Sipas klasifikimit të përvitshëm të Fortune, i publikuar disa orë më parë, Apple fiton për të 12 vit me radhë, titullin e kompanisë më të admiruar në botë.
Rishikimi në ulje i të ardhurave për tremujorin e parë 2019 nga kompania me seli në Cupertino, Kaliforni, duket se nuk ka ndikuar në mendimin e ekspertëve, të cilët vijojnë ta konsiderojnë grupin të fortë dhe fitimprurës.
Klasifikimi i Fortune “World’s Most Admired Company” përgatitet çdo vit nga Fortune në bazë të pikëve që jepen nga një panel me 3750 drejtues kompanish, analistësh, investitorësh dhe ekspertë të sektorit. Nga analiza e të dhënave rezultoi se Apple është sërish kompania më e admiruar në botë, pavarësisht disa pengesave të vogla rrugës, një pozicion që e ruan për të 12 vit me radhazi.
Në vend të dytë të klasifikimit të Fortune është Amazon (për të tretin vit radhazi) ndërsa në vendin e tretë, Berkshire Hathaway. Në renditje është edhe Walt Disney, Microsoft, Alphabet, Netflix, JPMorgan Chase e shumë kompani të tjera. Samsung, një ndër rivalët kryesore të Apple, ndodhet në vendin e 50-të.
Apple u rendit e para në klasifikim duke marrë pikët më të larta në të gjithë kategoritë, si inovacioni, cilësia në menaxhim, përgjegjësia sociale, përdorimi i aseteve të korporatës, stabiliteti financiar, cilësia e produkteve dhe shërbimeve dhe kapaciteti konkurrues global. Mesatarja e rezultateve është 8.40, më e larta në gjithë kompanitë që u morën në analizë nga paneli i Fortune.
Lajmi konfirmon fuqinë e grupit me seli në Cupertino, pavarësisht disa pengesave të vogla, si rishikimi në ulje i të ardhurave për tremujorin e parë 2019. Grupi kalifornian, për shkak të situatës së vështirë në Kinë, ka shitur më pak iPhone në tremujorin e katërt 2018 se sa parashikimet.