Anketimi i BSH: Instrumentet e pagesave që përdoren nga biznesi

08/05/2013 11:36 0 komente
images

Banka e Shqipërisë, në kuadrin e vlerësimit të përdorimit të instrumenteve të pagesave, në periudhën shkurt – mars 2012, është kryer një anketim me 400 biznese dhe janë analizuar përgjigjet e tyre. Anketimi është kryer në zonën Tiranë – Durrës ku është dhe përqendrimi kryesor i bizneseve dhe i transaksioneve bankare.

Analizimi i rezultateve dhe karakteristikave të evidentuara gjatë përpunimit të të dhënave të anketimit të bizneseve sugjerojnë përfundimet e mëposhtme.

– Instrumentet e pagesave më të pranuar nga bizneset (përveç kartës së debitit apo kreditit, që ishin kusht fillestar në realizimin e zgjedhjes së bizneseve), janë si vijon:

-“Transferta e kreditit” me 40.57 %. Pesha relativisht e lartë e përdorimit të këtij instrumenti është në përputhje me pritjet tona, pasi ky lloj instrumenti për vetë natyrën e tij mund të konsiderohet si një instrument më shumë i përdorur në transaksionet e bizneseve krahasuar me ato të individëve.

“Debitimi direkt” me 25.71 %. Në lidhje me përdorimin relativisht të lartë të këtij instrumenti vlerësojmë se, përtej përqindjes së konsiderueshme që zënë kompanitë të cilat ofrojnë shërbime utilitare në vrojtim, mund të diktohet edhe një familjarizim i kufizuar i bizneseve me këtë instrument, i cili konfirmohet gjithashtu edhe nga përgjigjet e bizneseve në lidhje me pranimin e këtij instrumenti për pagesa, të cilat është e pamundur të kryhen nëpërmjet këtij instrumenti. Përdorimi, gjithsesi, disi i gjatë në kohë i “debitimit direkt” lë për të dyshuar në njohjen e saktë të tij, duke favorizuar kështu nevojën për thellimin e edukimit financiar.

Ndërkohë ashtu siç pritej, pranimi i “çekut” me 14.39 % dhe “e-banking” me 13.21 % konfirmon peshat e ulëta, të cilat zënë këto lloj instrumentesh ndaj totalit të instrumenteve, sipas raportimeve të bankave pranë Bankës së Shqipërisë.

– Bizneset që pranojnë pagesat nëpërmjet POS-ve, vlerësojnë se ndikimin më të madh në adoptimin e këtyre instrumenteve e kanë pasur elementët: “niveli i sigurisë” dhe “besueshmëria”. Siguria dhe besimi duket se ndikojnë bizneset në adoptimin sistemeve të pagesës në bizneset e tyre. Ndërkohë, “integrimi lehtësisht në sistemet e biznesit” si dhe “lehtësia në përdorim” vlerësohen si dy tipare të tjera që kanë kontribuar ndjeshëm në adoptimin e këtyre sistemeve. “Kostot” duket se nuk kanë pasur shumë ndikim në adoptimin e POS për këtë kategori biznesesh.

– Bizneset të cilat nuk pranojnë pagesa nëpërmjet POS-ve, vlerësojnë se do të adoptonin këto mënyra pagesash nëse më shumë klientë do t’i kërkonin ato. Ky rezultat nga njëra anë mund të reflektojë mungesën e informacionit që kanë këto biznese në lidhje me aspektet pozitive të përdorimit të terminaleve POS, ndërkohë që nga ana tjetër mund të reflektojë edhe mungesën e një stimuli për përdorimin e POS-ve nga ana e tyre. Bazuar në përvojën ndërkombëtare, vihet re një përdorim i gjerë i praktikave të tilla stimuluese në lidhje me nxitjen e përdorimit të POS-eve kryesisht për bizneset e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, një faktor tjetër i rëndësishëm, i cili vlerësohet të ketë ndikim në adoptimin e POS-ve në bizneset e tyre, do të ishte reduktimi i kostove të adoptimit të kësaj mënyre pagese. Së fundi, sipas vlerësimeve të këtyre bizneseve, rritja e sigurisë së ofruar do të ndikonte pozitivisht në adoptimin e këtyre mënyrave të pagesave.

