Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve organizoi sot një takim me përfaqësues të bizneseve që ushtrojnë veprimtari në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të mishit dhe qumështit.
Takimi kishte në fokus informimin e përfaqësuesve të kësaj industrie mbi zbatimin e aksionit antiinformalitet, marrjen e mendimeve dhe sugjerimeve nga kjo industri lidhur me këtë aksion, si dhe evidentimin e sfidave dhe problematikave të përbashkëta me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit me biznesin.
Formalizimi i sektorit, kontrollet në bazë të riskut, lehtësimi i procedurave tatimore për këtë sektor, ishin disa nga pikat e tjera që u trajtuan gjerësisht në takim.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të marrë në konsideratë propozimet e kësaj industrie dhe shpreh gatishmërinë për të adresuar në mënyrën e duhur të gjitha shqetësimet e biznesit lidhur me performancën e Administratës Tatimore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.