Konflikti mbi Gjibraltarin do të pasohet nga konflikte të tjera dypalëshe
Nga kampi i emigrantëve Calais në muzeun Elegin të skulpturave prej mermeri, Brexit u ka dhënë shteteve europiane mundësinë për të bërë publike ankesat e tyre, shkruan The Economist.
Vetëm disa ditë pasi Theresa May nisi negociatat e Brexit, një lider i mëparshëm i Partisë Konservatore, Michael Howard, u shpreh se Kryeministrja duhet të nisë një luftë të ngjashme me atë të Falkland, për të shpëtuar Gjibraltarin nga Spanja. Por që të vihej në lojë edhe e ardhmja e Gjibraltarit gjatë Brexit, nuk pritej dhe as nuk duhet të kishte ndodhur.
Spanja gjithmonë është shprehur se do ta bënte publike një çështje të tillë. Duke qenë se Britanisë për të nënshkruar një marrëveshje të re tregtare i duhet aprovimi unanim i shteteve të tjera të BE-së, kjo u jep atyre mundësinë që të bëjnë publike çdo ankesë apo pakënaqësi që mund të kenë.
Konflikti filloi kur Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian, vendosi në draftin e udhëzimeve për Brexit edhe një dispozitë, sipas së cilës thuhej se çdo marrëveshje tregtare e ardhshme mbi Gjibraltarin do të nënshkruhej vetëm nëse edhe Madridi do të binte dakord.
Mbështetësit e Brexit shprehën në tone të larta mosaprovimin e tyre, në atë që panë si përpjekje të spanjollëve për të vënë në pikëpyetje sovranitetin britanik mbi Gjibraltarin, prandaj lordi Howard solli sërish në vëmendje luftën e Falklandsit.
Është më se i vërtetë fakti se Spanja e ka kundërshtuar gjithnjë sovranitetin britanik mbi Gjibraltarin, madje që në momentin kur ai u miratua në Traktatin e Utrechtit në vitin 1713. Spanja gjithashtu ka ankesa mbi Aeroportin e Gjibraltarit. Megjithatë, shqetësimet e tanishme të Madridit nuk janë në lidhje me sovranitetin, por në lidhje me konkurrencën e një regjimi me taksa të ulëta në Gjibraltar, shqetësim të cilin e kanë edhe shumë shtete të tjera anëtare të BE-së, që i druhen faktit se një Britani post-Brexit mund të ndjekë shembullin e Gjibraltarit.
Përveç kësaj çështjeje, mbështetësve të Brexit, do t’i duhet që të përgatiten edhe në lidhje me bërjen publike të ankesave të tjera që mund të lindin gjatë kësaj kohe.
Një prej tyre është edhe traktati “Le Touquet” me Francën, që vendosi kontrollin britanik mbi kufijtë në Calais. Charles Grant, i Qendrës për Reforma Europiane, një “think-tank*” institucion i pavarur nga BE-ja dhe që ka si synim përmirësimin e saj dhe mbi të gjitha, forcimin e rolit të BE-së në botë, vë në dukje faktin se të tre kandidatët pretendentë në zgjedhjet presidenciale po premtojnë daljen nga kjo marrëveshje, që shikohet si një prej arsyeve kryesore të formimit të kampeve të ndryshme të emigrantëve rreth Calaisit.
Kjo gjë rrezikon rikthimin e kohës kur azilkërkuesit dërgoheshin nëpërmjet Tunelit për t’u vendosur në kampet e Doverit.
Një tjetër ankesë mund të vijë nga Irlanda. Por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me asnjë pakënaqësi të dyanshme, sepse si Londra ashtu edhe Dublini, shprehen të bindura për të mos vendosur sërish një kufi të ashpër midis Republikës Irlandeze dhe Irlandës së Veriut, por në përputhje me të gjitha rregullat dhe kontrollet doganore.
Megjithatë, kufiri nuk është vetëm një çështje e dyanshme, sepse ai do të ekzistojë midis një Britanie post-Brexit dhe BE-së.
Një ankesë tjetër mund të jetë pakënaqësia e shkaktuar nga posti i zëvendëskomandantit të përgjithshëm të Forcave të Bashkuara të NATO-s në Europë. Ky post është mbajtur gjithnjë nga një britanik. Por sipas Malcolm Chalmers, zëvendësdrejtor i RUSI (Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara) një institucion britanik raporton se roli i BE-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është rritur, por nuk është kjo ajo që po diskutohet nga anëtarët e BE-së. Ata janë duke diskutuar mbi faktin se posti i zëvendëskomandantit nuk duhet t’i jepet më një britaniku por njërit prej tyre, me shumë mundësi një francezi.
Pastaj është çështja shumë e diskutuar mbi peshkimin, e cila do të jetë e ligjshme në negociatat shumëpalëshe të Brexit. Por peshkimi mund të shndërrohet edhe në një konflikt shumë të ashpër të dyanshëm, sepse peshqit mund të lëvizin nga ujërat e territoreve të tyre. Znj. May e bëri të qartë faktin se Britania do të marrë përsëri kontroll mbi peshkimin. Por disa vende, sidomos Spanja dhe Franca, kanë të drejta historike për të peshkuar në ujërat britanike, të drejtë të cilën ata duan të vazhdojnë ta kenë edhe në të ardhmen.
Mosmarrëveshjet mbi peshkimin mund të bëhen shumë të ashpra dhe mund të shkojnë deri aty sa të shkaktojnë luftëra si “Lufta e Merlucit” e vitit 1970, midis Britanisë dhe Islandës.
Peshkatarët britanikë duan që të kenë akses të plotë në tregjet e BE-së.
I vetmi shtet që ka dalë jashtë BE-së përpara Britanisë, ka qenë Groenlanda, e cila u largua në vitin 1982. Asaj iu deshën tre vjet për të negociuar kushtet tregtare mbi eksportin e peshkut.
Kjo listë me ankesa dhe pakënaqësi mund të mos ketë fund. Rivalitetet anglo-franceze kanë një histori tejet të gjatë.
Disa qipriotë dhe maltezë mund të rikujtojnë padrejtësitë koloniale. Tina Fordham, një analiste politike në Citi, nuk është e vetme në parashikimin e saj se Greqia do të kërkojë të hapë sërish çështjen e Muzeut Elgin, për të marrë skulpturat e mermerit nga muzeu britanik dhe t’i sjellë ato në Muzeun e Akropolit në Athinë. Brexit po i jep pjesës më të madhe të shteteve anëtare të BE-së mundësinë për të shfaqur çdo pakënaqësi që ato mund të kenë dhe nuk është aspak çudi që shumë do ta bëjnë një gjë të tillë.
*Think tank-et, ose institucionet e kërkimeve të politikave publike, analizës dhe angazhimit janë organizata që gjenerojnë kërkime të orientuara nga ndryshimi i politikave, analiza dhe këshilla mbi çështjet vendore dhe ndërkombëtare, në përpjekje për t’u mundësuar politikëbërësve dhe publikut marrjen e vendimeve të bazuara në të dhëna rreth çështjeve politike publike.