Amerika kundër Kinës

30/03/2018 10:04 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Beteja për supremacinë dixhitale. Hegjemonia teknologjike e Amerikës po kërcënohet nga Kina

 

“I projektuar nga Apple në Kaliforni dhe i montuar në Kinë”. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, këto kanë qenë fjalët e gdhendura në pjesën e pasme të iPhone-ve, të cilat kanë shërbyer si prova për marrëveshjen teknologjike midis dy ekonomive më të mëdha të botës. Amerika furnizon trurin, kurse Kina, muskujt, shkruan The Economist.

Por, jo më. Gjigantët e teknologjisë botërore të Kinës, Alibaba dhe Tencent, kanë vlera tregu që kanë arritur deri në 500 miliardë dollarë, duke konkurruar fort dhe duke u kthyer në rivalët më të frikshëm të Facebook-ut. Kina ka tregun më të madh të blerjeve online. Pajisjet e saj po eksportohen në mbarë botën. Ajo ka superkompjuterin më të shpejtë. Kina është duke ndërtuar qendrën kërkimore kuantike më të madhe në botë. Sistemi i saj i ardhshëm satelitor i navigimit do të konkurrojë me GPS-in e Amerikës deri në vitin 2020.

Kjo situatë normalisht që do të shkaktonte tronditje për Amerikën. Ka nisur një proces, i cili pritet që të arrijë në përfundimin se vjedhja e pronësisë intelektuale nga Kina, u ka kushtuar kompanive amerikane rreth 1 trilion dollarë amerikanë. Në fillim të këtij viti, Kongresi prezantoi një projektligj, i cili i ndalonte qeverisë që të bashkëpunonte me dy firmat e telekomunikacioneve kineze, Huawei dhe ZTE. Eric Schmidt, ish-drejtuesi i Alphabet, prej kohësh ka bërë publik shqetësimin se Kina do t’ia kalojë Amerikës në drejtim të Inteligjencës Artificiale deri në vitin 2025.

Javën e kaluar, Presidenti Donald Trump befas bllokoi blerjen prej 142 miliardë dollarësh të Qualcomm (një prej kompanive më të suksesshme amerikane që merret me krijimin e procesorëve), nga Broadcom, një kompani rivale me qendër në Singapor, duke e justifikuar këtë lëvizje si një prej masave të ndërmarra në kuadër të sigurisë kombëtare kundrejt avancimit të Kinës në teknologjinë 5G, një prej teknologjive më të reja të lëvizshme. Kohët e fundit, madje, Presidenti amerikan, shpeshherë ka vënë në dukje një sfidë të mirëfilltë ndërmjet këtyre dy shteteve, por nuk po reagon ashtu siç duhet, sepse rritja teknologjike e Kinës kërkon mbi të gjitha një përgjigje strategjike dhe të mirëmenduar dhe jo një përgjigje të nxituar.

Për të kuptuar se cila duhet të jetë strategjia e Amerikës, fillimisht duhet të përcaktohet se ku qëndron problemi. Është krejtësisht e natyrshme për një ekonomi kontinentale dhe me rritje të shpejtë dhe me një kulturë të kërkimit shkencor, që të gëzojë një rilindje teknologjike.

Kina ka tashmë një prej grupeve më të mëdha të shkencëtarëve të Inteligjencës Artificiale. Ajo ka mbi 800 milionë përdorues interneti, më shumë se çdo shtet tjetër, që do të thotë se ka në dispozicion edhe më shumë të dhëna mbi të cilat ajo mund ta zhvillojë Inteligjencën Artificiale. Një numër i madh njerëzish do të përfitojnë nga avantazhet teknologjike që do të vijnë, ndër të cilët edhe shumë amerikanë.

Fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë ta kenë nën kontroll zhvillimin e Kinës, që ato vetë të mos e humbin vendin që kanë në industrinë e Inteligjencës Artificiale, është sikur t’i japësh botës një recetë me përbërës të varfër dhe të paqëndrueshëm, e cila mund të shkaktonte një reagim të fortë, aq sa të shkaktonte edhe fillimin e një lufte të re teknologjike. Megjithatë, një gjë është që një vendi të dominojë televizionet dhe lodrat dhe një gjë krejt tjetër, të dominojë teknologjitë bazë të informacionit.

Ato janë baza për prodhimin, rrjetëzimin dhe fuqinë destruktive të sistemeve të avancuara të armëve. Përgjithësisht, shpeshherë ato u nënshtrohen efekteve të skajshme të rrjetit, në të cilat fituesi është ai që vendos një pozicion të pakundërshtueshëm në secilin treg.
Kjo nënkupton se një vend mund të shtypet nga teknologjitë e reja të rivalëve të huaj, të cilat kanë edhe mbështetjen e shtetit. Në rastin e Kinës, këta rivalë i përgjigjen një regjimi shtypës autoritar, që gjithnjë e më shumë e konsideron veten si një alternativë ndaj demokracisë liberale, veçanërisht në pjesën e saj të Azisë.

