Bilanci i pagesave, 9 mujori 2012
Importet kanë shënuar një rënie si 9 mujor, me rreth 1%, duke shfaqur një trend rënës për herë të parë gjatë viteve të fundit, çka dëshmon për një frenim të konsumit në vend, siç është kontraktuar dhe më parë nga vëzhgimet e Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër eksportet kanë shënuar një rritje pozitive, ndonëse me ritme të ngadalësuara në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më bazë vjetore, eksportet janë rritur me 7.2%. Si rrjedhojë e rritjes së eksporteve dhe rënies së importeve, bilanci tregtar është tkurrur me rreth 6.4%.
Për 9-mujorin, remitancat kanë shënuar rënie me bazë vjetore prej 4.2%. Tkurrja ka qenë më e lartë në tremujorin e tretë, prej gati 10%, kohë që përkon me ashpërsimin e krizës greke. Krahas efekteve të krizës, remitancat kanë filluar dhe tendencën e tyre të rënies ciklike, teksa lidhjet me vendin mëmë fillojnë e zvogëlohen pasi kalon një dekadë.
Të ardhurat që u siguruan nga turistët e huaj në 9 muajt e parë të vitit ishin 873 milionë euro, pothuajse sa e njëjta periudhë e një viti më parë dhe më të ulëta se periudha 2008-2010. Në rënie kanë qenë shpenzimet e shqiptarëve jashtë. Për 9-mujorin 2012, shqiptarët shpenzuan 747 milionë euro, me një rënie të ndjeshme prej 13.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bilanci neto i të ardhurave e shpenzimeve nga turizmi, ndonëse është përmirësuar vazhdon të mbetet minimale, vetëm 130 milionë euro të hyra neto gjatë 9 muajve të vitit.
Pasi arritën kulmin në vitet 2008-2008, të ardhurat dalëse nga investimet, që përgjithësisht përfshijnë transferimet e fitimeve nga kompanitë e huaja që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, kanë shfaqur një tendencë rënëse. Megjithatë, në 9 muajt e parë të vitit, ato janë rritur lehtë në krahasim me periudhën përkatëse të një viti më parë, ndonëse kompanitë e huaja në pjesën më të madhe rezultuan me fitime më të ulëta përgjatë vitit 2011.
Investimet e huaja direkte shënuan një rritje të ndjeshme në 9 muajt e vitit 2012, duke u zgjeruar me 20% me bazë vjetore, një tendencë mjaft pozitive kjo duke pasur parasysh se vendi po përjeton një periudhë të ngadalësimit ekonomik. Gjithsesi, në pjesën më të madhe, rritja e lartë i dedikohet nivelit të ulët të investimeve në tremujorin e parë 2011, si rrjedhojë e tërheqjes së investitorëve pas trazirave të 21 janarit.
Burimi: Banka e Shqipërisë