Argjentina e fitoi një premtim për të marrë një kredi prej 57 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku ky i fundit ra dakord për dhënien e kësaj shume në mënyrë që Argjentina të ketë mundësi për të mbrojtur monedhën vendase dhe ta nxjerrë ekonominë nga recesioni, shkruan Bloomberg.
Në qershor, Argjentinës i ishte premtuar dhënia e një kredie me vlerë prej 50 miliardë dollarësh, e cila u rrit në 57 miliardë dollarë. Argjentina ka marrë tashmë 15 miliardë dollarë dhe do t’i jepet edhe një këst tjetër prej 35 miliardë dollarësh deri në fund të vitit 2019. Në këmbim, Presidentit të vendit, Mauricio Macri dhe shefit të ri të Bankës Qendrore do t’i duhet të forcojnë politikën. Argjentina, nga ana e saj, është zotuar për të përshpejtuar kursimet buxhetore dhe për të ngrirë furnizimin e parave në ekonomi, në përpjekje për të ulur inflacionin.
Z. Macri është përpara zhvillimit të zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm dhe po rrezikon duke bërë një fushata në mes të një ekonomie të tkurrur. Ai kërkoi ndihmën e FMN-së, edhe pse Fondi nuk shihet absolutisht me sy të mirë në Argjentinë, si pasojë e mosaprovimit të një programi kredie në vitin 2001 që çoi në zgjedhje të parakohshme dhe në një recesion të thellë. Ndërsa për vetë FMN-në, dhënia e kredisë do të ndikojë në rindërtimin e reputacionit të saj në një këtë vend.
Rivendosja e besimit
Dhënia e kësaj kredie “duhet t’i ndihmojë investitorët të flenë më të qetë gjatë natës”, tha Daphne Wlasek, një strateg makroekonomie në XP Investimet në Nju Jork. Sipas saj, kredia që do të marrë Argjentina duhet të eliminojë “mbështetjen e saj në financimin e jashtëm” për vitin e ardhshëm, tha ajo. Pesoja ka humbur më shumë se gjysmën e vlerës së saj gjatë këtij viti, ndërkohë që bonot e thesarit në dollarë janë rritur mbi 9%.
“Unë besoj se ky program do të jetë shumë i rëndësishëm në drejtim të rivendosjes së besimit të tregut dhe mbrojtjen e më të rrezikuarve”, tha shefja e FMN-së znj. Lagarde. Ministri i Ekonomisë së Argjentinës, Nicolas Dujovne, tha në një intervistë për shtyp se u kërkua rishikim i vlerës së kredisë, sepse kur rrethanat ndryshojnë, së bashku me të duhet të ndryshojë edhe programi”. Programi i Fondit do të zbatohet nga një ekip i ri drejtuesish në Bankën Qendrore të Argjentinës, e cila ka kaluar muaj të tërë duke u përpjekur për të forcuar monedhën vendase. Shefi i Bankës Qendrore, Luis Caputo, dha dorëheqjen javën e kaluar, duke theksuar se e bëri këtë për arsye familjare. Ai u zëvendësua nga Guido Sandleris, një akademik i cili ka qenë zëvendësministër i Ekonomisë.
Ngrirja e parave
Z. Sandleris shpjegoi të gjitha detajet e politikës monetare të mbështetura nga FMN-ja në një konferencë për shtyp të mbajtur në Buenos Aires. Ai tha se Banka Qendrore do të vendosë një “zonë ku nuk do të ndërhyhet” në drejtim të pesos, e cila do të fillojë në një nivel prej 34 deri 44 peso për dollarë, dhe do të rregullohet me 3% çdo muaj. Banka mund të përballojë shitje prej 150 milionë dollarësh në “raste ekstreme” për të mbështetur monedhën nëse lëviz jashtë asaj zone, tha ai.
Banka gjithashtu do të ndalojë vendosjen e normave të interesit që ndryshojnë brenda natës ose arritjen e një objektivi të caktuar për inflacionin. Politika e re do të bazohet në ngrirjen e rritjes së parasë në ekonomi. Furnizimi me para i Argjentinës është zgjeruar me rreth 2% në muaj. Z. Sandleris tha se objektivi i ri është arritja e 0% dhe Banka Qendrore do të fillojë të publikojë shifrat e përditshme që nga muaji i ardhshëm. Qëllimi kryesor në këtë drejtim është rënia e shpejtë e inflacionit, e cila është rritur me mbi 30%. Do të duhen të kalojnë disa muaj që këto masa të fillojnë të kenë ndikim në çmime, tha më tej z. Sandleris.
Banka Qendrore ka hequr dorë nga vendosja e një targeti të caktuar mbi inflacionin, pas rritjes së normave të interesit në mbi 60% në gusht, njëkohësisht edhe niveli më i lartë në botë. Ajo ka shpenzuar shumë për të mbrojtur peson, duke ulur rezervat me rreth 14 miliardë dollarë midis periudhës prill-qershor. Marrëveshja fillestare me FMN-në rimbush arkën e bankës, por thuajse të gjitha u shpenzuan shumë shpejt. Në kohën kur ishte në postin e shefit të Bankës Qendrore, z. Caputo fliste shumë rrallë në publik dhe pas ardhjes në krye të Bankës të z. Sandleris, shefja e FMN-së i bëri thirrje Bankës Qendrore për të pasur një komunikim më të mirë, një pikë kjo që ka krijuar probleme në bisedimet e huaja të këtij viti.
Gjatë muajit gusht, Presidenti Macri tha në televizionin kombëtar se FMN-ja kishte rënë dakord se do të rriste vlerën e kredisë, edhe pse znj. Lagarde kishte thënë vetëm se ajo do ta merrte në shqyrtim kërkesën e tij. Paratë e FMN-së do të ndihmojnë Argjentinën të plotësojë nevojat e financimit të jashtëm që z. Dujovne kohët e fundit i ka vlerësuar në 28 miliardë dollarë për vitin 2019.
Presidenti Macri ka premtuar edhe shkurtime buxhetore vitin e ardhshëm. Në një intervistë televizive, Presidenti Macri tha se me gjithë rënien e lartë të pesos, administrata e tij nuk bëri asnjë prej gabimeve të rënda të së kaluarës, si vendosja e kontrolleve të kapitale, modifikimi i sistemit bankar ose vendosja e një kursi të caktuar të pesos ndaj dollarit.
Sipas tij, ekonomia, e cila është tkurrur me 4.2% në tremujorin e dytë dhe fatkeqësisht parashikohet që të vazhdojë të ketë rënie edhe gjatë 2019, mund të largohet nga telashet që e kanë mbytur, “pa iu dashur të ndryshojë rregullat” kësaj here. Rishikimi i marrëveshjes u bë publik nga shefja e FMN-së, Christine Lagarde, dhe ministri i Ekonomisë së Argjentinës, Nicolas Dujovne.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.