– Ndër tiparet e instrumenteve të pagesave, më të vlerësuara nga bizneset janë: “Kontakti me tregun: Rëndesa e numrit të blerësve që përdorin këto sisteme” i vlerësuar si “shumë i rëndësishëm” nga rreth 42.45 % e bizneseve dhe “Besimi: Sa besim keni në këto sisteme?” i vlerësuar gjithashtu si “shumë i rëndësishëm” nga 41.04 % e bizneseve.

– Tiparet e instrumenteve të pagesës, më pak të vlerësuar nga bizneset janë: “Avantazh relativ i çmimit: Sasia e parave që kurseni duke përdorur këto sisteme.” i vlerësuar si “më pak i rëndësishëm” nga 45.99 % e bizneseve dhe “Prezenca në treg: Sa keni dëgjuar për këto instrumente pagese?” gjithashtu e vlerësuar si “më pak e rëndësishme” nga 35.38% e bizneseve.

– Komisione të larta në përdorimin e POS. Vlerësojmë se pretendime të tilla mund të ngrihen dhe nga biznese të vogla, për të cilat gjithsesi kostot e POS, në kushtet e kostove të ulëta të përdorimit të cash-it, mund të jenë domethënëse. Megjithatë, një analizë më e thelluar e vlerësimeve të tilla, mund të shërbejë për qartësime të mëtejshme.

– Klientët i kërkojnë pak blerjet nëpërmjet instrumenteve elektronike, siç është POS, se nëse kërkohet në masë prej tyre, bizneset shprehen që janë të detyruar t’u përgjigjen dhe do t’u përgjigjen.

– Mungesa e informacionit për përdorimin e mjeteve të pagesës është akoma një çështje tjetër që evidentohet nga një pjesë e bizneseve. Ashtu si edhe në rastin e anketimit të individëve, vërehet se mungesa apo paqartësia e informacionit për një pjesë të bizneseve përbën një tjetër barrierë, e cila pengon përdorimin në masë të instrumenteve të pagesës nga bizneset.

– Mungesa e energjisë ngrihet në disa raste si shqetësim nga bizneset për përdorimin e mjeteve elektronike të pagesave, siç është POS. Pavarësisht rregullimit prej vitesh të gjendjes së energjisë elektrike, ndoshta janë shkëputjet e shkurtra ato që janë evidentuar prej tyre. Gjithsesi, vlen për t’u thënë që në pohimet e dhëna nga bizneset nuk përmendet në asnjë rast, në kushtet e ndërprerjeve të energjisë, zgjidhjet ‘back up’ të përkohshme nëpërmjet baterive. Mund të jetë mungesa e leverdisë në përdorim, por mund të jenë dhe arsyet e tjera të përmendura, gjë që vlen për t’u testuar në mënyrë më të detajuar më vonë.

– Këto instrumente pagesash jo-cash komentohen gjithashtu edhe pozitivisht si komode dhe efikase në përdorim. – Disa biznese shprehen gjithashtu që përdorimi i tyre është tashmë i nevojshëm dhe krijon një imazh modern për biznesin e tyre.

– Siguria, besueshmëria dhe lehtësia janë tipare të tjera të evidentuara për përdorimin e instrumenteve të pagesës jo-cash.

– Nga analizat e bëra vërehet gjithashtu që bizneset e mëdha (mbi 80 punonjës) përdorin më shumë instrumentet e pagesave se kategoritë e tjera të bizneseve.

– Gjithashtu, bizneset me xhiro mesatare më të lartë (mbi 200,000 Lekë) i përdorin instrumentet e pagesave më shumë se kategoritë e tjera të bizneseve.

– Në këto kushte, ashtu siç pritej nga përvoja ndërkombëtare, edhe në tregun shqiptar madhësia e biznesit dhe të ardhurat e tij janë faktorë domethënës në pranimin dhe përdorimin e instrumenteve elektronikë të pagesave.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.