Konkurrenca dhe Mbikëqyrja Financiare përfshihen në një debat për sigurimet motorrike. AMF nuk pranon asnjë rekomandim të Konkurrencës dhe ankohet për vendimin
Komisioni i Konkurrencës ka zbardhur vendimin 327 ku ka rrëzuar ankimimin administrativ të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për ndryshimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 325, datë 30.07.2014. Komisioni i Konkurrencës kishte dhënë disa rekomandime ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për nxitjen e konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Por AMF ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka kërkuar nga Komisioni i Konkurrencës ndryshimin e vendimit pasi e shikon si të pazbatueshëm.
Dëmet të trajtohen nga shoqëria ku je siguruar
Rekomandimi i parë i konkurrencës lidhej me trajtimin e dëmit në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga shoqëria e sigurimit ku është marrë polica e sigurimit. AMF e ka kundërshtuar duke u shprehur se nuk mund të bëjë të zbatueshëm rekomandimin e Autoritetit te Konkurrencës, pasi është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Autoriteti i Konkurrencës këmbëngul në vendim se meqenëse nga ana e shoqërive, sipas angazhimit të marrë, do të fillojë të zbatohet skema e trajtimit të dëmit nga ana e siguruesit të drejtpërdrejtë të pronarit të mjetit motorik të dëmtuar, atëherë AMF-ja, në zbatim të nenit 13 të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009, duhet të miratojë rregullat për trajtimin e dëmit sipas kësaj mënyre.
AMF të miratojë prime individuale jo në nivel tregu
Rekomandimi i dytë lidhet me miratimin e primeve të individualizuara të shoqërive dhe jo një prim të unifikuar. Por AMF thotë se nuk mund të llogarisë dhe miratojë tabela të individualizuara sipas shoqërive të sigurimit lidhur me vlerësimin e primit të rrezikut. “AMF jep kontributin e tij, si institucion mbikëqyrës, në vlerësimin e parametrave në nivel tregu, sipas legjislacionit në fuqi, që ndikojnë drejtpërdrejtë në vlerësimin e primit të këtyre kontratave”, shkruhet në vendim.
Por Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se shoqëri të ndryshme sigurimesh kanë nivel të ndryshëm të primit të rrezikut për produktet e tyre të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike dhe për këtë arsye AMF duhet të marrë në konsideratë specifikat sipas shoqërive në miratimin e primeve të rrezikut.
Debati për projektin Bonus-Malus
AMF ka kundërshtuar edhe rekomandimin e tretë për informimin periodik të Autoritetit të Konkurrencës lidhur me vënien në funksionim të projektit Bonus-Malus deri në realizimin e plotë të projektit për individualizimin e primit të riskut sipas historikut të dëmeve të të siguruiarit, moshës së drejtuesit te automjeteve, vendbanimi dhe fuqia motorike e automjetit etj. AMF-ja shprehet se ka qenë gjithmonë transparente me publikun dhe tregun, për të gjitha projektet që ka pasur në zbatim. “E shohim të panevojshëm rekomandimin për informimin periodik të Autoritetit të Konkurrencës, pasi vënia në zbatim e këtij projekti është detyrë dhe përgjegjësi e AMF-së dhe tregut të sigurimeve. Për ecurinë e projekteve dhe caktimin e objektivave AMF-ja raporton në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Për këtë arsye kërkojmë ndryshimin e vendimit”, konkludon AMF.
Por në argumentimin e rëzimit të ankimit administrativ AK thotë se “AMF në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës dhe rregullator të tregut duhet të marrë të gjitha masat me karakter rregullativ dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera publike si Drejtoritë e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe zyrat e gjendjes civile për të mundësuar aksesin në të dhënat dhe funksionimin e këtij tregu në bazë të programit Bonus-Malus”.
Projekti i Bankës Botërore
Rekomandimi i katërt ka të bëjë me bashkëpunimin me Autoritetin e Konkurrencës në kuadër të projektit të asistencës me Bankën Botërore për rishikimin e kuadrit rregullator për produktet e sigurimit MTPL me theks të veçantë mbi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve të dëmeve nga produktet e sigurimit MTPL. AMF-ja shprehet se “rekomandimi është i paqartë se ku konsiston bashkëpunimi, pasi teknikat e përllogaritjes së provigjoneve teknike, përcaktohen nga aktuarët në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e fushës aktuariale. Ndërkohë që projekti me Bankën Botërore ka përfunduar në Prill 2013”.
