UEFA ka zyrtarizuar kandidaturat e vendeve ku do të luhen finalet e kompeticioneve europiane, sezoni 2018/2019. Një ndër to është edhe stadiumi “Arena Kombëtare”, i cili është duke u ndërtuar në Tiranë, dhe që parashikohet të përfundojë brenda vitit 2018. Ky është një lajm mjaft i veçantë, i cili krijon një impakt të madh për kryeqytetin tonë.
Edicioni 2017 i Superkupës Europiane do të luhet në Arenën Kombëtare të Filipit II në Shkup (Maqedoni) ndërsa në 2018-n do të zhvillohet në Talin, Estoni. Për vitin 2019 përveç Tiranës (Stadiumi Arena Kombëtare), kandidatura të tjera janë: Tuluzë (Stadium de Toulouse), Budapest (Florian Albert stadion), Haifa (Sammy Ofer Stadium), Astana (Astana Arena), Belfast (Windsor Park), Gdansk (Arena Gdansk), Varshavë (Stadion Narodoëy), Glasgow (Hampden Park) dhe Stambolli (Besiktas Arena). UEFA do të japë vendimet përkatëse gjatë shtatorit të këtij viti.
Për trofeun më prestigjioz në botë, UEFA Champions League dy janë kandidaturat: Madridi dhe Baku.
Përkatësisht shtëpia e re e Atletico Madrid “Estadio Metropolitano” dhe “Olympic Stadium”, në kryeqytetin e Azerbajxhanit.
Gjithashtu UEFA duhet të përcaktojë vendin ku do të zhvillohet finalja e Europa League si dhe finalja e Champions League për femra. Kujtojmë se finalja e UEFA Champions League këtë vit do të luhet në Kardif (Uells) ndërsa në vitin 2018, në Kiev.
Impianti azer synon që të organizojë edhe finalen e Europa League, finalja e së cilës këtë sezon do të luhet në “Friends Arena” në Stokholm (Suedi) ndërsa në vitin 2018 në “Parc Olympique” në Lion (Francë). Për vitin 2019, përveç Baku kandidatura të tjera janë: Tbilisi (Dinamo Arena), Frankfurti (Commerzbank-Arena), Shtutgarti (Mercedes-Benz Arena), Glasgow (Hampden Park), Sevilje (Ramon Sanchez Pizjuan) dhe Stambolli (Besiktas Arena).
Për finalen e Champions League për femra, kandidaturat janë: Praga (Eden Arena), Budapesti (Florian Albert Stadion), Astana (Astana Arena), Kaunas (Darius & Girenas Stadium), Glasgow (Hampden Park) dhe Madridi (Coliseum Alfonso Perez, stadiumi i ekipit të Getafe-s).