Pas floririt dhe dollarit a do të “zhgënjehen” shqiptarët dhe nga euro?! Ankthi i vendit, që ndonëse nuk është në euro, shpjegohet me shkallën e lartë të euroizimi të tij. Rreziqet që mund të vijnë nga kjo situatë
Nga Ornela Liperi
Në fillim ishte floriri, pastaj dollari dhe vitet e fundit euro. Shqiptarët kanë zgjedhur gjithmonë një mjet të sigurt të huaj pagese për të ruajtur kursimet e tyre, teksa historikisht monedha vendase është konsideruar si më me pak vlerë. Në kohën e Zogut ata u mbwshtetwn tw floriri, pasi panë që kartëmonedhat e tyre vendase të zhvlerësoheshin ndjeshëm1. Pas viteve ´90, ishte dollari ai që zëvendësoi floririn si një monedhë e sigurt. Në 2003-shi ishte euro, floriri i shqiptarëve, deri një javë më parë kur kriza e borxheve europiane tronditi dhe tek shqiptarët besimin për monedhën e tyre të “sigurt”. Ata vërshuan tek agjencitë e këmbimit valutor për të kthyer eurot në lekë, një dukuri që u vu re dhe në vendet e tjera (shiko lajmet nga rajoni në fq 37). Në pak ditë, leku u forcua ndjeshëm, për t´u zhvlerësuar sërish vetëm dy tre ditë më vonë, duke sjellë humbje për ata që humbën besimin se kursimet e tyre në euro ishin të rrezikuara.
Shqetësimi reflekton lidhjen e fortë të shqiptarëve me euron. Ndonëse vendit i duhet mëse një dekadë për të hyrë në monedhën e përbashkët niveli i euroizimit të ekonomisë është shumë i lartë. Euro është një mjet pagese thuajse i ligjëruar në shumë transaksione me vlerë të madhe, si pasuri të paluajtshme (troje e shtëpi) makina, e deri në pikat e shitjes me pakicë. Gati 70% e kredisë është në valutë, çka tre vitet e fundit i ka ekspozuar kredimarrësit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, e megjithatë, euro vijon të jetë e preferuar për të marrë kredi. Kursimet në monedhë të huaj (ku euro zë peshën absolute) janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë vitit të fundit, duke përbërë gati 49% të depozitave në fund të tetorit 2011, nga 45% që ishte kjo peshë në janar 2010.
Banka e Shqipërisë pranon që Shqipëria mbetet në terma relativisht të lartë të euroizimit, të matur në euroizim të aktiveve (raporti i depozitave në valutë kundrejt raportit të depozitave në monedhën vendase; euroizim i pasiveve (raporti i kredisë në valutë ndaj kredisë në lekë) dhe euroizim të transaksioneve (shkalla e transaksioneve në valutë kundrejt shkallës së transaksioneve në lekë).
Vetëm një vit më parë, Banka e Shqipërisë sinjalizoi bankat që të favorizonin përdorimin e monedhës vendase në ekonomi dhe në sistemin bankar shqiptar kundrejt përdorimit të monedhës së huaj2.
Sipas Bankës Qendrore, euroizimi i lartë i ekonomisë shqiptare duhet parë me një këndvështrim kritik pasi përmban disa rreziqe për ekonominë shqiptare:
-uljen e efektivitetit të politikës monetare, pra shkallën e kontrollit të Bankës së Shqipërisë mbi ekonominë shqiptare dhe sistemin bankar
-e ekspozon sistemin financiar, por edhe agjentët ekonomikë kredimarrës dhe kredidhënës ndaj rrezikut të lëvizjes së kursit të këmbimit, rrezik të cilin ata nuk mund ta neutralizojnë tërësisht përmes ndërtimit të instrumenteve mbrojtës në tregun financiar
-mund të krijojë probleme likuiditeti në valutë për ekonominë shqiptare, agjentët financiarë dhe sistemin bankar.
Tashmë që eurozona wshtë zhytur në një krizë, nga e cila po bëhet gjithnjë e më vështirë të dilet, edhe shqiptarët duket se do të vuajnë pasojat e preferencës që kanë pasur ndaj monedhës që dikur simbolizonte sigurinë për ta.
