Një nga kontratat më të rëndësishme në fushën e hidrokarbureve në vend, duket se do të anulohet nga qeveria shqiptare. Mësohet se Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë si dhe Avokaturës së Shtetit një shkresë zyrtare, ku i kërkon gjetjen e një kompanie konsulente, e cila të ketë eksperiencë në fushën e arbitrazhit, pasi çështja e anulimit të kontratës rrezikon të përfundojë në drejtësinë ndërkombëtare.
Në shkresën e firmosur më datë 17 prill, kërkohet nevoja për konsultim, në mënyrë që shteti shqiptar të jetë i parapërgatitur në rast të një arbitrariteti të mundshëm. Në shkresë flitet për të anuluar një marrëveshje koncesionare mes një kompanie me kapital të huaj dhe Albetrol-it.
Nuk jepet konkretisht emri i kompanisë së cilës i kërkohet anulimi i marrëveshjes, por dihet që në tregun shqiptar operojnë dy kompani: “Bankers Petroleum” dhe “Stream Oil”, ndaj kuptohet që revokimi i licencës do të bëhet me një nga dy kompanitë e sipërcituara.
“Vizion Plus” raporton se nga informacionet që disponon, arsyeja e anulimit të koncesionit me një prej kompanitë e lartpërmendura është moszbatimi i kontratës së nënshkruar. Që prej 10 vitesh buxheti i shtetit nuk përfiton asnjë të ardhur nga kompanitë e naftës, pasi ato deklarohen pa fitim.
Por nga të dhënat e nxjerra nga Albetrol-i u faktua se në 8 vitet e fundit kompanitë kishin deklaruar shpenzime në më shumë se 1.5 miliardë dollarë, për të cilat nuk ekzistonte asnjë faturë.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.