Në sqarimet e vendimit AK thotë se AMF në një njoftim zyrtar të datës 14 korrik 2014 të publikuar në faqen zyrtare shprehet se “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare fillon zbatimin e projektit të asistencës për tregun e sigurimeve”(botuar më14/07/2014) dhe në mënyrë të detajuar informon se “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të programit të vlerësimit të sektorit financiar (FSAP) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nëpërmjet First Initiative (Financial Sector Reform and Strengthening Initiative) filloi zbatimin e projektit të asistencës teknike për reformën në tregun e sigurimeve”.
“Megjithëse AMF është konfuze për projektin e asistencës së Bankës së Botërore për tregun e sigurimeve nëse ka përfunduar në prill të vitit 2013 apo ka filluar në korrik 2014, Autoriteti i Konkurrencës shpreh vullnetin e plotë për bashkëpunim në zbatim të nenit 70 të Ligjit për rregullimin e tregut duke përcaktuar detyrimin për të zbatuar dispozitat e këtij Ligji gjatë kryerjes së detyrave për rregullimin e veprimtarisë ekonomike në territorin e Republikës së Shqipërisë, konkludon Konkurrenca.
Të publikohen të dhënat financiare të shoqërive të sigurimit
Rekomandimi i pestë i Konkurrencës lidhet me publikimin e raportit dhe të dhënave financiare të shoqërive të sigurimit për të mundësuar konkurrencën e ndershme në tregun e sigurimeve mbështetur në udhëzimin e vetë AMF. AMF-ja kundërshton edhe këtë rekomandim kur shprehet se: “në drejtim të publikimeve dhe transparences, AMF-ja ka marrë nota maksimale dhe nga vlerësimi i fundit nga FMN dhe BB, në kuadër të FSAP 2013-2014. Si referencë është raporti dhe notat teknike të lëshuara nga ky mekanizëm. Gjithashtu kjo ka qenë një nga fushat ku AMF është e përputhur plotësisht me parimet e IAIS (Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve), përsëri e nxjerre në pah nga FSAP. Për më tepër AMF në sajë të një projekti madhor financuar nga BERZH dhe një pune disavjeçare, tashmë disponon një nga platformat më moderne të raportimit dhe përpunimit të informacionit mbikëqyrës, ku një pjesë e mirë e raporteve të publikuara janë të automatizuara. Përveç kësaj, faqja zyrtare e AMF-së është shpallur e dyta në rajon nga një vlerësim i pavarur i kryer nga PFS (Partnerët për Stabilitet Financiar) në vitin 2012”. Për këto arsye AMF thotë se ky rekomandim nuk qëndron dhe kërkojmë të ndryshohet.
Autoriteti i Konkurrencës shprehet se në pretendimin e mësipërm të AMF-së nuk paraqitet asnjë e dhënë në lidhje me Rekomandimin konkret të Autoritetit të Konkurrencës për të publikuar raportin dhe të dhënat financiare të shoqërive të sigurimit. Autoriteti i Konkurrences e konsideron transparencen e pasqyrave financiare te ketyre shoqerive si nje instrument te rendesishem për të mundësuar konkurrencën e ndershme në tregun e sigurimeve. Ky rekomandim është mbështetur në Udhëzimin “Mbi rregullat e publikimit të të dhënave të shoqërive të sigurimit, shoqërive të brokerimit në kuadrin e transparencës ndaj publikut dhe mbrojtjen konsumatorë”, miratuar me vendimin e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare nr. 11, datë 08.02.2007, në të cilin thuhet që: “Shoqëria e sigurimit publikon raportin vjetor, i cili përfshin raportin vjetor financiar dhe të dhëna të tjera të përfshira në këtë udhëzim. Ky raport publikohet jo më vonë se gjashtë muaj nga përfundimi i vitit kalendarik”.
Në përfundim të Ankimit Administrativ, Komisioni i Konkurrencës, e ka rrëzuar ankimimin administrativ të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për ndryshimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 325, datë 30.07.2014.
Mbetet për tu parë nëse AMF do t’i drejtohet Gjykatës për revokimin e vendimit të Konkurrencës siç parashikon ligji ‘Për gjykatën administrative” në rast të mosmarrëveshjeve mes institucioneve.