Në ankandin tretë në historitë letrave afatgjatë me vlerë, është shitur vetëm 53% e shumës së planifikuar…
Ministria e Financave nuk ka arritur të shesë dot të gjithë shumën e kërkuan në ankandin e obligacioneve me afat maturimi 10 vjeçar.
Bankat dhe institucionet e tjera financiare nuk kanë shfaqur interes për të investuar në letra me vlerë afatgjatë, në ankandin që ishte i treti në radhë në historinë e emetimeve të letrave me vlerë 10 vjeçare në Shqipëri.
Sipas rezultateve të ankandit, për obligacionet 10 vjeçare variabël, shuma e shpallur për shitje ishte 1 miliardë lekë, ndërkohë që kërkesa ishte vetëm 150 milionë lekë. Kuponi arriti në 6.3%.
Edhe për obligacionet 10 vjeçare fikse, shuma e shpallur për shitje ishte 2 miliardë lekë, ndërkohë që kërkesa ishte 1.45 miliardë lekë. Kuponi ishte 9.34%, nga 9.15 që ishte kuponi indikativ, me tendencë rritëse për shkak të kërkesës së ulët.
Në total, financat kanë siguruar 1.6 miliardë lekë borxh afatgjatë, nga 3 miliardë që shpresonin, pra vetëm 53% të shumës së planifikuar.
Kjo është hera e parë që financat “dështojnë” në shitjen e obligacioneve 10 vjeçare në lekë. Në dy ankandet e mëparshme, zhvilluar përkatësisht në nëntor 2014 dhe janar 2014, kërkesa ka qenë më e lartë sesa shuma e ofruar për shitje. Në ankandin e janarit , kuponi ishte 9.25%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.