Anti-911-a e Affalterbach, tani është edhe në versionin e hapur, por formula mbetet ajo e një modeli coupé: një makinë sportive e stilit të vjetër, e fuqishme dhe e këndshme
Duhet patjetёr të kesh prirje sadiste, për të realizuar e nxjerrë në treg një makinë, së cilës i duhen 4 sekonda për të arritur kufirin e 65 milje në orë, limiti në fuqi në Arizona, ku çdo tejkalim – sado i papërfillshëm – shkakton reagimin e egër të forcave të rendit, të gatshme të nxjerrin edhe armët, për një tejkalim të parëndësishëm shpejtësie.
Por kështu është. AMG ka zgjedhur rrugët rreth Phoenix për të prezantuar versionin e hapur të modelit GT dhe kënaqet duke shfrytëzuar një pjesë të vogël, thuajse të parëndësishme, të potencialit të jashtëzakonshëm të këtij modeli. Versionet janë dy: në foto poshtë është versioni normal me motor V8, katër litra, me 476 kf; pak më lart, versioni C (kjo gërmë nuk do të thotë asgjë në veçanti, kështu që mos u lodhni t’i gjeni kuptimin), ku nga i njëjti motor gjenerohen 550 kf, të mundësuar nga një seri funksionesh të veçanta, të cilat nuk janë të pranishme në versionin më të vogël, si p.sh. aksi i pasëm drejtues, karrexhatat e zgjatura për gomat e dedikuara dhe të veçanta, si dhe amortizatorët me kontroll elektronik.
Përveç ndryshimit në fuqi, thelbi mbetet i njëjtë dhe në linjë me filozofinë AMG: një makinë e fuqishme e kohëve të vjetra, rrënqethëse, e zhurmshme (zhurma që del nga marmita, justifikon çmimin, i cili është shumë i lartë: 141 mijë euro për versionin e parë dhe 174 mijë për tjetrin), e qëndrueshme dhe emocionuese gjatë përshpejtimit, i cili realizohet në një ambient të pazakontë, me një potencial të ndrydhur. Megjithatë, nuk është e lehtë për ta ngarë, kur kontrollet përjashtohen (ka çelës përzgjedhës që të argëton mes konfigurimeve të ndryshme); në këtë pikë, natyra “antike”” del në pah dhe fillon të përballesh me mbikthimet vrastarë me një timon pak të ngadaltë për të kontrolluar euforinë e lartë.
Midis të dyjave, në letrat tona personale, preferenca i shkon modelit me 470 kf: vërtetë i mungojnë detajet e modelit tjetër, por ndryshimi në performanca është minimal (3 të dhjetat më shumë në 0-100) dhe, mbi të gjitha, drejtimi nuk është i kushtëzuar nga puna e komponentëve shtesë, e cila e bën atë disi artificiale. Versioni C do të shitet më shumë, sidoqoftë (në disa tregje, versioni normal nuk do të jetë fare i pranishëm): në këtë pikë, rëndësi ka dëshira për të treguar se sa e majme është llogaria bankare. Ёshtë për të ardhur keq, që disa raste jo materiale, fitojnë mbi ato teknike, sepse Roadster është një perlë e vërtetë mekanike.
FUQIA MAKSIMALE – 350 kW (476 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 630 Nm në 1.700 xhiro/min
TRAKSIONI – në rrotat prapa
KAMBIO – automatike me 7 marshe
0-100 km/h – 4,0 s
KONSUMI MESATAR – i papërcaktuar
PËRMASAT – gjat. 454 – gjer. 194 – lart. 126 cm
PESHA – 1.670 kg
ÇMIMI – 141.290 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.