Kosto e borxhit të qeverisë ka shënuar një tjetër rritje gjatë kësaj jave. Në ankandin e radhës të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë për llogari të financave, yield-i mesatar i ponderuar për bonot 12 mujore rezultoi 3.3%, nga 3.28% që ishte në ankandin e radhës me të njëjtin maturitet. Shuma e shitur ishte 7 miliardë lekë, ndërsa ajo e kërkuar arriti në 7.5 miliardë lekë.
Për bonot 3 mujore, shuma e shitur ishte 2.3 miliardë lekë, ndërsa yield-i shënoi një rënie të lehët në 3.1%, nga 3.12% në ankandine mëparshëm.
Në fund të vitit ka gjithnjë një rritje të kërkesës për letra me vlerë nga qeveria për shkak të maturimit të bonove.
Muajt e fundit financat po hasin me një tërheqje të bankave (që janë aktorët kryesorë në tregun e letrave me vlerë të qeverisë) nga blerjet e borxhit afatshkurtër, një strategji që duket se po orientohet nga bankat mëmë.
Nga ana tjetër edhe të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave flasin për një përshpejtim të strategjisë së bankave me kapital perëndimore në tkurrjen e bilancit të filialit të tyre në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.