Kompania amerikane prodhimit të airbegave për makinat, CapCon, pasi dështoi në Shqipëri për të gjetur krahun e kualifikuar të punës, zgjodhi Maqedoninë. Prej këtij viti kompania ka investuar 18 milionë euro dhe ka hapur 400 vende të reja pune atje.
Grupet e interesit në Shqipëri shpjeguan për Monitor se, amerikanët fillimisht kanë shfaqur interes për tregun shqiptar nisur nga aksesi më i shpejtë dhe kosto më e ulët e transportit për në Europë.
Por përpjekjet e saj kanë dështuar pasi nuk kanë mundur të gjejnë fuqinë punëtore të kualifikuar për nevojat e prodhimit që ato kishin.
Maqedonia fqinjë me “Know How” të admirueshme të trashëguar nga industria e makinave të ish Jugosllavisë, ka plotësuar kërkesat e kompanisë amerikane CapCon.
Fabrika do të prodhojë pjesë për airbags për t’u eksportuar në tregun evropian. Prodhimi sapo ka filluar.
“CapCon zgjodhi Shkupin për të ndërtuar linjën e saj të prodhimit për Europën. Ne gjithashtu kemi në plan të zgjerojmë aktivitetet tona këtu “, ka thënë El-Haj, Drejtori i kompanisë CapCon.
Autoritetet maqedonase thane se, amerikanët e CapCon ishin tërhequr fillimisht nga kostot e investimeve të ulëta, taksat e ulta si dhe fuqia punëtore e aftë.
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Financave Zoran Stavreski theksoi se kompania CapCon ka shtuar Maqedoninë në hartën e qendrave të prodhimit të vendosura në mbarë botën në vende të tilla si SHBA, Kina, Meksika, Italia, Gjermania, Tunizia, Brazili dhe Indonezia.
Por, nuk është investimi i parë që Shqipëria po humb nga konkurrenca rajonale, markat e mëdha Itali po zgjedhin Maqedoninë e Serbinë.
Shqipëria po lë të ikin investitorë të mëdhenj, duke humbur garën rajonale për investimet e huaja, pavarësisht pozicionit të saj më të favorshëm gjeografik, burimeve të pasura natyrore e forcës së lirë e të kualifikuar punëtore.
Kompanitë e mëdha Italiane, si Ferrero Rosher, Geox dhe Benetton kanë zgjedhur Serbinë për transferimin e stabilimenteve të prodhimit. Serbia ka incentiva të admirueshme për investitorët. Qeveria e Serbisë e ka subvencionuar Geox me 11,2 milionë euro (9 mijë euro për një vend pune, sipas mediave të huaja), duke mbuluar gati gjysmën e vlerës së investimit prej 23 milionë eurosh. Toka u ofrua nga Komuna e Vranjës falas, ndërsa kompania u përjashtua nga tatimfitimi në tre vitet e para.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.