Flet Mati Pepa, nënkryetar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare
Tregu i sigurimeve, gjatë viteve të fundit, nuk ka rritje të ndjeshme dhe vihet re që varet kryesisht nga sigurimi i makinave. Në opinionin e AMF-së, si mund të rritet tregu i sigurimeve në të ardhmen, cilët janë faktorët që duhet të ndikojnë në këtë rritje?
Tregu i sigurimeve në Shqipëri është një treg në ndryshim dhe rritje të vazhdueshme. Vetëm fakti që në qershor të vitit 2012 u licencua një tjetër shoqëri për të vepruar në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës është një tregues domethënës që shpreh interesin e rritur të investitorëve në këtë fushë. Disa nga treguesit në mbështetje të saj janë rritja gjatë viteve 2010 dhe 2011 e volumit të primeve të shkruara bruto, me rritje përkatësisht 4.18% dhe 1.56%.
Gjatë vitit 2012, pas një tendence në rënie (janar-shtator 2012 kur ky treg pësoi ulje të lehtë me 0.18%), në tetor u vu re përsëri rritje. Viti u mbyll me një bilanc pozitiv, me rritje vjetore 7.48% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tregu i sigurimeve ka pasur gjatë viteve të mëparshëm një ritëm rritjeje edhe më të lartë. Ndërsa që prej vitit 2010 e në vazhdim, ritmi i rritjes ka qenë më i ulët. Ajo që influencoi në zvogëlimin e ritmit të rritjes së tregut për vitin 2011 dhe një pjesë të vitit 2012 ishte liberalizimi i tarifave të MTPL nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 10455, datë 21.07.2011. Pikërisht ky faktor, pra liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik, solli rënie të këtij sigurimi me 12.15% gjatë vitit 2011 krahasuar me vitin 2010. Influencë në këtë rënie ka pasur ulja e tarifave të shitjes së produktit TPL e brendshme, e cila solli rënie me 24.81% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij sigurimi krahasuar me vitin 2010. Nëse tregu do të kishte ruajtur të njëjtin nivel primi TPL e brendshme me atë të vitit 2010, tregu i sigurimeve do të ishte rritur në nivelin e 10.43%.
E njëjta situatë u paraqit edhe gjatë një pjese të vitit 2012, me uljen që shoqëritë e sigurimit bënë për tarifat e produktit Karton Jeshil. Kështu ky sigurim ra në masën 48.05% krahasuar me periudhën janar-shtator të vitit 2011. Nëse tregu do të kishte ruajtur të njëjtin nivel primi të Kartonit Jeshil si gjatë vitit 2011, tregu i sigurimeve do të ishte rritur në nivelin 6.62%.
Gjatë viteve të fundit, është vërejtur se sigurimi vullnetar ka pësuar një rritje të ndjeshme. Nëse në vitin 2010, sigurimi vullnetar kishte 48% të tregut, në vitin 2011, zuri 55% të tregut, ndërsa gjatë periudhës janar-dhjetor 2012, përbën 48.8% të tregut.
Në grupin e sigurimeve vullnetare vlen për t’u shënuar se sigurimet e pronës nga zjarri dhe dëmtime të tjera u rritën me 13.41% në vitin 2011 dhe me rreth 17.6% për periudhën janar-dhjetor 2012.
Nga zhvillimet e deritanishme të tregut, mund të gjykohet se tendencat në vazhdimësi do të jenë me rritje të tregut në grupet e sigurimeve vullnetare dhe më specifikisht, në sigurimin e pronës dhe sigurimin e përgjegjësive.
Në të ardhmen, pritet që të ketë rritje në këtë treg dhe faktorët që do të influencojnë atë janë:
– Zhvillimi dhe rritja e përgjithshme e ekonomisë;
-Ndryshimi i qëndrimit të qytetarëve dhe bizneseve ndaj riskut. Pra gjithnjë e më tepër po kuptohet nevoja e transferimit të riskut tek shoqëritë e specializuara.
-Zhvillimi më tej i sigurimit të jetës, duke e kuptuar prej qytetarëve këtë sigurim si një investim në të ardhmen e tyre dhe të familjeve.
-Futja e investitorëve të huaj, e cila ka sjellë garanci edhe më të mëdha për këtë treg.
Misioni kryesor i AMF-së është mbrojtja e konsumatorit, si mendoni se mund të rritet ky rol në të ardhmen, në kushtet kur një pjesë e mirë e dëmshpërblimeve në shuma të rëndësishme zgjidhen në rrugë gjyqësore?
