Komisioni i Ekonomisë, në seancën e ditës së sotme, ka rishikuar programin vjetor të punës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, drejtoresha ekzekutive e së cilës, Enkeleda Shehi ka deklaruar se tregjet e sigurimeve kanë pasur një drejtim pozitiv.
Referuar miratimit të paketës ligjore, Shehi ka thënë se pikërisht ky miratim ka sjellë një përmirësim të situatës në tregjet e sigurimeve, ecuri e cila pritet të paraqitet e tillë edhe këtë vit. “ Gjatë vitit 2014 kemi pasur një rritje prej 23 %, krahasuar me një vit më parë”- tha drejtoresha e AMF-së.
Shehi tha se në tregun e sigurimeve pati disa zhvillime të rëndësishme, me ndikime afatmesme.
” Së pari, në vitin 2014 u miratua ligji për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit, një projekt që pritej të përfundohej prej vitesh. AMF miratoi manualin e mbikëqyrjes me fokus rrezikun, si dhe realizoi inspektimin e parë në një shoqëri sigurimi bazuar në këtë metodë mbikëqyrjeje. Procesi do të vijojë gjatë vitit 2015 me disa shoqëri të tjera sigurimi. Së dyti, në vitin 2014 u miratua ndryshimi ligjor, po ashtu i kërkuar prej vitesh, për përjashtimin e produkteve të tregut të sigurimeve, si produkte financiare, nga aplikimi i TVSH-së. Në këtë mënyrë u hoq disavantazhi që produktet e këtij tregu kishin ndaj produkteve të sistemit bankar, për shkak të rregullimit fiskal. Së treti, në vitin 2014 ndodhi bashkimi me përthithje i dy shoqërive të sigurimit, që funksiononin prej vitesh në tregun shqiptar me profile biznesi të njëjtë dhe që deri në momentin e bashkimit zinin rreth 18% të vëllimit të primeve të shkruara bruto në tregun e jo jetës, si dhe dominoheshin nga kapitali i huaj austriak. Kjo ngjarje shënon një tjetër fazë e zhvillimit të tregut të sigurimeve, fazën e konsolidimit tij, përmes bashkimit të shoqërive.” – tha Shehi.
Ajo vijoi duke thëne se AMF e vlerëson të përshtatshëm konsolidimin e tregut dhe njëherësh ndjek me vëmendje zhvillimet, që proceset e sipërpërmendura të çojnë në përmirësim të konkurrencës; në krijim shoqërish të cilat janë më të stabilizuara, më eficiente, me struktura organizimi në kuadër grupi më efikase, si dhe në përmirësim të cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve.
Sa i përket tregut të letrave me vlerë, Shehi pohoi se është një tjetër treg me rritje në interes dhe kërkesë. “ Ka rritje në interes edhe nga individët për tregjet e letrave me vlerë”- është shprehur Shehi, duke shtuar se edhe tregu i pensioneve private ka nisur të ketë një gjallërim në interes.
Duke iu referuar sigurimit të jetës, Shehi pohoi se është ende e ulët në shifra, por për profesionet e vështira dhe të riskuara, sipas saj, ka pasur kërkesa dhe pritet një rritje e tyre.
Shehi deklaroi në fund se në vitin 2015 është përcaktuar si objektiv i rëndësishëm forcimi i bashkëveprimit me industrinë dhe ministritë e linjës për ti shërbyer zgjerimit të tregjeve dhe sipas saj, është studiuar dhe po punohet për konkretizimin e propozimeve në lidhje me zgjerimin e tregut të sigurimeve, duke prezantuar një gamë produktesh të sigurimit të përgjegjësive profesionale, sipas praktikave që hasen në tregje të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.