Agjencia e Prokurimit Publik, në një njoftim të fundit, drejtuar të gjithë autoriteteve kontraktore, u ka bërë me dije procedurat e prokurimit për vitin e ardhshëm.
Agjencia e Prokurimit Publik, njofton se, në ushtrim të detyrave të saj sipas parashikimeve të nenit 13, pika 2/d të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” të ndryshuar (në vijim “LPP”), nenit 70, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, të ndryshuar, si dhe VKM Nr. 807, datë 16.11.2016 “Për disiplinimin e angazhirneve buxhetore”, të ndryshuar, me qëllim mirëfunksionimin e sistemit të prokurimit publik dhe minimizimin e numrit të procedurave të prokurimit “negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, rekomandon si më poshtë vijon: Të gjitha autoritetet kontraktore të fillojnë procedurat e prokurimit për objektet (malli,punë,shërbim) të parashikuara për vitin 2019, përsa kohë që fondet i kanë të parashikuara dhe në çdo rast brenda kutirit buxhetor për vitin 2019.
Për këtë qëllim, APP njofton se autoritetet kontraktore duhet të vijojnë menjëherë punën për krijimin në Sistemin e Prokurimit Elektronik të elementit përkatës të procedurës së prokurimit që do të zhvillojnë, për mbulimin e nevojave të vitit 2019, në regjistrin e parashikimeve të procedurave të prokurimit për vitin 2018.
“Zërat përkatës të krijuar në regjistër, për procedurat e prokurimit të vitit 2019, do të kontrollohen nga APP në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nëse fondet përkatëse janë ose jo brenda tavanit buxhetor të miratuar për autoritetin përkatës kontraktor. “- thuhet në njoftim.
Por, më tej, APP njofton bizneset që të bëjnë kujdes! Legjislacioni i prokurimit publik, konkretisht, rregullat e prokurimit publik i njohin të drejtën autoriteteve kontraktore që të nisin procedurat e prokurimit dhe t’i zhvillojnë ato deri momentin e shpalljes së njoftimit të fituesit, ndërsa lidhja e kontratës do të bëhet vetëm pasi fondi të jetë në dispozicion (në llogarinë përkatëse) të autoritetit kontraktor.
Referuar sa më sipër, me qëllim rritjen e performancxës së menaxhimit të fondeve nga autoritetet kontraktore, mirëfunksionimin në tërësi të sistemit të prokurimit publik, rekomandojmë shpalljen e menjëhershme të procedurave të prokurimit për vitin 2019.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.