Nevoja për një pakt
Kriza politike aktuale do të ketë një fund. Është shpejt për të gjykuar përmasat dhe kohëzgjatjen por, gjithsesi, si çdo krizë që lind dhe mbaron, edhe kjo do të ketë fundin e saj.
Do të ketë shumë tension deri atëherë dhe sigurisht, do të sjellë me vete edhe koston e çmimin që duhet paguar për gjërat që na sollën në këtë pikë.
Në emër të qetësisë dhe sigurisë, shoqëritë u tremben krizave, por koha dhe përvoja e njerëzimit ka treguar se krizat i çojnë gjërat e bëra gabim në vendin e duhur kur zgjidhjet janë afatgjata.
Ne shqiptarët kemi të drejtë të druhemi nëse një marrëveshje e re politike, pra zgjidhje e krizës, nuk do të prodhojë një rezultat të dobishëm për të gjithë shoqërinë, por mund të jetë diçka pjesore apo, siç thuhet në zhargon, vetëm “për interesa partiako-politike”, sepse kështu ka ndodhur shpesh. Pra sot, megjithëse herët në dukje, i druhemi pyetjes se çfarë do të ndodhë kur kriza të shuhet dhe palët të arrijnë një marrëveshje.
Që rezultati të jetë sa më i drejtë, i dobishëm dhe me përfitime për të gjithë, kërkohet edhe përfshirja e publikut. Sigurisht që shqiptarët nuk mund të ulen të gjithë pranë tryezës së marrëveshjes, ndaj ka vetëm një rrugë që kjo të ndodhë, përmes përfaqësimit sa më të drejtë dhe të plotë të interesave të tyre. Ato fillojnë nga familja. Po flasim për nevojën e një pakti më të gjerë politik në këtë vend që duhet t’u garantojë shqiptarëve mirëqenie afatgjatë dhe të sigurt.
E kërkojmë këtë, sepse shifrat historike na tregojnë me saktësi peshën e këtij momenti dhe të këtij akti. Në një lajm në faqen tonë në internet (Monitor.al) duke botuar të dhënat e Bankës së Shqipërisë, treguam se shqiptarët po varfërohen të paktën që prej 2014-s. Pasuria e familjeve është në rënie, në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar. Por, edhe nëse zgjatemi më tej në kohë, është e lehtë të evidentosh se në shumicën e viteve, të ardhurat e qytetarëve kanë qenë përgjithësisht më poshtë se rritja ekonomike dhe punësimi nuk është rritur në raport të drejtë me PPB-në. Këto janë dëshmi e një pabarazie dhe mungese perspektive të thellë që duket se është burimi i të gjitha krizave të tjera.
Kohët e fundit është bërë virale në rrethe intelektuale një video e një prej mentorëve të mendimit nga Lindja e Mesme, personalitet i njohur, Mohamed Sobhy, i cili duke folur në programin e njohur TEDx, thotë se “nëse do të rrëzosh civilizimin, rrëno familjen, duke humbur rolin e nënës, si edukatore dhe t’i vijë turp pse është amvisë, rrëno arsimin duke bërë mësuesin objekt tallje nga nxënësit dhe shkatërro shëmbëlltyrën e shoqërisë, duke përbuzur e duke i bërë mendimtarët e shkencëtarët që të duken pa vlerë dhe dobi”. Shoqëria jonë, prej kohësh, nuk po di të dalë nga këto shtigje, çka konfirmon krizën tonë.
Ndaj ne mendojmë se shqetësimi me krizën nuk duhet të lidhet me faktin pse sot jemi në krizë se kjo do të ndodhte një ditë, ashtu siç qeverisen gjërat. Ne duhet të shqetësohemi se çfarë do të ndodhë më pas. Vendi sot ka nevojë për një pakt të gjerë dhe jo më një marrëveshje politike sezonale, ku axhenda e marrëveshjes të përshkruhet nga nevoja që ka shoqëria jonë për të përparuar dhe për të rritur mirëqenien afatgjatë. Më thjesht: një pakt për ekonominë.