Ish-kolonizatorët në krizë ekonomike, ndërsa ish të kolonizuarit po përjetojnë një bum të vërtetë. Dhe kështu, shekuj më pas, ndërrojnë vendet. Sipërmarrjet nga Luanda investojnë në Lisbonë, ndërsa portugezët po gjejnë punë në vendin afrikan
“Kam ardhur këtu për të ndryshuar jetën time. Mundësitë janë aq të shumta sa nuk kanë të krahasuar me Portugalinë”. I ulur në zyrën e tij të re në një zonë “chic” të periferisë së kryeqytetit Luanda, 42-vjeçari Sergio Andrade nuk e fsheh buzëqeshjen, ndërsa shpjegon nëntë arsyet që e shtynë që të linte Vila do Conde, një qytet i qetë buzë detit, afër Oporto, për të pranuar një ofertë në Angola. “Në Portugali, shumë të diplomuar jetojnë ende me prindërit e tyre dhe punojnë në fast food”, vazhdon ai rrëfimin, ndërsa shikimi humbet tej mureve të xhamta të zyrës së tij të re, në kodrat e Talatona. Dhjetë vjet më parë ishte një fushë e hapur, sot është kthyer në një lagje të populluar nga zyra dhe vila të këndshme të bardha, që strehojnë shumë të huaj, që vitet e fundit kanë vendosur që të transferohen në këtë “Eldorado” të re të Afrikës. I punësuar si një menaxher informatike në një kompani kateringu, Andrade është një ndër mijëra portugezët që gjatë viteve të fundit kanë braktisur Portugalinë e zhytur në borxhe dhe në krizë që duket se nuk do të mbarojë kurrë, për t’u transferuar në një vend që vetëm gjatë vitit 2012 pati rritje ekonomike 6.8%.
“Shumë prej nesh kanë mbërritur këtu gjatë gjashtë muajve të fundit”, thotë Andrade, që në Portugali fitonte 2,000 euro në muaj, ndërsa sot merr 4.500 euro, për një kontratë që parashikon një muaj pushime të paguara çdo 10 muaj punë, si dhe shumë përfitime të tjera, si strehimi, telefoni, makina me shofer dhe një grua që e ndihmon në punët e shtëpisë.
“Të gjitha të përfshira mund të shkojnë në 10,000 euro në muaj”, thotë me një buzëqeshje që nuk i hiqet nga fytyra. Teatër i një lufte civile të përgjakshme që zgjati 27 vjet dhe përfundoi në vitin 2002, Angola po përjeton një bum ekonomik të paprecedentë, që mbështetet nga shfrytëzimi i burimeve të naftës, rezervat e së cilës sa vijnë dhe shtohen dhe kanë arritur në 10 miliardë fuçi dhe eksportet e së cilës kanë garantuar të ardhura në masën 64 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar. Paga e Andrade nuk është diçka e jashtëzakonshme në një vend që ka nevojë për profesionistë të kualifikuar për të mbështetur rritjen impresionuese të ekonomisë. Sipas vlerësimeve të ambasadës portugeze në Luanda, janë rreth 150,000 portugezë që jetojnë në Angola, pa llogaritur ata që si puna e Andrade bëjnë rregullisht udhëtime në të dy vendet. Ndërsa në vitin 2012, ekonomia portugeze është tkurrur për të katërtin vit me radhë, 3.2% më pak sipas të dhënave të FMN-së, ajo e Angolës është në rritje të vazhdueshme dhe për vitin 2013 parashikohet të arrijë në 7.1%. E ndërsa në Angola mundësitë e punësimit të portugezëve janë të mëdha, në vend papunësia ka arritur në 14.4%.
Ndërrimi i roleve mes ish-kolonisë afrikane dhe “mëmëdheut” portugez është një ngjarje historike që nuk ka precedentë në epokën moderne. Në dhjetor të vitit 2011, kryeministri Pedro Passos Coelho u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij që të emigronin në vende si Brazili ose Angola, ndërsa gjatë një vizite të fundit, ministri i Jashtëm, Paulo Portas, pranoi faktin se kontributi i portugezëve që jetojnë dhe punojnë në Angola i ka dhënë frymëmarrje ekonomisë së vendit. “Ne kemi aftësitë dhe ata kanë paratë”, thotë prerë Julio Costa, një inxhinier portugez, 52 vjeç, që jeton në një kompani ndërtimi angoleze.
Sot, Angola është një tokë mundësish dhe kontradiktash: në një vend ku ende 60% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, Luanda është qyteti i dytë më i shtrenjtë në botë për të huajt (pas Tokios), sipas një studimi mbi koston e jetesës.
