Ku po shkojmë?
Këtë javë publikuam një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar që tregon se shqiptarët (por edhe në Kosovë) renditen të fundit në Europë (pa pjesën e ish-republikave të Bashkimit Sovjetik) për të ardhurat për frymë. Por edhe pse ky tregues i rëndësishëm, nuk është i fundit, tani gati e dimë se në çdo raport, për çdo lloj fushe, ne do të renditemi në fund.
E vetmja “krenari” e kësaj jave ishte rezultati i Gallup, i cili na tregoi se, megjithatë, ne shqiptarët dimë t’ia bëjmë qejfin vetes, pra mundohemi të jetojmë, duke qenë ndër vendet e para, edhe pse jemi ndër më të varfrit. Jemi njerëz me pozitivitet, na tregoi Gallup.
Kjo ngjizje e çuditshme, në fakt, e ka një përgjigje. Edhe më herët Banka Botërore, por dhe ne vetë e kemi kuptuar se një pjesë e jona është lodhur duke luftuar për të rritur mirëqenien, të tjerët janë familjarizuar me të. Nga ana tjetër, ata që nuk e pranojnë faktin kanë ikur. Të dhënat e fundit treguan se 560 mijë shqiptarë janë larguar përgjithmonë nga Shqipëria gjatë 10 viteve të fundit, pasi kanë arritur të marrin një pasaportë të Bashkimit Europian – Ah, se edhe këtu jemi të parët.
Ky boshllëk i madh duket se nuk po trazon askënd. Por vërejmë se jeta shqiptare po ecën me rënie të lirë. Prej kohësh, Parlamenti po punon me gjysmën e tij, sepse opozita i ka braktisur seancat. Mazhoranca është fiksuar te vendime rastësore dhe që nuk prekin thelbin strategjik, që të na tregojë se ku po shkojmë drejt së ardhmes. Debati publik i shpërqendruar ndoshta enkas është kthyer në goditje me njolla turpi mbi skenarë të dalë nga prokuroritë.
Ka urrejtje për “oligarkët”, por askush nuk thotë se si duhen çliruar tregjet. Ka krim por askush nuk prodhon një vendim, a një opsion se si gjërat duhet të ndryshojnë rrënjësisht. Ekonomia po vuan nga mungesa e një profili të qartë afatgjatë dhe nuk po hidhet asnjë ide apo projekt. Ka vetëm dëgjesa publike, por jo të folura nga publiku.
Jeta ka marrë stilin e kryeministrit, i cili të paktën në tre rastet e fundit të kësaj jave, na tregoi se merr vendime dhe hedh propozime kontroversiale. Lejoi zhvillimin me hov të kumarit, por u shfajësua se nuk i kishte ditur përmasat dhe nuk e dinin se pas tij qëndronte në pjesën më të madhe krimi, ndaj vendosi t’i ndalojë.
Kur pati takimin me operatorët turistikë tha se duhet të ndalohet zhvillimi i fshatrave turistikë dhe të ndërtohen hotele, kur nuk është tharë ende boja e vendimeve për leje për fshatra turistikë në Jug të vendit. Na tha se nuk ka krim, por pak ditë më vonë, publiku mësoi se qenkan organizata kriminale të forta që ushtrojnë aktivitet intensiv brenda vendit e që mund të flasin pa droje dhe me pushtetarët, deputetë, kryebashkiakë duke iu premtuar votën në këmbim të favoreve.
Nëse po ecim, nëse po zhvillohemi siç thotë qeveria, atëherë ku po shkojmë? Apo duhet të familjarizohemi edhe me këtë situatë, si në një marrëdhënie dashurie edipiane mes viktimës dhe dhunuesit?