Për të gjithë produktet ka pasur rritje të çmimeve, rritje e cila ka filluar në muajin shkurt 2014. Edhe produktet për të cilat nuk ka ndryshuar akciza (p.sh vera) kanë pasur rritje të çmimeve, por kjo rritje vjen si pasojë e rritjes së taksës së qarkullimit të karburanteve….
Autoriteti i Konkurrencës, për të parë efektet e rritjes së akcizës në çmimet e produkteve objekt i monitorimit të iniciuar prej saj pak javë më parë, gjatë muajit janar dhe shkurt 2014 zhvilloi një monitorim në terren në supermaketet Big Market, Carrefour Albania, dhe njësi të vogla tregtare për çmimet me pakicë të këtyre produkteve.
Nga ky monitorim rezultoi se për të gjithë produktet ka patur rritje të çmimeve, rritje e cila ka filluar në muajin shkurt 2014. Edhe produktet për të cilat nuk ka ndryshuar akciza (p.sh vera) kanë patur rritje të çmimeve, por kjo rritje vjen si pasojë e rritjes së taksës së qarkullimit të karburanteve. Kështu rritja e taksës së karburanteve ka ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve, përveç rritjes së akcizës së vetë produkteve.
Tabela e mëposhtme, sipas Autoritetit, paraqet në mënyrë të përmbledhur treguesit e performancës së tregjeve të marrë në analizë sipas treguesve të përqendrimit dhe ndikimit të tregjeve nga ndryshimet e fundit në barren fiskale. Gjithashtu janë paraqitur edhe tre ndërmarrjet kryesore në secilin treg.
Burimi: Autoriteti i Konkurrencës
Pas vlerësimit të strukturave të tregjeve dhe treguesve të përqendrimit, u hartua një pyetësor i cili u plotësua në bashkëpunim më studentët e Fakultetit të Ekonomisë pranë UT në 37 pika tregtare i cili pati si qëllim të vlerësonte mënyrën e shpërndarjes dhe përcaktimit të çmimit fundor për produktet pije energjike dhe birrë, mënyrat e marketingut të produkteve, nëse ka kushte detyruese nga ana e furnitorëve për shitësit fundor dhe dinamikat e ndryshimit të çmimit pas janarit 2014.
Nga të dhënat e grumbulluara u konstatua se pikat e shitjes me pakicë furnizohen si nga rrjeti i shpërndarjes edhe nga pikat e shitjes me shumicë. Në pikat e shitjes me pakicë tregtohen disa marka të pijeve energjike apo të birrës, me çmime të ndryshme të cilat kanë reflektuar përqindje të ndryshme të rritjes së çmimit pas janarit 2014. Në lidhje më përcaktimin e çmimit fundor nga ana e distributoreve, u konstatua se në më pak se 40% të rasteve çmimi i pakicës përcaktohet nga furnitori, tregues ky i ndryshëm për marka të ndryshme.
Ndërmarrjet importuese/prodhuese ofrojnë artikuj promocioni, përcaktojnë skonto dhe oferta të vazhdueshme për ta bërë produktin e tyre më atraktiv se konkurrentët. Nuk u vune re sjellje diskriminuese ndaj konkurrenteve të tjerë brenda të njëjtit produkt apo kushte detyruese nga ana e furnitorëve në lidhje me kërkesën për furnizim.
Të gjithë produktet e monitoruara kanë patur rritje të çmimeve, rritje e cila ka filluar në fillim të muajin shkurt 2014 dhe është në masë të ndryshme. Edhe produktet për të cilat nuk ka ndryshuar akciza (p.sh vera) ose akciza është ulur (birra) kanë patur rritje.
Për shkak të karakteristikave të tregjeve dhe konkurrencës midis markave dhe brenda markave si dhe mbështetur në të dhënat e administruara lidhur me sjelljen ndaj çmimit, sipas Autoritetit, nuk ka shenja të kufizimit të konkurrencës në tregjet përkatëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.