Apple rishikon në ulje vlerësimet për të ardhurat në tremujorin e parë të vitit fiskal 2019, në 84 miliardë dollarë. Këtë e njoftoi CEO i Apple, Tim Cook, në një letër drejtuar aksionerëve.
Kompania me seli në Cupertino e shpjegon rishikimin me “dobësinë ekonomike në disa tregje në zhvillim, të cilat patën ndikim më të madh se ai që kishim parashikuar”. Kjo i referohet në veçanti, Kinës, ekonomia e së cilës “ka filluar të ngadalësohet në 6-mujorin e dytë të 2018-s” ndërkohë që rritja e PBB e raportuar nga qeveria, është e dyta më e ulët në 25 vitet e fundit.
Ndër të tjera, Apple beson se “mjedisi ekonomik në Kinë është ndikuar nga rritja e tensioneve tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rritja e paqartësive peshon në tregjet financiare, efektet duket se kanë prekur edhe konsumatorët. Të dhënat tregojnë se tkurrja e tregut të smartphone-ve në Kinë ka qenë veçanërisht e fortë”.
Në rezultatet e tremujorit të katërt të vitit 2018, Apple kishte vlerësuar për tre muajt aktual (rezultatet do të publikohen më 29 janar) të ardhura mes 89 – 93 miliardë dollarë, me një marzh bruto mes 38 – 38,5%. Një vit më parë, në tremujorin e parë 2018, Apple regjistroi 88,3 miliardë dollarë të ardhura dhe 20,1 miliardë fitime.
Për kompaninë amerikane, tremujori i parë është i rëndësishëm, pasi përfshin sezonin e festave të fundvitit dhe “Black Friday”, kur përqendrohen pjesa më e madhe e blerjeve dhe prezantohen iPhone-t e rinj.