Apple arrin për herë të parë vlerën në treg prej 800 mld USD

11/05/2017 12:24 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Apple

Apple është shoqëria e parë në botë që arrin një vlerë tregu prej 800 miliardë dollarësh. Këtë e bën të ditur Bloomberg.
Ky nuk është rekordi i parë – dy vjet më parë, në vitin 2015, Apple e tejkaloi shifrën prej 700 miliardë USD – dhe ky mund të mos jetë i fundit.
Ka nga ata që shikojnë përtej këtij rekordi. Aktualisht Cupertino mund t’i gëzohet vlerës për aksion që ka arritur në 153,99 dollarë.

Kjo periudhë pozitive nisi në nëntor, me zgjedhjen e Trump si President në Amerikë. Gjatë kësaj kohe, vlera e aksioneve të prodhuesit të iPhone ka fituar thuajse 50 për qind, 30 për qind duke nisur nga janari, falë pritshmërisë për modelin e telefonit të ri.

Meritën për rritjen e vazhdueshme të të ardhurave e ka politika e diversifikimit e ndjekur nga Tim Cook. Nëse tregu i smartphone-ve vijon të jetë i pari për Apple, ai i shërbimeve po fiton gjithnjë e më shumë terren – si për shembull App Store dhe iCloud, me prezantimin edhe të produkteve të tjera, si për shembull Apple Watch dhe AirPods.

Por beteja e vërtetë është tejkalimi i shifrës rekord (nga 9 zero në 18 zero). Apple është në avantazh pasi është shoqëria e parë në botë që mund të arrijë vlerën e 1 trilion dollarëve në treg. Disa analistë kanë përllogaritur se kjo mund të arrihet falë kostos së aksioneve dhe luhatjeve financiare. Apple mund t’i afrohet këtij kufiri, në fund të vitit 2017 dhe fillimit të 2018-s.

Ndërkohë ka tejkaluar ekonominë e 45 shteteve të SHBA-së (nga 50 që janë gjithsej), ku bëjnë përjashtim vetëm Ilinoisi, Florida, Nju Jorku, Teksas dhe Kalifornia dhe pothuajse çdo kompani tjetër e madhe në botë.

Burimi: Corriere della Sera

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz