E PERDITESUAR/ Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të gjykohet në gjendje “arrest shtëpie” pas rivlerësimit të masës nga ana e Gjykatës së Apelit.
Avokati Haxhia nuk u shpreh i kënaqur nga vendimi sepse sipas tij nuk duhet të kishte masë fare sepse nuk ështe konsumuar vepra penale. Pritet që masa të shkojë në rekurs në Gjykatën e Lartë.
Gjatë deklarimeve në Gjykatën e Apelit Fullani ka thënë se në të gjithë rrugëtimin e tij 30 – vjeçar është udhëhequr nga ligji dhe ndershmëria. Çështjen e vjedhjes së Thesarit e konsideron si një veprim të veçuar nga historia e Bankës.
Sipas z. Fullani, institucionet ndërkombëtare e kanë parë këtë institucion si një histori suksesi. Ai tha se synimi i tij ka qenë që BSH-ja të bëhet një institucion i ngjashëm me ato simotra në Europë. Nga ana tjetër ai tha se histori të tilla kanë ndodhur, ndodhin dhe do të ndodhin. Denoncimi nga vetë ana e Bankës sipas tij tregon se të gjithë kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë.
Për gati një orë avokati i z. Fullani, Maks Haxhia ka argumentuar se kjo është një masë ekstreme, pasi nuk paraqet rrezik dhe në një kohë kur është një ish-guvernator nuk mund të prishë më provat.
Rreth orës 12.00 në Gjykatën e Apelit ka mbërritur ish-Guvernatori Adrian Fullani, njëri prej gjashtë të pandehurve që u paraqitën për rivlerësimin e masës së sigurisë. Fullani hyri në ambientet e gjykatës i shoqëruar nga katër oficerë policie, për të kërkuar një masë më të lehtë gjykimi. Trupi i treshes gjykuese kryesohet nga Alaudin Malaj.
Për ish-Inspektoren e Përgjithshme Elivar Golemi, Gjykata e Apelit vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë, duke lënë atë të arrestit me burg.
Gjatë deklarimeve të saj para trupit gjykues, znj.Golemi u shpreh se kjo ishte ehera e parë që asaj i jepej mundësia rtë fliste. Sipas saj gjatë periudhës 2008-2010 nuk është kryer adutim, ndërsa ajo e ka marrë detyrën në vitin 2011. “ Çdo veprim është bërë në mungesën time”, deklaroi ajo para togave të zeza.
“Kam dorëzuar të gjithë punën e bërë te inspektori dhe nuk e kuptoj akuzën që mund të prish provat. Kam raportuar te Këshilli Mbikëqyrës me periodicitet, një herë në 3 muaj dhe atë e kam depozituar pranë Komisionit parlamentar të Ekonomisë”, deklaroi ajo.
Fullani pas arrestimit dhe vendimit të Gjykatës së Tiranës ( 7 shtator) u dërgua për në ambientet e burgut 302. Ish-guvernatori Fullani u shkarkua të enjten e kaluar nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë, ndërsa në seancën e radhës parlamentare të kësaj të enjteje (18 shtator) shkarkimi i tij pritet të jetë në rendin e ditës dhe të aprovohet edhe në Kuvend.
Mësohet se inventarizuesi Ilir Dedaj do të gjykohet sërish në gjendje “arrest shtëpie”. Po kështu gjykata vendosi ndryshimin e masës së arrestit për kryeinventarizuesin e një grupi Bahri Allushi, nga arrest me burg në arrest shtëpie. E pandryshuar ka mbetur edhe masa e sigurisë për inventarizuesen Fatbardha Gurthi e cila do te gjykohet në gjendje “arrest shtëpie”.
Më herët edhe ambasadori Alexandër Arvizu zhvilloi një takim me kryeparlamentarin Meta, ku siç u tha u diskutua edhe për emrin e ardhshëm të Guvernatorit të ri.
Vëmendja duhet të përqendrohet te stabiliteti financiar, te një proces që duhet të shqyrtohet me shumë kujdes. Situata duhet të stabilizohet dhe gjithçka duhet të jetë apolitike, ka shumë teori konspirative dhe kjo nuk e ndihmon këtë cështje. T’i lëmë pavarësi sistemit gjyqësor.
Fullani para GJykatës
Ish-guvernatori Ardian Fullani ka pohuar në sallën e Gjykatës së Apelit, se kjo ngjarje ishte shumë e rëndë dhe banka e ka denoncuar.
“Lajmi për vjedhjen na erdhi si një rrufe në qiell të hapur. Duhen marrë masa që ngjarja të mos përsëritet më. Kam punuar me korrektësi dhe ndershmëri. Kam punuar 30 vite si bankier dhe 10 vite si Guvernator” tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.