Mund të kalojnë vite përpara se sa beteja ligjore mes Bashkimit Europian dhe Google të arrijë në një përfundim. Pas vendimit në korrik të Komisioneres për Konkurrencën, Margrethe Vestager, e cila vendosi për një gjobë 4,3 miliardë euro për abuzimin për pozicionin dominues, Google e ka apeluar vendimin në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, shkruan Reuters.
Në bazë të mbrojtjes do të jenë fjalët që CEO i Google, Sundar Pichai, ka shkruar në përgjigje të vendimit të BE, duke theksuar që Android ka krijuar më shumë zgjedhje dhe jo më pak liri prodhuesve, duke e cilësuar vendimin të padrejtë.
Ishte e qartë që Google do ta apelonte vendimin. Akuzat e Bashkimit Europian janë të mëdha: Google ka detyruar prodhuesit Android të instalojnë shërbimet e tij për të pasur në telefon Play Store, duke penguar çdo formë konkurrence në këtë fushë.
Sipas BE-së, situata i ka çuar përdoruesit të hynin me forcë në ekosistemin e Google, pasi prodhuesit nuk mund të bënin ndryshe. Beteja ligjore mes Google dhe Bashkimit Europian mund të zgjasë me vite. Përveç Gjykatës Europiane të Drejtësisë ekziston edhe një shkallë e tretë gjykimi.
Në rast se Bashkimi Europian do ta fitonte kauzën do të kishte një efekt të ndjeshëm tek Android, kjo do të thotë që prodhuesit e hardware do të mund të zgjidhnin lirisht se cilët software mund të instalojnë. Kjo do të ishte një goditje e rëndë në fitimet e Google, duke u dhënë mundësinë konkurrentëve si Microsoft, të rrisnin pjesën e tyre në treg.