Ndërsa “musseques” (qytezat) e Angolës janë ndër më të varfrat në Afrikë, qendra e Luandës ka hotele me pesë yje, restorante dhe klube nate, në të cilat vetëm hyrja kushton 120 dollarë. Të premten në darkë, komuniteti i të huajve dhe i të pasurve angolezë i gjen në “Ilha”, lagjja e restoranteve dhe bareve ekskluzivë, ku klientët mund të shijojnë darka me bazë aragoste, verë franceze dhe të dëfrejnë me muzikën më të mirë që luhet nga Dj që vijnë nga Europa ose Brazili. E megjithatë, në pjesën tjetër të vendit, mungon ende energjia elektrike, uji i rrjedhshëm, rrugët me standarde. Ata që jetojnë në këto zona çohen në mëngjes rreth orës 5:00 dhe kthehen nga puna rreth orës 8:00 të mbrëmjes.
“Ta kalosh ditën tënde të lirë duke blerë karburant për gjeneratorin ose të riparosh tubat e ujit është e lodhshme. Një herë uji mungoi në shtëpi për dy javë me radhë, por për kthimin në Portugali as që bëhet fjalë”, ankohet Luis Costa Branco, një gazetar që për 40 vjet ka drejtuar të përditshmen portugeze “Sol”, që tani kontrollohet nga një kompani angoleze. Ai i “Sol” nuk është një rast i izoluar. Me 30 miliardë dollarë rezerva, Angola po investon fort në Portugali ku tashmë ka blerë “Banco Bpi” e “Bic”, dy grupet më të mëdha bankare portugeze, kompaninë e naftës “Galp” dhe platformën televizive “Zon Multimedia”. Mes investitorëve më të mëdhenj figuron kompania shtetërore e naftës “Sonangol”, ku bën pjesë mes të tjerëve edhe 40-vjeçarja Isabel dos Santos, vajza e presidentit angolas Eduardo, një grua e vërtetë e biznesit dhe e konsideruar nga revista “Forbes”, si e “para grua miliardere afrikane”. I vëllai, José Filomeno dos Santos, është president i fondit sovran (burim i një pasurie 5 miliardë dollarë) që “ushqehet” nga të ardhurat e naftës. Investimet angoleze në Portugali arritën kuotën e 70 milionë eurove në vitin 2011, më shumë se të dyfishuara në krahasim me vitin 2010. Sipas agjencisë së lajmeve portugeze “Lusa”, vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2012, kjo shifër arriti në 126 milionë euro. E kontrolluar nga Portugalia që në vitin 1575, Angola u transformua në një provincë përtej detit përpara arritjes së pavarësisë në vitin 1975. Kjo i dha mundësi shumë angolezëve që të merrnin një pasaportë portugeze. E për një lojë të fatit, sot ka shumë portugezë që kërkojnë të marrin nënshtetësinë angoleze. “Portugezët dhe kinezët po i marrin punën angolezëve. Është një proces që duhet të menaxhohet me kujdes”, thotë 38-vjeçari Joao Texeira, një sipërmarrës i vogël që ndërton parafabrikate.
Angola renditet si vendi i 157 (ndaj 174 vendeve) në indeksin e korrupsionit të “Transparency International”. Në raportin e 2013-s, “Human Rights Watch” e akuzoi qeverinë për parregullsi në zgjedhje, politika arbitrate ndaj opozitës, intimidim të gazetarëve dhe dhunë në manifestime politike. Në dhjetor të vitit 2011, FMN e akuzoi Angolën se ka zhdukur 32 miliardë dollarë të ardhura nga nafta që nuk janë futur kurrë në buxhetin e shtetit.
Por, keqkuptimet dhe “dhembjet e shpeshta të stomakut” vështirë të përmirësojnë rrënojat mbi të cilat ngrihen marrëdhënie strategjike mes dy vendeve. Ka shumë të ngjarë që ata portugezë që tashmë jetojnë në Angola, të mos largohen për një kohë të gjatë. “Nëse unë do të kisha grua dhe fëmijë, me siguri do të qëndroja dhe do të jetoja mirë”, rrëfen Andrade, i cili u largua nga familja në Portugali.
Megjithatë, Luanda është një qytet i vështirë për europianët, shumë prej tyre u mungojnë aspekte të mëparshme të jetës, si kinematë, teatrot, shëtitjet gjatë natës që duket se janë të pamundura në një qytet ku krimi është shumë i lartë. “Njerëzit në Portugali mendojnë se këtu jeta është fantastike, – thotë gazetari Costa Branco, por e vërteta është se për paratë që fitojmë, ne duhet të heqim dorë nga shumë gjëra”. Ndërsa ka nga ata që ende ëndërrojnë për kthimin në shtëpi, të tjerë mendojnë se kjo do të jetë e pamundur. Jo rastësisht, inxhinieri Julio Costa vendosi që në Luanda të merrte me vete gruan e tij dhe vajzën 11-vjeçare. “Mendoj se kriza ekonomike në Portugali do të zgjasë edhe 10 vjet, parashikon ai. Mungon perspektiva. Të gjithë ata që njoh, dëshirojnë të vijnë këtu, në Angola”.