Një ndër objektivat kryesore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare është mbrojtja e konsumatorit. Dhe këtij objektivi, AMF i ka kushtuar gjithnjë rëndësi të veçantë. Funksionimi i sistemit të dëmshpërblimit është një ndër drejtimet kryesore ku Autoriteti mbështet konsumatorin. Pranë Autoritetit është një strukturë, e cila trajton të gjitha ankesat e konsumatorëve që lidhen me dëmshpërblimin dhe mjaft të tjera. Kontakti me Autoritetin mund të jetë si përmes faqes zyrtare të internetit www.amf.gov.al, ashtu edhe përmes telefonatave, të cilat janë pa pagesë. Në bazë të ligjit, Autoriteti ka të drejtën që, bazuar në ankesat e konsumatorëve, t’i kthejë shoqërisë për rishqyrtim çështjen e ankimuar, duke i kërkuar shoqërisë kompensimin e dëmit, në rastet kur ai nuk është llogaritur sipas dispozitave ligjore.
Pala e dëmtuar, nëse nuk është dakord me masën e dëmshpërblimit, mund të kërkojë vlerësimin e tij nga vlerësues të pavarur ose mund ta zgjidhë atë gjyqësisht.
Ankesat e konsumatorëve kryesisht lidhen me kontratat e sigurimit të detyrueshëm motorik. Ligji aktual i ka të parashikuar të gjitha llojet e dëmit (pasuror dhe jopasuror), duke përcaktuar dhe limitet e përgjegjësisë përkatëse. Në zbatim të këtij ligji, Autoriteti ka hartuar aktet nënligjore të detyrueshme për zbatim në lidhje me mënyrën e llogaritjes së dëmshpërblimit që rrjedh nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm. Shoqëritë e sigurimit janë të detyruara t’i zbatojnë këto akte.
Për më tepër, Autoriteti është shumë i kujdesshëm edhe me monitorimin e qëndrueshmërisë financiare të shoqërive të sigurimit. Kështu Autoriteti monitoron që shoqëritë e sigurimit të kenë provigjone të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontratat e sigurimit, përfshirë këtu dhe dëmet në proces gjyqësor, duke i shërbyer kështu konsumatorit.
Aktualisht, po punohet për disa ndryshime në ligjin aktual të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, në mënyrë që të përcaktohet më qartë detyrimi që rrjedh nga kontrata e sigurimit, duke bërë një rregullim specifik të formulës së llogaritjes, me standarde të njëjta në trajtimin dhe vlerësimin e pagesave të dëmeve në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Autoriteti ka filluar tashmë procesin për kalimin në mbikëqyrjen me fokus riskun, e cila rrit cilësinë e mbikëqyrjes si edhe shkallën e parandalimit të rreziqeve, të cilat mund të ekspozojnë shoqëritë e sigurimeve. Kështu, me anën e këtij procesi, AMF nuk lejon krijimin e rreziqeve në pagimin e klientit për arsye të keqmenaxhimit apo për arsye të tjera, të cilat do të rëndonin shëndetin financiar të shoqërive.
AMF, në datë 1 nëntor 2012, mori vendimin që pagesat e primit të sigurimit do të bëhen vetëm nëpërmjet bankave apo institucioneve financiare. Kjo gjë është tentuar edhe disa vite më parë, por pa sukses. Si e monitoroni zbatimin e kësaj mase në mënyrë efektive?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që prej datës 1 nëntor, filloi zbatimin e projektit “Integrimi i Regjistrit të Policave me shitjen nëpërmjet Sistemit Bankar”. Ky projekt, nëpërmjet përfshirjes së detyrueshme të transaksionit të pagesës në policat e sigurimit, mundëson zhvillimin dhe kontrollin e tregut të sigurimeve motorike dhe jep mundësinë e krijimit të standardeve në veprimet financiare, duke filluar nga lëshimi i policave të sigurimit të detyrueshëm motorik e deri në pagesën e dëmeve si rrjedhojë e tyre.
Konsumatorët tashmë kanë parë disa informacione shtesë në policën e tyre të sigurimit të detyrueshëm motorik, pra, përveç Kodit të Raportimit AMF, është i pranishëm dhe kodi i transaksionit bankar, të cilit i referohet polica e sigurimit. Për konsumatorët këto kode janë garancia e lëshimit të rregullt të policës së sigurimit të detyrueshëm motorik dhe i transmetimit të të dhënave të tyre në AMF.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në këtë mënyrë, ka rritur cilësinë e monitorimit të shoqërive të sigurimeve në drejtim të raportimit të saktë të policave të shitura, duke realizuar kështu funksionet e tij të rëndësishme, mbrojtjen e konsumatorit dhe forcimin e tregut të sigurimeve.
Autoriteti i ka të gjitha mundësitë, si teknike ashtu edhe kuadrin e nevojshëm ligjor, për të kryer mbikëqyrjen e këtij procesi. Ne jemi në bashkëpunim të plotë me bankat e nivelit të dytë, si dhe me shoqëritë e sigurimeve. Pranë Autoritetit funksionon Regjistri Elektronik Online i Shitjeve të Sigurimeve të Detyrueshme Motorike, që është një platformë raportimi dhe identifikimi në kohë reale i shitjeve të policave të sigurimit të detyrueshëm motorik.
