Mirazhi i një “buzëqeshje” nga tregjet ndërkombëtare
Shqipëria ka debutuar më mirë se çdo herë në tregjet e kapitalit, kur arriti të marrë 500 milionë euro borxh, me normë interesi të fiksuar 3.55%, përmes një eurobondi të ri.
Qeveria u tregua e kënaqur me këtë rezultat, duke e parë si një tregues që vlerëson pozitivisht performancën e saj ekonomike. Përfitimi i parë për buxhetin është shpenzime për shërbimin e borxhit.
Mirëpo nga kjo shumë, askush nuk e di se sa do të shkojnë për investime kapitale nga buxheti. Ajo që dihet është se 200 milionët do të përdoren për të shlyer pjesën e mbetur të eurobondit të 2015-s që kishte interes më të lartë, ndërsa pjesa e tjetër, thotë Ministria e Financave, do të shkojë si mbështetje buxhetore.
Për të mësuar se sa më i lartë do të jetë efektiviteti i këtij eurobondi deri tani kemi deklaratën e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili tha se krijohen kushte që të rritet kreditimi, pasi është potencialisht e mundur që qeveria të kërkojë më pak hua nga tregu vendas, duke krijuar fonde të lira për biznesin.
Sigurisht, eurobondi është një tregues i mirë i stabilitetit makroekonomik dhe një shtrat i ngrohtë për rritje ekonomike, por për sa kohë mjedisi ekonomik dhe shoqëror shqiptar vuan nga probleme të tjera më të mëdha, efekti tek ekonomia reale në nivel biznesi dhe te familjet, mbetet si një djep që tundet bosh.
Për momentin, sipas të dhënave zyrtare dhe anketimeve, shumica e bizneseve, mbi 70%, siç thotë Banka Qendrore, nuk kanë plane për investime dhe nuk duan kredi. Në shtator, u dyfishua numri i bizneseve që kaluan në status pasiv. Sipas INSTAT, konsumi i familjeve për produktet bazë të shportës ka rënë.
Këta shembuj të dhënë telegrafikisht (lexo për më shumë në monitor.al) tregojnë se ekonomia ka të tjera probleme për të cilat është folur shpesh. Por së fundmi po vuan nga dy fenomene që janë ridimensionuar dhe po bëhen shqetësuese. Së pari, taksat. Këtë vit, pritet të propozohen të tjera ndryshime në taksa. Në dritë kanë dalë disa detaje, por jo zyrtare. Sido që të jenë ato, biznesi konfirmon njëzëri se është lodhur nga ndryshimet e shpeshta dhe pa efekt.
Ca më shumë që edhe propozimet e reja thjesht po korrigjojnë gabimet e bëra më parë, për të cilat biznesi ka folur, por nuk është dëgjuar. Kjo frekuencë e lartë e ndërhyrjeve të qeverisë, po krijon pasiguri të lartë te bizneset, duke bërë që planet për investime të mbeten pezull deri sa ujërat të qetësohen.
Biznesi sot nuk është në gjendje të krijojë një perspektivë të gjatë të zhvillimit më shumë se një vit, për shkak të këtyre politikave të shpeshta dhe me gabime, dhe po paguan kostot që vijnë minimalisht nga rikuperimi. Në çdo anketim të bërë, kur është pyetur biznesi se çfarë kërkon që të jetë i qetë në investime, ai përpara lehtësisë së taksave, kërkon rendin, sigurinë dhe garancitë që mjedisi fiskal dhe rregullat e qeverisë nuk ndryshojnë kaq shpesh.
Nga ana tjetër, është siguria publike. Krimi i rrugës ka shpërthyer me ngjarje ekstravagante. Agjencitë ligjzbatuese kanë qenë apatike dhe shpesh të implikuara deri në nivel më të lartë dhe policët, nën hijen e dyshimeve të eprorëve, mbeten indiferentë. Dhjetëra persona të kërkuar për krime enden të lirë rrugëve (ngjarja e fundit në Bllok).
Megjithëse statistikisht, numri mund të jetë më i ulët siç pretendon kryeministri, aftësia zbuluese mbetet e dobët. Tek opinioni publik ka shumë pasiguri dhe nga institucionet jepen pak garanci dhe ato në nivel deklaratash. Shumë ngjarje kriminale po mbeten pa autorë dhe shoqëria mendon se ligji nuk vepron, por mbizotëron drejtësia e rrugës.
Dhe në kushte kur siguria publike mbetet e cenuar dhe politikat qeverisës janë të pakonsoliduara, atëherë nuk ka vend për të folur për shanse për investime.
Mjedisi ynë ekonomik, përpara se të zhvillohet, kërkon siguri dhe stabiliteti makro nuk mjafton. Ndaj eurobondi mbetet një buzëqeshje që vjen nga tregjet përtej Shqipërisë, pasi ky tregu ynë vendas ka ngrirë nga frika dhe pasiguritë.