shpejtësinë e lartë të internetit 3G – si dhe mënyrën e përdorimit të tij nëpërmjet produkteve të ofruara nga AMC”, pohojnë burime nga AMC për Monitor.al.
“Për ne kishte rëndësi frymëzimi nga dukuri reale, të tashme apo të kaluara: personazhe shqiptare në një mjedis të përditshëm, por natyrisht në një situatë satirike. Po kështu, secila reklamë, përveç historisë humoristike, sjell një produkt dhe ofertë të re për përdorimin e internetit: protagonistët shfrytëzojnë rrjetin më të shpejtë 3G në celularin e tyre; në tablet-in AMC Z9 , si edhe një netbook të lidhur me AMC Connect Card.
Ideja e skenarit dhe realizimi i reklamës, është kryer nga Ogilvy Albania, agjencia me të cilën AMC punon prej rreth 4 vitesh.
Personazhet, veçanërisht dy djemtë, kanë ndihmuar shumë gjatë realizimit. Ata i shtuan skenarit personalitetin dhe stilin e vet individual të të folurit dhe të aktrimit. Suksesi i reklamave është pa diskutim edhe kontribut i tyre, vlerësojnë burimet e AMC. Aktorët u zgjodhën me një audicion të zakonshëm dhe vetëm njëri prej tyre (shoku i Çimit) kishte përvojë televizive, si protagonist në një prodhim të një prej televizioneve më të mëdha në Shqipëri.
Për drejtuesit e AMC, humori bën efekt në reklamë sepse na pëlqen të gjithëve. “Realizimi i një reklame me shtëpi të bukura, modele apo aktorë është i lehtë. Megjithatë ajo mbetet veç një gjë e bukur për syrin, si nje katalog që të pëlqen kur e shfleton por që nuk ka lidhje reale me ty. Situata nga jeta e vërtetë, njerëz të zakonshëm dhe sensi i humorit e bëjnë interesant komunikimin dhe çdokush mund të gjejë diçka nga vetja apo shoqëria”.
Efekti i reklamës
-Fansat e AMC në Facebook janë shtuar me ritme marramendëse, plot 20 000, që kur u transmetua spoti i parë i kësaj serie.
-Në Youtube e kanë parë 57 336 vetë.
-2630 persona deri tani i kanë bërë like.
-Reklama u bë 848 herë share në Facebook dhe iu bënë 894 komente.