Instituti i Statistikave raportoi se në tremujorin e tretë të vitit shkalla e papunësisë në vend ishte 13.6%. Kjo shkallë është 1.1% më e ulët sesa i njëjti tremujor i një viti më parë dhe 0.3% më pak se tremujori i dytë i këtij viti. Referuar shifrave të anketës së Forcave të Punës vihen re disa tendenca të tregut. Së pari sektorët që kanë gjeneruar më shumë punësim kanë qenë shërbimet dhe industria në raport me tremujorin e 2016-ës ndërsa bujqësia ka vijuar të tkurret. Kurse në raportin femra dhe meshkuj të papunë, shkalla mbetet më e lartë tek të dytët.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës
INSTAT vlerëson se në tremujorin e tretë të vitit 2017, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 67,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 0,2 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues është rritur me 0,3 pikë përqindje.
“Për femrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 58 %, ndërsa për meshkujt ky tregues është 76 %. Për meshkujt, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ka rënë me 1,2 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt është rritur me 0,7 pikë përqindje” thuhet në anketë.
Pjesën dërmuese të pjesëmarrësve në forcat e punës e përbën grupi I atyre që I përkasin moshës 30-64 vjeç me 77.5 për qind kurse tek të rinjtë shkalla e pjesëmarrjes mbetet relativisht me ulët me 45.2%.
Punësimi sipas anketës
“Shkalla e punësimit për meshkujt 15-64 vjeç është 64,7 %, ndërsa për femrat 50,5 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e punësimit për meshkujt është rritur me 1,3 pikë përqindje, ndërsa për femrat ka rënë me 0,3 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 33,5 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2017, shkalla e punësimit është 69,3 % Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2016 në tremujorin e tretë të vitit 2017, është 1,9 %.” nënvizon INSTAT.
Nga ana tjetër në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 8 % në sektorin e shërbimeve dhe 0,8 % në sektorin e industrisë. Në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 3,8 %.
“Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2017, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart pësoi një rritje prej 1,4 %. Punësimi u rrit në sektorin e industrisë me 3,4 %, në sektorin e shërbimeve me 1,6 %, dhe në aktivitetet bujqësore me 0,1 %” thuhet në anketë.
Papunësia
Papunësia mbetet më e lartë për meshkujt nëse do ti referohemi shkallës zyrtare të papunësisë. Kjo shkallë tek meshkujt është 14,3 % dhe për femrat është 12,6 %. “Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 26 %. “Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2017 është 1,4 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e dytë 2017, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 0,4 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 10,6 %. Në terma vjetorë ky tregues pësoi një rënie prej 1,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë ka rënë me 0,2 pikë përqindje” thuhet në anketën e INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.