“Gjatë 2014-tës, qeveria kosovare nuk ka bërë asgjë prandaj, këtë vit e konsideroj si vit të humbur për Kosovën”, është vlerësimi i Ibrahim Rexhepit, drejtorit të Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale të Kosovës (STRAS).
Ai për Anadolu Agency thekson se 2014-ta ka kaluar në shenjë të shumë tensioneve dhe paqartësive, madje edhe humbjes së vizionit për të ardhmen. Sipas Rexhepit, në këtë fakt nuk ka ndikuar vetëm kriza gjashtë mujore politike por, që nga fillimi i vitit, qeveria dhe institucionet e kaluara më shumë kanë qenë të fokusuara në zgjedhjet parlamentare se sa në marrjen e vendimeve të cilat janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Qeveria është marr më së shumti me mbledhjen e votave për Partinë Demokratike të Kosovës të, tashmë ish-kryeministrit Hashim Thaçit.
“Vitin 2014 duhet ta harrojmë sa më shpejtë dhe duhet ta fillojmë 2015-tën me vizion shumë më të qartë sepse, shumë probleme lidhen edhe me mos efikasitetin e treguar në vitin 2014, sikurse edhe me mbulimin e disa gabimeve dhe pamundësinë e zhvillimit të projekteve të ndryshme që është dashur të realizohen në vitin 2014” thotë Rexhepi.
Kur është fjala për mossukseset e qeverisë në vitin 2014, Rexhepi thotë se mund t’i numëroj jo 3 dështime por 33, dhe atë jo vetëm në vitin 2014 por, në përgjithësi, gjatë tërë mandatit katërvjeçar të qeverisë së kaluar. “Nuk është arritur ndonjë përparim në zhvillimin ekonomik. Rritja ekonomike nga viti në vit po bëhet më e vogël, madje, rritja e cila është shënuar nuk ka rezultuar me hapjen e vendeve të reja të punës, që do të thotë se papunësia është rritur, varfëria është rritur dhe kështu, po rritet edhe numri i njerëzve të cilët zgjidhjen po e kërkojnë jashtë Kosovës dhe po e braktisin Kosovën përmes rrugëve ilegale që janë përplot me rreziqe” thotë eksperti i ekonomisë, Rexhepi.
Ai shton se Qeveria e Kosovës në mandatin e kaluar ka qenë e pasuksesshme në të gjitha fushat dhe mund të thuhet se, vetëm duke i falënderuar inercisë së zhvillimit, kanë mbijetuar projektet tashmë të filluara, sikurse janë: Brezovica, projekti për termocentralin Kosova e Re, fillimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, si dhe anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Investime dhe Zhvillim.
Lidhur me projektin e ndërtimit të autostradës së re, Rexhepi vlerëson se Kosovës i duhen rrugë të reja, sidomos në drejtim të Shkupit, duke marr parasysh se në atë drejtim zhvillohet 50 % e këmbimit të mallrave për eksport dhe import, mirëpo Kosova nuk ka mundësi financiare për projekte kaq të mëdha.
“Ky është projekt i cili duhet të përfundohet për tri vite dhe nga ky aspekt, ka të drejtë kryeministri Isa Mustafa që thotë se, autostrada është dashur të punohet pjesë për pjesë dhe jo përnjëherë, si projekt i cili do të përfundojë për tri vite dhe i cili do të kushtojë mbi 600 milion euro. Veç kësaj, këto 600 milion euro po vijnë pas 800-900 milion eurove të shpenzuara në ndërtimin e autostradës paraprake. Njëkohësisht, kemi ngecje të sektorëve të tjerë të cilët janë të rëndësisë qenësore për popullatën. Kjo qeveri duhet të disponoj më ndryshe me parat, mos të investojë vetëm në rrugë dhe asfalt, sepse ka edhe fusha tjera, si për shembull shëndetësia, ku njerëzit ndoshta paguajnë edhe me jetë mos organizimin e mirë, mungesën e trajtimeve dhe të barërave. Kjo që po ndodh është e pakuptueshme dhe e papranueshme në shekullin 21.”
Rexhepi konsideron se vendimi i kryeministrit Isa Mustafa që, nga buxheti i vitit 2015 të heq rritjen e rrogave për 25 %, sikurse kishte premtuar paraardhësi i tij Thaçi, është vendim me plotë risk mirëpo vendim i drejtë dhe i arsyeshëm. Buxheti i shtetit nuk është i destinuar vetëm për rroga dhe mbulimin e sektorit social, por ka edhe komponentë zhvillimor, thotë ai.
“Qeveria duhet të kujdeset që të përmbush nevojat e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm atyre të cilët paguhen nga buxheti, të tillë janë afro 81 mijë , të punësuar në sektorin publik. E dyta, rritja e rrogave gjithmonë ka shkuar në dëm të investimeve kapitale, në dëm të zhvillimit dhe humbjes së vendeve të reja të punës. Prandaj, rritja e rrogave nuk do të kontribuonte rritjes së zhvillimit ekonomik dhe zvogëlimit të tensioneve sociale” thotë Rexhepi dhe shtojnë se, madje edhe me rritjen e rrogave për 25 %, niveli i varfërisë në Kosovë do të mbetet rreth 40 %.
Për vitin 2015, të hyrat e përgjithshme buxhetore janë projektuar të jenë 1 miliard e 576 milion euro. Ky buxhet do të vazhdoj të mbushet me rreth 70 % të hyrave nga doganat dhe sipas Rexhepit, ky është problem i cili nuk mund të zgjidhet për një vit dhe as gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë.
Sipas tij, Qeveria duhet të bëjë riorganizimin e administratës tatimore dhe doganës, në mënyrë që të mundësohet pagimi i tatimit brenda vendit, që do të ishte një lehtësim, posaçërisht për biznesmenët të cilët nuk do të ishin të detyruar ta paguajnë tatimin menjëherë në kalimin kufitar por, pas një kohe të caktuar kur mali do të shndërrohej në para.
“Kjo mënyrë e mbushjes së buxhetit me importin e mallrave është tregues i varfërisë së vendit, flet për një varshmëri të madhe nga importi, si dhe është tregues i mungesës së zhvillimit të brendshëm”thotë Rexhepi.
Ai përmbyll analizën e tij për Anadolu Agency, duke thënë se kabinetit të ri të Qeverisë së Kosovës do t’i duhet shumë kohë për të sanuar dëmin i cili është bërë në vitin 2014 dhe të filloj të ndërtoj një klimë të shëndosh e cila do të tërhiqte investitorë të huaj dhe t’i mundësojë qytetarëve që, së paku t’i plotësojnë nevojat e tyre elementare për jetë./ AA Agency
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.