Përveç buletineve statistikore që publikon AMF, a ka ndonjë mënyrë për të njohur situatën financiare të kompanive të sigurimit dhe për të gjykuar mbi to (siç ndodh me bankat ku ato janë të detyruara të botojnë pasqyrat financiare të audituara), në mënyrë që vetë konsumatori të ketë mundësi që t’i shikojë ato?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën disa publikime periodike, të cilat shpjegojnë ecurinë e tregjeve që ai mbikëqyr. Kështu, Autoriteti publikon Raportin Vjetor me të dhëna statistikore për tregun e sigurimeve, pensioneve private vullnetare dhe tregun me pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë. Gjithashtu në bazë vjetore, Autoriteti publikon Gjeografinë e Sigurimeve dhe Raportin e Mbikëqyrjes. Të dy këto botime japin informacion më të detajuar të zhvillimit të tregut. Të gjitha këto botime gjenden edhe në faqen zyrtare të Autoritetit www.amf.gov.al
Ndërkohë që në bazë mujore, në faqen zyrtare të Autoritetit gjenden treguesit për zhvillimin e tregut të sigurimeve, me detaje për ecurinë e tregut gjatë një muaji. Ndërsa pas çdo tremujori jepet edhe buletini i zhvillimit të Tregut me Pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë dhe buletini i Pensioneve Private Vullnetare.
Nga ana tjetër, vetë shoqëritë e sigurimeve kanë detyrimin për të publikuar në faqet e tyre zyrtare në internet apo në mediat e specializuara në çështjet e ekonomisë, informacione mbi ecurinë e tyre në periudhën e dhënë kohore.
Lidhur me tregun e sigurimeve, AMF po punon në drejtim të sofistifikimit të mbikëqyrjes, kjo duke iu përshtatur zhvillimeve dhe karakteristikave që paraqet tregu në veçanti dhe situatave ekonomike në përgjithësi, duke kaluar gradualisht në mbikëqyrjen me fokus riskun, ku qëllimi kryesor është parandalimi i situatave të padëshirueshme. Në çdo rast, klientët e sigurimeve janë të mbrojtur dhe të garantuar se do të dëmshpërblehen kur një gjë e tillë buron nga një kontratë sigurimi.
Ndërsa jemi në stinën e dimrit, a ka ndonjë projekt në zhvillim për mënyrën se si katastrofat apo fatkeqësitë natyrore mund të mbulohen nga tregu i sigurimeve?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me mbështetjen edhe të Bankës Botërore, po punon për projektin SECE CRIF (South Eastern and Central Europe Catastrophe Risk Insurance Facility) i cili do të jetë një platformë me objektiv themelor zhvillimin e tregut të sigurimeve të katastrofave në Europën Juglindore, duke u dhënë mundësinë pronarëve të banesave apo bizneseve të vogla të sigurohen kundrejt riskut të katastrofave me çmime të përballueshme. Programi do të synojë sigurimin në rastet e rreziqeve nga tërmetet, përmbytjeve, etj. Ky program, me mbështetjen edhe të Bankës Botërore, do të përfshijë të gjitha vendet e rajonit.
Në maj të vitit 2008, Shqipëria u bë vendi i parë anëtar i kësaj iniciative dhe që prej asaj kohe, është punuar për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi edhe me vendet e tjera në këtë drejtim. SECE CRIF do të ngrihet si një kompani e veçantë risigurimi. Mënyra se si do të zbatohet programi lidhet me faktin se të gjitha vendet anëtare të këtij programi do të jenë pjesëmarrëse dhe njëkohësisht edhe përfituesit kryesorë të aktivitetit të kësaj kompanie. Programi do të mbështesë futjen e produkteve me kosto të ulët të sigurimit të katastrofave që nuk ekzistojnë aktualisht në vendet e rajonit.
Qëllimi i krijimit të këtij institucioni, është rritja e garancisë dhe kapacitetit mbulues me sigurim, jo vetëm për vendin tonë, por edhe më gjerë, në shkallë rajonale. Kjo përveç rritjes së interesit për sigurimet ndaj katastrofave nga qytetarët dhe bizneset, ndikon edhe në uljen e kostove apo të shpenzimeve prej këtyre të fundit.
Vendi ynë klasifikohet si vend me shkallë të lartë të riskut, sidomos ndaj tërmeteve. Kur të fillojë zbatimi i këtij projekti, e sidomos në kushtet kur sigurimi ndaj katastrofave do të mund të ishte i detyrueshëm, ky do të ishte një lehtësim i mirë edhe për buxhetin e shtetit. Kjo pasi në rast të një katastrofe, kostoja e rikthimit në gjendjen para katastrofës, do të përballohej nga siguruesit, në rastin konkret, nga kontributet rajonale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.