Angela Merkel po shkon drejt një mandati të katërt si kancelare e Gjermanisë pasi sondazhet e para, pas zgjedhjeve të së dielës, vunë në dukje një fitore të qartë për aleancën e saj konservatore, të udhëhequr nga krisistian demokratët, shkruan Financial Times.
Në një rezultat, që do ta mbajë zonjën Merkel në zemër të çështjeve evropiane, 61 milion votuesit e vendit gjithashtu dhanë mbështetje të pashembullt ndaj kundërshtarëve të saj nacionalistë – Alternativa anti-imigracion për Gjermaninë, e cila do të ketë peshë në Bundestag pasi ka përfituar nga pakënaqësia e gjerë mbi krizën e refugjatëve.
Sondazhet e para i japin bllokut CDU / CSU të Merkelit 33 përqind të votave. Partia Social Demokrate e udhëhequr nga Martin Schulz duket se ka fituar një pjesë prej 21 përqind, sipas sondazheve.
Fitorja e kancelares pasqyron kënaqësinë e gjerë të votuesve me administrimin e saj të ekonomisë së fortë dhe të papunësisë në Gjermani dhe rolin e saj si një lider global i kujdesshëm në një botë të pasigurt, të karakterizuar nga kriza dhe nacionalizmi, sidomos në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump.
Por ajo gjithashtu tregon se shumë votues kanë reaguar kundër vendimit të Merkel për të mbajtur kufijtë e Gjermanisë të hapur për më shumë se 1 milion azilkërkues në 2015-16, me AfD-në ë po bëhet partia e parë e djathtë e madhe që nga koha e nazistëve që hyn në parlament, duke fituar 13 për qind, sipas anketës së sondazheve të para.
Fitorja e katërt zgjedhore e Merkel ndjek precedentin e dy kancelarëve të tjerë të CDU-së, Konrad Adenauer, që rindërtoi Gjermaninë nga rënia e pasluftës dhe këshilltari i saj Helmut Kohl, i cili kryesoi ribashkimin gjerman.
Shkencëtarja profesioniste, e cila u rrit në Gjermaninë Lindore komuniste, erdhi në pushtet duke mundur kancelarin Gerhard Schröder të SPD-së në vitin 2005 dhe ka qenë në detyrë në periudhën e krizës së gjatë financiare për eurozonën, si dhe ka kaluar sfida të tjera, që përfshijnë konfliktin në Ukrainë dhe migrimin evropian.
Merkel, 63 vjeçe, bëri fushatë për një qasje gjithëpërfshirëse të nënës së kombit me premtime të paqarta për uljen e taksave, nxitjen e investimeve dhe integrimin e emigrantëve, si dhe duke luajtur kartën e saj më tërheqëse, vazhdimësinë.