Fati i monedhës së përbashkët
A do t´i mbijetojë euro krizës më të rëndë që nga krijimi i saj, apo shtetet e eurozonës në drejtimin e Gjermanisë e Francës do të arrijnë të kalojnë provën më të rëndësishme në historinë e tyre. Fati i euros në dorën e Bankës Qendrore Europiane
Liderët eropianë janë angazhuar maksimalisht javët e fundit, në përpjekje për të stabilizuar euro zonën dhe për të shpëtuar monedhën e përbashkët, teksa zërat për një përçarje të mundshme sa vijnë e po shtohen. Ndërsa stuhia mund të shpërthejë në Itali, Gjermania ka marrë timonin në një test vendimtar për të zgjidhur situatën.
Në lëvizjen më të fundit, fundjavën e kaluar, Franca, Gjermania dhe 21 shtete të tjera kanë vendosur që të hartojnë traktatet e tyre për të vendosur më shumë kontroll mbi buxhetet nacionale. Britania dhe tre të tjerë kanë vendosur që të qëndrojnë jashtë. Gjatë javëve të ardhshme komenton The Economist, Britania mund ta gjejë veten dhe më shumë të izoluar. Suedia, Republika çeke dhe Hungaria duan kohë për t´u konsultuar me parlamentet e tyre dhe partitë politike përpara se të vendosin nëse do të bashkohen me unionin e ri brenda unionit.
Por a do të arrijë kjo marrëveshje e re që të stabilizojë euron? Analistët dyshojnë. Marrëveshja e fundit është e orientuar drejt disiplinës buxhetore dhe masave shtrënguese. Ajo bën pak për të gjeneruar para në afatin e shkurtër, në mënyrë që të parandalojë thellimin e krizës së borxheve kombëtare, dhe as nuk jep një perspektivë afat-gjatë mbi obligacionet e emetuara bashkarisht. Shumë do të varet nga mënyra se si Banka Qendrore Europiane do të përgjigjet në ditët dhe javët në vazhdim. Mario Draghi, presidenti i bankës Qendrore Europiane, sinjalizoi miratimin e tij, një votë kyçe besimi që do t´i mundësonte BQE-së të lëvizte në mënyrë më agresive në tregun e obligacioneve të eurozonës. “Do të jetë baza për një marrëveshje të mirë fiskale dhe më shumë disiplinë në politikën ekonomike të anëtarëve të zonës euro,” tha z. Draghi.
Disa dyshime mbeten nëse dhe si zona “euro-plus” do të ketë akses në institucionet e BE-së si Komisioni Europian, i cili zhvillon vlerësime ekonomike dhe rekomandon veprime, dhe Gjykata Europiane e Drejtësisë, për të cilën Gjermania shpreson se do të sigurojë që shtetet të zbatojnë si duhet rregullat e buxhetit të balancuar.
Pa një marrëveshje midis të gjitha 27 shteteve, mbetet e paqartë nëse do të mund të detyrohen të zbatohen rregullat e reja fiskale, për të cilat premtuan liderët e samitit. Institucionet e BE-së më i rëndësishmi, Komisioni Europian, i cili mbikëqyr dhe kalon gjykimin për rregulla të tilla në Bruksel në mënyrë ligjore nuk mund të ketë një rol formal në çdo marrëveshje jashtë traktateve të BE-së.
J. Manuel Barroso, presidenti i Komisionit, tha se ai besonte se kishte mënyra për të tejkaluar vështirësitë ligjore të marrëveshjes. Por zyrtarë të lartë të BE-së pranuan se do të ishte e vështirë që t´i jepje Brukselit fuqi të reja mbi buxhetet kombëtare të eurozonës jashtë traktateve të BE-së, dhe diplomatët shprehën shqetësimin se tregjet financiare nuk do ta shihnin paktin e ri si të besueshëm.
Por veçanërisht për Francën, e cila ka rrezik që të humbë vlerësimin e saj të kreditit prej AAA dhe që është partneri i vogël i Gjermanisë, kjo ishte një fitore e famshme politike. Presidenti Nicolas Sarkozy prej kohësh kishte favorizuar krijimin e një eurozone “bazë” pa britanikët e pakëndshëm, skandinavët dhe europiano lindorët, që zakonisht ndjekin politika më liberale dhe më të orientuara nga tregu.
Marrëveshja fiskale
– çdo qeveri duhet të përshtatë një “rregull të artë” për të siguruar një buxhet të balancuar (një deficiti strukturor prej jo më shumë se 5%)
– Gjykata Europiane e Drejtësisë duhet të sigurojë që rregullat kombëtare fiskale të përputhen
– Gjoba automatike për qeveritë që thyejnë kufirin prej 3%, përveçse kur shumica e cilësuar vendos ndryshe
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.