Statistika/Të ardhurat doganore
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, niveli mesatar i taksës doganore pësoi një ulje prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u paraqitur në 1.4%, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD).
Por, për shkak të rritjes së vazhdueshme të volumit të tregtisë, vlera e të ardhurave doganore pësoi rritje, ndonëse të lehtë. Sipas të dhënave doganore, vlera e të ardhurave doganore për periudhën janar-qershor të këtij viti ishte 58.26 miliardë lekë, ose 3.5 % më e lartë se gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Të ardhurat nga akciza pësuan një rënie të lehtë gjatë kësaj periudhe. Sipas të dhënave doganore, deri në muajin qershor, të ardhurat nga akciza ishin 95 miliardë lekë, ose 1.5% më pak se vlera e të ardhurave të siguruar në gjashtë muajt e parë të vitit 2011.
Ndërkohë, të ardhurat nga TVSH, pësuan rritje. Vlera e këtyre të ardhurave, sipas të dhënave doganore ishte 43 miliardë lekë, ose 3.2% më shumë se një vit më parë.
Në strukturën e importit, pesha e produkteve që vazhdojnë të taksohen është e madhe. Nga të dhënat doganore, rezulton të taksohet rreth 78% e mallrave të importuara, ashtu si edhe vitin e kaluar. Dy vite më parë, taksat preknin rreth 80% të produkteve të importuara.
Ndryshe nga tendenca e parë deri vitin e kaluar, mallrat e pataksuara shënuan rënie në periudhën janar-qershor 2012.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera e këtij importi ra me 9%, ndërkohë që një vit më parë rritja ishte mbi 200%.