Angel Falls – Ujëvara më madhështore në botë

17/03/2014 9:24 AM 0 komente

Një nga mënyrat më të mira të të jetuarit të madhështisë është ta gjesh atë kur në fakt je duke kërkuar për diçka krejt tjetër. Kjo gjë ndodhi me Angel, një ish-pilot amerikan i Luftës së Parë Botërore, në vitin 1935. Angel po eksploronte Auyan Tepui – Malin e Djallit, duke kërkuar për një lumë me depozita ari. Duke parë poshtë prej aeroplanit të tij, fillimisht pa ujin që shkonte poshtë cepit të një mali të lartë drejt pyjeve tropikale. Pasi shmangu një shkëmb gjigant, ai pa mrekullinë: diku mes reve, një lumë i tërë derdhej në luginën e mëposhtme, zhurma e të cilit tingëllonte si bubullimat.

Me vendndodhje në Venezuela, në Parkun Kombëtar të Kanaimas së rajonit Gran Sabana, Ujëvara Angel është ujëvara më e lartë në botë. Ajo është 979 metra, prej të cilave 807 metra përfaqësojnë rënien e pastër të ujit. Lartësia e kaskadës është aq kolosale, sa para se të bjerë në tokë, uji kthehet në mjegull nga erërat. Kjo mjegull mund të ndihet që tre kilometra larg.

Ujëvara Angel ka një shkallë rrjedhe 18 herë më të madhe se Ujëvara e Niagarës. Gjatë sezonit të shirave, retë e ujit bien në bazën e ujëvarës, duke vaditur një pjesë të madhe të pyllit. Ndërsa në stinën e thatë, “retë” transformohen në mjegull para se të shkojnë në lumë.

Ujëvara ndodhet në një vend të izoluar të xhunglës tropikale, kështu që udhëtimi drejt kësaj mrekullie të natyrës nuk është edhe aq i lehtë. Së pari nevojitet një fluturim nga Caracas në Ciudad Bolivar, për të shkuar në Canaima Camp. Prej këtu mund të shkoni nëpërmjet lumit deri tek ujëvara.

Paketat 2-netëshe kushtojnë rreth 300 USD, ku përfshihen udhëtimet vajtje-ardhje në park, akomodimi, ushqimi dhe ekskursionet në Parkun Kombëtar të Canaima-s. Ky është një çmim i arsyeshëm, duke marrë parasysh bukurinë e këtij vendi përrallor.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of