Nisi të funksionojë sistemi online i vlerfshërisë të të dhënave për mjetet dhe drejtuesit në momentin e pajisjes së tyre me një policë sigurimi.
Me fjalë më të thjeshta në këtë mënyrë bëhet e mundur që gjatë shitjes së policës së sigurimit të makinës, agjenti do të ketë të drejtë të shkruajë vetëm targën dhe shasinë e mjetit dhe më pas atij i gjenerohen të gjitha të dhënat e sakta që rakordohen edhe me autoritete të tjera përfshi këtu edhe Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor . Burime zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare se fillimi i funksionimit të këtij sistemi online fut në ndërveprim një sërë aktorësh, duke filluar nga mbajtësi i policës së sigurimit, agjenci i shitjes, vetë autoritetin dhe DSHTRR-në, duke garantuar kështu të dhëna të sakta dhe të pakompromentueshme. Në rast se bëhet ndonjë gabim në futjen e të dhënave atëherë polica nuk bëhet e vlefshme deri në çastin kur ato të jenë saktësuar. Sipas AMF-së, kjo është një procedurë shumë e rëndësishme e cila ka nisur të zbatohet nga dita e sotme dhe gjatë një periudhe një javore do të verifikohet zbatimi i tij dhe do të zgjidhet çdo problem i mundshëm që mund të shfaqet. Sipas burimeve zyrtare të AMF-së, pa këtë sistem komunikimi nuk do të mund të nisë zbatimi i individualizuar i sigurimit të detyrueshëm Bonus – Malus. Ky sistem do të bazohet në të dhënat e të siguruarit, mjetit, historikut të dëmeve të shkaktuara dhe vendndodhjes.
Lidhur me rekomandimin për vendosjen e sistemit Bonus – Malus, AMF njofton se kanë përfunduar aktivitetet vendimmarrëse në bashkëpunim me shoqëritë e sigurimit dhe është vendosur ndarja e klasave për kategorizimin e riskut si dhe në zbatim të rekomandimeve të Bankës Botërore janë kryer lidhjet e sistemeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile me qëllim marrjen e të dhënave të mjetit e të pronarit nga sistemi e në këtë mënyrë shmangien e abuzimeve gjatë hedhjes së të dhënave. Gjithashtu, janë kryer zhvillimet përkatëse në regjistrat elektronik të qendrës së sigurimit të detyrueshëm motorik. Ky sistem tashmë ka dalë në produksion dhe është bëhet i detyrueshëm për të gjitha shoqëritë e sigurimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.