Angad Arts Hotel, një hotel ku mund t’i rezervoni dhomat në bazë të emocioneve

27/11/2018 3:06 PM 0 komente

E kuqe (pasion), blu (qetësim), e gjelbër (përtëritje) apo e verdhë (gëzim)? Në Misuri sapo është hapur një hotel, ku dhomat mund t’i zgjidhni në varësi të emocioneve dhe gjendjes shpirtërore.

Angad Arts Hotel u hap këtë muaj në St. Louis. Dhomat e tij janë në katër ngjyra të ndryshme. Zgjedhja e tyre nuk është e rastësishme, janë klientët ata që e zgjedhin dhomën që dëshirojnë në bazë të shijeve dhe emocioneve.

Duhanpirës apo jo duhanpirës? Një krevat apo dy? Me pamje nga kopshti? Këto pyetje tashmë janë kapërcyer. Në Angad Arts Hotel gjithçka është në bazë të ngjyrës së zgjedhur – nga ngjyra e mureve, te ajo e kuvertës së krevatit, ndriçimi e çdo aksesor tjetër.

Hoteli ka 146 dhoma, mes të cilave 38 suita dhe 25 dhoma për qëndrime të gjata me një kënd kuzhine. Ai është i pari që ofron mundësinë për të prenotuar dhomën sipas ngjyrës dhe jo vetëm në bazë të madhësisë dhe shërbimeve të pranishme.

Emri i hotelit ka kuptime të ndryshme. Fjala e parë, Angad. Një prej investitorëve të hotelit, Lord Paul, kishte një djalë të quajtur Angad, i cili vdiq në vitin 2015, kështu që emri është në kujtim të tij.
Për sa i përket fjalës së dytë të emrit, Arts, është e drejtë të marrim në konsideratë vendndodhjen e hotelit, e cila është në një distancë të shkurtër më këmbë nga shumë prej destinacioneve kryesore artistike dhe kulturore të qytetit të St. Louis, nga Contemporary Arts Museum te The Fabulous Fox Theatre.

Ndërtesa e cila daton në vitet ‘20, ka qenë historikisht një teatër. Sot, pas një restaurimi prej 380 milionë dollarësh i është kthyer shkëlqimit të dikurshëm, duke ruajtur karakteristikat e saj arkitekturore të mbrojtura nga Regjistri Kombëtar i Vendeve Historike në të cilin bën pjesë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of