Apartamentet në Tiranë, më të shtrenjta se në Paris, Milan e Nju Jork, sipas indeksit të aftësisë blerëse

13/02/2017 9:09 AM 2 komente
cmim ndaj tr

Një apartament në Tiranë mund të kushtojë mesatarisht 70-100 mijë euro, ndërsa në Milano e Paris, edhe 300- 500 mijë euro, por kur vjen puna për të llogaritur aftësinë blerëse të qytetarëve përkatës, kryeqyteti shqiptar rezulton më i shtrenjtë.

Një indeks i Numbeo.com rendit 269 qytete në botë, sipas raportit të çmimit mbi të ardhurat, që është treguesi më i mirë për të matur përballueshmërinë për blerjen e një apartamenti (sa më i ulët ky indeks, aq më mirë është).

Tirana gjendet në vendin e 235, duke u renditur mes qyteteve ku është më e vështirë për të blerë një shtëpi me të ardhurat e disponueshme. Parisi në Francë dhe Milano në Itali renditen përkatësisht në vendet e 231 dhe 232. Edhe më i lirë është Një Jorku, që gjendet në vendin e 194.

Ky indeks, sipas Numbeo, llogaritet përgjithësisht si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve ndaj të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, të shprehura si vite të ardhurash. Ai merr në konsideratë të ardhurat e disponueshme neto, një apartament mesatar prej 90 metra katrorë dhe çmimin për metër katror (si një mesatare e çmimit në qendër dhe në periferi të qytetit).

Në Tiranë, sipas këtij indeksi, duhen 17.4 vite të ardhura për të blerë një apartament, ndërsa në Milano, një familjeje i duhen 17 vite, në Parit 16.8 vite. Në Nju Jork duhen 12.7 vite, në Zyrih 10.1. Edhe në Vjenë, një destinacion shumë i preferuar i Europës, mjaftojnë 13.7 vite.

Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Sarajeva, me 12.9 vite. Në Shkup ky tregues është 15.6, në Podgoricë 14.1, Sofja dhe Selaniku e kanë 9.1, Athina 10.4. Qyteti më i shtrenjtë i rajonit, sipas fuqisë blerëse, është Beogradi, me 21.5 vite.

Në Europë, më i shtrenjti është Londra, ku do të duheshin 27 vite të ardhura për të blerë një apartament.

Beogradi dhe Tirana, më të shtrenjtët në rajon

Edhe në vlerë absolute, çmimet e apartamenteve në qendër të kryeqytetit janë ndër më të shtrenjtat në rajon, së bashku me Beogradin. Aktualisht, çmimet e apartamenteve brenda Unazës në Tiranë variojnë nga 1200-2000 euro për metër katror, por ka dhe disa zona që janë shtrenjtuar ndjeshëm. Në zonën e Televizionit shqiptar, çmimi i apartamenteve ka arritur në 3,000 euro për metër katror. Tendenca është në rritje. Banka e Shqipërisë konfirmoi së fundmi se indeksi i çmimeve të banesave në kryeqytet u rrit me rreth 4% në tremujorin e fundit. Agjentët e real estate dhe ndërtuesit presin që kjo tendencë të vazhdojë edhe këtë vit.

Aktualisht, nivelin më të lartë të çmimeve në rajon për qendrën e ka Beogradi, me mesatarisht 2000 euro për metër katror, por për hyrjet luksoze arrin edhe në 4000 euro, sipas Eurobank Property Services. Çmime mes 1500-2000 euro/m2 ka dhe Podgorica.

Në rajon, më i lirë mbetet kryeqyteti i Maqedonisë, ku çmimet po bien që prej vitit 2011, pas një rimëkëmbjeje të shkurtër në 2010-n. Në Shkup, çmimi mesatar i banesave ra me 1.8% në 2015-n në MKD 52,916 (USD 963) për metër katror, në raport me vitin e mëparshëm, sipas institutit maqedonas të statistikave

Në Sarajevë, çmimet mesatare të apartamenteve në qendër janë rreth 1400 euro/m2.

Por, ndryshe nga qendra, periferia në Tiranë është më e lira në rajon dhe luhatet mes 450-600 euro për metër katror, ndërsa në vendet e rajonit është minimum 800 euro/m2.

top 10 sipas normes cmim ndaj tr

cmim ndaj tr

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

2 Komente në "Apartamentet në Tiranë, më të shtrenjta se në Paris, Milan e Nju Jork, sipas indeksit të aftësisë blerëse"

Notify of

Sort by:   newest | oldest | most voted
Guest
Erind
9 ditë 5 orë më parë

eshte normale, duke pasur parasysh nivelin kapilar te informalitetit, ku te gjithe kane pjesen e vet te tortes dhe te pergjegjesise, nga shteti, tek ndermjetesit, tek ndertuesit dhe tek bleresit. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet qe fjala vjen nje i dyshuar për krime, i deklaruar pa pune dhe me ndihme ekonomike, ka 9-10 apartamente e dyqane vetem ne Tirane. PO ne rrethe???

Guest
Erind
9 ditë 5 orë më parë

eshte normale, duke pasur parasysh nivelin kapilar te informalitetit, ku te gjithe kane pjesen e vet te tortes dhe te pergjegjesise, nga shteti, tek ndermjetesit, tek ndertuesit dhe tek bleresit. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet qe fjala vjen nje i dyshuar për krime, i deklaruar pa pune dhe me ndihme ekonomike, ka 9-10 apartamente e dyqane vetem ne Tirane. PO ne rrethe???

wpDiscuz