Ka mbetur vetëm edhe një muaj që bizneset të përfitojnë nga falja e gjobave për mospagesën e sigurimeve shoqërore në kohë dhe shumë prej tyre sidomos në rrethe nuk po shohin fshirjen e gjobave nga sistemi, sipas ankesave nga ekonomistët e firmave në disa qytete, si Vlora, Korça etj. Ndërsa në Tiranë raportohet se procesi po ecën normalisht dhe gjobat po fshihen nga sistemi.
Ekonomistëve në rrethe u është shpjeguar se stafet e tatimoreve janë shumë më të kufizuara dhe nuk mund të përballojnë njëkohësisht edhe shërbimin në zyra dhe kontrollin në terren.
Ndërsa burimet zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme në Tiranë pohuan se shërbimi po ofrohet normalisht, por bizneset që nuk po përfitojnë janë vetëm ata që nuk kanë mundur të bëjnë pagesën e principalit të kontributeve deri me 30 shtator.
Me 1 gusht 2015 hyri në fuqi Ligji nr.66/2015 “Për faljen e gjobave për mospagim në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike”.
Bazuar në këtë ligj u falen në masën 100%, gjobat e lidhura me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që janë evidentuar deri ne 31 dhjetor 2014. Këto gjoba kanë të bëjnë me “Mosdeklarimin në afat” dhe “Mospagimin në afat të detyrimit tatimor apo kontributit”.
Gjithashtu sipas këtij ligji, nga data e hyrjes në fuqi, falen edhe gjobat që janë në proces apelimi administrativ apo në proces gjyqësor.
Për të përfituar faljen e gjobave nga ky Ligj, duhet që brenda datës 30 Shtator 2015 bizneset të kenë kryer plotësisht pagesën e kontributit dhe kamatëvonesës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.