Kina vazhdimisht këmbëngul se dëshiron një botë sa më të favorshme. Amerika nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta shohë teknologjinë kineze si shkaktarin kryesor të një fundi të padëshirueshëm. Por gjëja më e rëndësishme në këtë situatë është reagimi i saj, gjë për të cilën ajo duhet të kthejë kohën pas dhe të kujtojë suksesin që ka pasur në vitet 1950 dhe 1960.

Programet e qeverisë synonin të tejkalonin Bashkimin Sovjetik në sistemet hapësinore dhe zhvillimit të armëve, investimet në sistemin e arsimit, në fushën e kërkimeve, inxhinierisë dhe në një gamë të gjerë të teknologjive.
Këto janë edhe disa nga arsyet të cilat e fuqizuan Silicon Valley, ku ato u shoqëruan nga një konkurrencë e fortë dhe një nxitje e shëndetshme kapitaliste për të fituar para. Ajo u forcua edhe më shumë nga një sistem emigracioni që mirëpriti disa nga mendjet më të ndritura nga çdo skaj i planetit. Gjashtëdhjetë vjet pas Sputnikut, Amerika ka nevojë për të njëjtën ndërthurje të investimeve publike me ato private në realizimin e një projekti kombëtar.

Pjesa tjetër e përgjigjes ka të bëjë me përditësimin dhe rritjen e masave mbrojtëse të sigurisë kombëtare ndaj realiteteve kërcënuese të mundshme si rasti i Kinës. Detyra e Komisionit mbi Investimet e Huaja në SHBA (CFIUS), një organ i ngarkuar kryesisht me shqyrtimin e marrëveshjeve që ndikojnë në sigurinë kombëtare, duhet të zgjerohet, në mënyrë që investimet e pakicave në Inteligjencën Artificiale të mund të shqyrtohen.
Britania, për shembull, ka gjetur një mënyrë origjinale për t’i dhënë fund disa prej shqetësimeve të saj që lidhen me Kinën, duke përdorur një qendër vlerësimi të specializuar për të zbuluar çdo detaj të hardware dhe software të sistemeve që Huawei përdor për rrjetin telefonik.

Por z. Trump nuk është absolutisht dakord me ndjekjen e kësaj strategjie. Vendimi i papritur për t’i dhënë fund marrëveshjes me Broadcom, thekson edhe një herë frikën e Amerikës për t’u treguar e kujdesshme në mbrojtjen e sigurisë së saj ndaj çdo faktori që mund ta kërcënonte atë, sepse edhe vetë Broadcom, tek e fundit, nuk është kineze. Justifikimi i Amerikës për prishjen e marrëveshjes me Broadcom, ishte se do t’i kushtojë rëndësi më të madhe Qualcomm se industrisë së Kërkim dhe Zhvillimit. Kjo lëvizje e ka lejuar Kinën që të marrë një rol kryesues në vendosjen e standardeve.

Z. Trump ka refuzuar edhe një plan për tarifat mbi Kinën për të kompensuar transferimin e forcuar të teknologjisë, por vetëm për shkak se shumat ishin shumë të vogla. Por nëse Amerika do të vendoste taksa mbi elektronikën e konsumatorit kinez, ajo nuk do të bënte gjë tjetër veçse të dëmtonte prosperitetin e saj, duke mos bërë asgjë në mbrojtje të sigurisë kombëtare. Por një sulm agresiv ndaj Kinës do të shkaktonte edhe përkeqësimin e marrëdhënieve të dy prej ekonomive më të mëdha të botës.

Qasja e z. Trump në këtë drejtim është konsideruar si një lëvizje “për të mbytur” Kinën dhe jo për të përmirësuar perspektivat e Amerikës. Pikërisht ky është një prej dizavantazheve më të mëdha të Amerikës me Trump-in në krye.
Ai e ka bërë edhe më të vështirë mundësinë që emigrantët e kualifikuar të marrin viza për të hyrë në SHBA. Ai dhe disa nga anëtarët e partisë së tij i shohin me përbuzje kërkimet dhe studimet shkencore, veçanërisht studimet shkencore që paralajmërojnë kërcënimin ndaj ndryshimeve klimatike. Kjo justifikon edhe shkurtimet e buxhetit të shtetit për këtë industri. Amerika ka të drejtë të shqetësohet për teknologjinë kineze. Por Amerikës nuk i lejohet që të humbasë pikë, pikërisht në ato gjëra në të cilat ajo ka qenë e suksesshme në të kaluarën.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of